Uji Dea

Hajgare me një popull

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Nga Imer Mushkolaj – Presidenti Hashim Thaçi po tallet me një popull. Ai me deklaratat e veprimet e veta po e fyen një popull. Një ditë flet për kompromise të dëmshme e të dhimbshme për Kosovën, e ditën tjetër e dekreton për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese të kërkuarin nga Interpoli. Për ambasador, ndërkaq, dekreton njeriun që e shantazhon me ndodhi të luftës. Thaçi është i rrezikshëm. Ai duhet ndalur. Ai duhet shkarkuar. Hashim Thaçi ka zgjedhur të bëjë hajgare me një popull të tërë. Duke ftuar konferenca për gazetarë thuajse çdo ditë dhe duke dhënë deklaratë pas deklarate, pa kurrfarë konsistence a logjike të shëndoshë, ai po përpiqet të paraqitet njeri kyç i proceseve politike në vazhdim, ndërkohë që për idetë e tij të rrezikshme nuk e ka mbështetjen madje as të ish-partisë së tij.

Thuajse çdo ditë ai nuk përton të hedh në publik lloj-lloj margaritarësh që veç mendja e tij di t’i prodhojë, ndërkohë që akuzon e ofendon media e gazetarë se po e keqinterpretojnë, madje edhe se po flasin në emër të homologut të tij serb.

Me deklaratat e përditshme për korrigjim kufijsh, ai po përpiqet t’ua mbush mendjen qytetarëve se Luginës së Preshevës se po kujdeset për ta, ndërkaq qytetarëve të Kosovës se ai është personi i duhur për të udhëhequr dialogun dhe arritur marrëveshjen me Serbinë.

Njeriu i cili në cilësinë e kryeministrit ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme me Serbinë, në Bruksel, duke u treguar negociator i dobët, tash po imponohet sërish me ide “kreative” dhe deklarata kontraverse e aspak konsistente.

Thaçi ka ndërmarë këtë ofensivë mediatike për të folur rreth korrigjimit të kufijve para vazhdimit të fazës finale të dialogut në Bruksel dhe para themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të jetë një trupë autonome, me kompetenca ekzekutive. Në këtë mënyrë, Thaçi po përpiqet të neutralizojë dëmin që do t’i bëhet vendit, duke i dhënë veriut praktikisht një autonomi dhe duke rrezikuar që Kosovën ta kthejë në një shtet jofunksional.

* * *

Hashim Thaçi vazhdoi të tallet me popullin edhe të enjten, kur si gjyqtar të gjykatës Kushtetuese dekretoi edhe Radomir Labanin, person i kërkuar nga Interpoli për të vuajtur dënimin prej gjashtë vjetësh burg për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe kontrabandën në Serbi.

Gjykata Kushtetuese ishte arsyetuar se kur Laban ishte punësuar në këtë institucion si zyrtar ligjor, në vitin 2012, kishte dorëzuar një vërtetim të Gjykatës së Prishtinës me të cilin dëshmonte se nuk ishte nën hetime apo nuk ishte i dënuar për ndonjë vepër penale. Por, Laban ishte arrestuar në Serbi në vitin 2006 dhe ishte dënuar me gjashtë vjet burgim si pjesë e “Mafisë doganore”. Ai me të tjerët, gjatë kryerjes së kontrabandës me kamionë, kishin përdorur arsyetimin e kontrollit “të jashtëzakonshëm” dhe meqë ligji lejonte një gjë të tillë, mallrat futeshin me dokumentacion si “mallra në transit” dhe i dërgonin nëpër depo. Në këto depo i hiqnin të gjitha vulat dhe i shpërndanin mallrat nëpër Serbi. Në dokumente shkruhej se “mallrat do të dilnin prej Serbisë”, por në fakt ato nuk dilnin kurrë.

KKVITI

Pavarësisht këtyre fakteve, Hashim Thaçi i hapi derën e institucionit më të lartë shtetëror të drejtësisë një krimineli. Nuk mund të ketë fyerje më të madhe për qytetarët e për shtetin sesa kjo.

* * *

Në vazhdën e talljes legjendare me popullin, Hashim Thaçi javën e kaluar dekretoi Gjergj Dedajn ambasador në Shkup. Pak ditë para kësaj Dedaj, ish-zëvendësministër i Jashtëm, bëri deklarata fashiste kundër serbve e turqve në Kosovë. Por, kjo nuk ndikoi që ai të mos rehatohet në postin e diplomatit. Siç ishte rehatuar për vite me radhë nga Hashim Thaçi në poste qeveritare, sepse atij Thaçi “i kishte borxh”.

Dedaj është njëri prej të arrestuarve të UÇK-së, në vitin 1998. Ai e pati akuzuar presidentin Hashim Thaçi se kishte maltretuar fizikisht, madje duke e futur edhe në bunar.

“Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti politike që e përkrahni presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pas malltretim fizik, psiqik, moral…disa anëtarë të delegacionit janë torturu edhe fizikisht. Edhe unë jam malltretu fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, kishte rrëfyer Dedaj në “Rubikon” në KTV’së në dhjetorin e vitit 2011, pak ditë pasi Thaçi e kishte shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit të Transportit.

Këtë ngjarje Dedaj nuk e ka përmendur më, ngase Thaçi i ka ndenjur gati duke e rehatuar nëpër kolltuqe qeveritare, për të dërguar tash ambasador.

* * *

Veprime aventureske si këto të Hashim THaçit duhet të përfundojnë sa më parë. Ai po rrezikon shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. Ai duhet të ndalet. Ai duhet të shkarkohet.