Hadergjonaj rikthehet në Kosovë pas tri viteve
Mbrojtësi fantastik kosovar, Florent Hadergjonaj ka treguar se do të jetë përsëri në vendlindjen e tij Kosovë.Pasi angazhimet me futboll në skuadrën e tij Young Boys dhe me Përfaqësuesen e Zvicrës U21 ia mohuan një gjë të tillë, Florenti ka gjetur kohë për të kaluar disa ditë pushimi në vendlindje.
Ai do të vijë në Kosovë për festat e fundvitit dhe për këtë ka treguar për Telegrafin se është shumë i gëzuar.
“Më në fund po vijë në Kosovë pasi ka tri vite që nuk kam pasur mundësi të jem në vendlindjen që e dua shumë”, shprehet Hadergjonaj për Telegrafin, duke thënë se e gëzon fakti që do t’i takojë familjarët dhe miqtë e tij.
“Kam familjarë të shumtë dhe miq që më ka marrë malli t’i takojë. Do të jetë shumë mirë kjo ardhje e imja”, vazhdon tutje Hadergjonaj që e ka edhe një porosi për vitin 2016.
“Shpresoj që vitin tjetër kur do të vijë, Kosova të jetë e pranuar me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA. Atëherë do të vijë edhe me më qejf dhe dëshirë”, përfundoi mbrojtësi i djathtë i gjigantit zviceran Young Boys Bern.
Kujtojmë që Hadergjonaj është njëri nga lojtarët më të mirë në kampionatin zviceran në rolin e mbrojtësit të djathtë dhe është anëtar i rregullt i Zvicrës U21. /Telegrafi/


