RCCOLA

Hajdini: Kujdes, inspektorët janë kudo në terren

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Ismet Hajdini drejtor i inspeksionit komunal thotë se ka rritje të volumit të punëve si në inspektime, procese të hartuara në terren, kërkesa e vendime për pranime të lokaleve, por ka pasur edhe mbyllje të lokaleve, lëndë për gjykatë, dënime mandatorë, përjashtime nga komunikacioni e aksioneve me polici.

Drejtori i Inspeksionit, Ismet Hajdini, në një takim me medie ka folur për aktivitetin dhe punën e këtij inspeksioni. Ai ka thënë se ka rritje të volumit të punëve si në inspektime, procese të hartuara në terren, kërkesa e vendime për pranime të lokaleve, por ka pasur edhe mbyllje të lokaleve, lëndë për gjykatë, dënime mandatorë, përjashtime nga komunikacioni e aksioneve me polici, sikurse që janë shirituar shumë objekte të ndërtuara pa leje, konfiskime e masa të tjera.

Hajdini tha se edhe më tej po vazhdojnë të përballen me taksitë ilegalë dhe se kombibusët ilegalë janë larguar nga komunikacioni, por siç ka shtuar Hajdini, problem edhe më tej mbeten veturat, të cilat bartin udhëtarë në të zezë dhe kur shumica prej tyre ndalen, atëherë pronarët ankohen se këtë po e bëjnë shkaku i gjendjes së rëndë ekonomike.
“Ka pasur raste edhe kur kemi bërë tërheqjen e veturave, por edhe raste kur po lirohen hapësirat publike”, ka thënë Ismet Hajdini, drejtor i Inspeksionit në Gjilan, që si problem në vete ka përmendur edhe zhurmën që po e lëshojnë lokalet edhe pas orarit e reagimet e qytetarëve, gjë e cila ka bërë që disa lokale të mbyllen.

Hajdini ka pranuar se po inspektojnë edhe objektet e pa legalizuara te tregu, sikurse që siç ka thënë ai edhe në Gjilan janë ndërmarrë masa te produktet ushqimore, sidomos në shikimin e cilësisë së tyre, afatet e skadencës, por edhe kushtet higjienike në të cilat punojnë furrat e bukës, mishtoret dhe prodhuesit ushqimorë.

UBT

Hajdini ka përkujtuar firmat, dyqanet e minimarkete se inspektorët e tij janë kudo dhe se ata po vëzhgojnë çdo gjë që bije ndesh me ligjin.

Duke prezantuar në shifra punën e inspeksionit Hajdini tha se në vitin 2012 janë kryer 8022 inspektime, janë mbyllur 40 lokale, si dhe janë shirituar 93 objekte , ndërsa janë regjistruar edhe 117 lëndë adresuar në Gjykatë.

Hajdini po ashtu tha se po vazhdojnë problemet me taksitë ilegale, ku përgjatë vitit 2012 janë larguar nga komunikacioni 114 sosh ndërsa aksionet po vazhdojnë edhe këtë vit. Ai tha se ka për çdo ditë tërheqje të automjeteve nga komunikacioni.

Hajdini tha se gjatë vitit 2012, janë konfiskuar dhe asgjësuar mbi 1 mijë e 300 kilogram mall të ndryshëm. /rajonipress/