Fundamenti

Grupet e krimeve ​

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arben Idrizi – Për bindjet e mia intime, Lushtaku nuk është se ka ndonjë dallim nga Veselinoviqi. Dhe ata qytetarë shqiptarë që e pengojnë policinë dhe drejtësinë, duke e fshehur dhe mbrojtur të kërkuarin, nuk është se kanë dallim nga qytetarët serbë që fshehin e mbrojnë të kërkuarit serbë.

Shpeshherë jam përpjekur ta bëj të qartë atë që është e qartë edhe vetvetiu, kur ishte e mundur me shembuj konkretë, se ekstremizmi shqiptar dhe ai serb (do të thotë kriminalitetet) janë vëllazëror në veprime.

Ja ku jemi përsëri në të njëjtën gjendje.

Nëse policia kërkon të arrestojë dhe vërë para drejtësisë shkelësit e ligjit e të dyshuarit për krime të ndryshme në veri të vendit, pra ata të përkatësisë etnike serbe, qytetarët serbë, sigurisht të organizuar dhe nxitur nga vetë të kërkuarit dhe dyshuarit, dalin kundër policisë dhe drejtësisë, shpesh duke i penguar tamam në kryerjen e detyrës.

Kështu kanë bërë me rastin e Zvonko Veselinoviqit, të cilin ne, shqiptarët, e ndoshta edhe shumë serbë, në përgjithësi, edhe pa u kryer gjykimi, e konsiderojmë si një kriminel të pështirë.

Tani, qytetarë shqiptarë bëjnë të njëjtën gjë në rastin e ‘Grupi i Drenicës’ dhe Sami Lushtakun më konkretisht.

Natyrisht, për bindjet e mia intime, Lushtaku nuk është se ka ndonjë dallim nga Veselinoviqi. Dhe ata qytetarë shqiptarë që e pengojnë policinë dhe drejtësinë, duke e fshehur dhe mbrojtur të kërkuarin, nuk është se kanë dallim nga qytetarët serbë që fshehin e mbrojnë të kërkuarit serbë.

Janë saktësisht mendësi, qëndrime dhe veprime të njëjta.

Veprime të tilla mund të hasësh kudo e kurdo. Por, të sqarohemi për të që e kemi të qartë. Veprime të tilla mund të hasësh kudo e kurdo në raportet shtet-krim, jo shtet-shtet. Ata që e sfidojnë rendin dhe ligjin, shpesh edhe duke e vënë në pozitë komike shtetin, janë gangsterët, kriminelët e pështirë. Dhe secili e di kush në cilën anë është, kush çka është. Këtu, te ne, pra, kemi një rast më specifik. Janë vetë përfaqësuesit e shtetit, politikanët, kryetarët e komunave ata që dalin kundër shtetit, bëjnë atë që bëjë kriminelët e rrugëve. Dhe kështu, natyrisht, shpesh edhe kanë mundësitë ideale ta sfidojnë forcën shtetërore që kërkon t’i pengojë. Në mënyra të ndryshme, edhe duke thirrur e vënë familjet, organizma, a tamam edhe institucione në mbrojtje të vetes, kundër rendit dhe ligjit.

FIDANISHTJA

Shkelës të tillë janë aq të fuqishëm në fakt sa policia nuk ka guxim për rreth tri ditë të konfirmojë ose thjesht të japë një informacion të saktë rreth arratisjes së tyre.

Dhe zyrtarët e partisë së cilës i përket Lushtaku, PDK, fusin kokën në zgurdhë si huti pa qenë në gjendje që qoftë edh moralisht ta dënojnë aktin dhe t’i kërkojnë t’iu dorëzohet organeve të rendit. Për të dëshmuar se qoftë edhe vetëm me fjalë, e duan rendin dhe ligjin, sigurinë dhe përgjegjësinë. Bile, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, vetëm sa u tall, duke bërë një deklaratë prej njërit që është në pozitën ku e ka luksin që edhe krimin ta shohë si gjënë më të rëndomtë dhe të pranueshme – natyrisht për veten dhe të ngjashmit. Vetëm se ai nuk e di se mes të bërit bè dhe be ka një fije shumë të hollë. E për njërin hipokrit e injorant si ai, zhdukja e theksit është e pavërejtshme. Prandaj, atij i duket se po përbetohet e ne na vijnë në veshë ca blegërima.

Madje, as kryeministri në largim dhe njëherit kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, nuk merr mundin të deklarohet, qoftë edhe duke dalë në mbrojtje të tij.

Ja pse në njëfarë mënyre këtu nuk është duke bërë shkeljen vetëm një person, por një institucion i tërë shtetëror, një subjekt i tërë politik, një pjesë e tërë e shoqërisë.

Dhe nuk është hera e parë. Ngase kështu ishte edhe me Xhabir Zharkun.

Dhe nuk është vetëm me ta. Ngase edhe LDK, kur hetohen dhe kërkohen pjesëtarët e saj, reagon ndaj drejtësisë, duke e quajtur selektive dhe të ndikuar politikisht.

Apo AAK.

E sigurisht, ka që do të pyesin, pse të mos e bëjë këtë edhe ndonjë shoku sekretar si Dardan Molliqaj i Lëvizjes Vetëvendosje.