Eko Higjiena

Greva në arsim, Osmani: Angazhohemi për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga palët të reflektojnë për ta ndërprerë grevën në arsim.

Përmes një postimi në Facebook Osmani ka thënë se duhet përmirësuar pozita e mësimdhënësve, por sipas saj fillimisht duhet të ndërpritet greva.

Ajo ka ftuar palët që t’i kthehen dialogut dhe të reflektojnë në kthimin e procesit mësimorë.

“Çdo 1 shtator kemi uruar nxënësit e mësimdhënësit tanë për një vit shkollor të mbarë. Sot në vend të urimit, duhet të dërgojmë mesazh reflektimi, shkaku i grevës dhe mos fillimit të procesit mësimor, duke ftuar palët e përfshira në këtë çështje që bojkotin e procesit mësimor ta zëvendësojnë me dialog”, ka shkruar Osmani, përcjell Telegrafi.

“Sot na duhet reflektim dhe sjellje e përgjegjshme, jo vetëm në raport me procesin mësimor, por edhe për sfidat e mëdha nëpër të cilat po kalon shteti ynë. Sindikata e arsimit parauniversitar ka të drejtë t`i adresoj shqetësimet në raport me mirëqenien e mësimdhënësve dhe pagave të tyre, por gjithmonë duke shmangur dëmin e pariparueshëm që i bëhet interesit të nxënësve nga ndalimi i procesit mësimor”.

Presidentja e ka përmenduar edhe rolin historik të arsimit në Kosovë.

“Arsimi ka luajtur rol jo vetën në formimin e vetëdijes tonë kombëtare, por edhe në shtetndërtimin dhe përparimin tonë të gjithmbarshëm. Si i tillë, ai është i shenjtë, sepse është çelës për të ardhme të ndritur të shoqërisë dhe shtetit tonë”.

Osmani ka deklaruar se me Ligjin e Pagave që është në procesim e sipër është përmirësuar edhe pozita e mësimdhënësve.

Mobi Casa

“Për këtë arsye, institucionet e Kosovës janë duke realizuar reforma për përmirësimin e sistemit arsimor, rritjen e cilësisë, aftësimin e të rinjve për tregun e punës, sikurse edhe për përmirësimin e pozitës materiale të mësimdhënësve. Prandaj edhe është proceduar Projektligji për pagat, i cili parasheh përmirësimin e pozitës për mësimdhënësit. Të gjitha palët kanë të drejtë t`i adresojnë propozimet e tyre për përmirësimin e këtij Projektligji, i cili është i hapur për diskutime paraprake dhe shumë shpejtë pritet të jetë në diskutim publik”.

“Pra, në vend të grevës, e cila i dëmton nxënësit, duhet t`i jepet mundësi dialogut, i cili është në dobi të nxënësve, mësimdhënësve, institucioneve dhe organizatave të tjera”.

E para e shtetit ka kërkuar fillim të procesit mësimor në mënyrë të pakushtëzuar.

“Fillimi i procesit mësimor për nxënësit tanë duhet të jetë i pakushtëzuar. Secili veprim i institucioneve dhe sindikatave duhet të jetë në shërbim të nxënësve dhe përmirësimit të cilësisë së sistemit arsimor. Ne i detyrohemi nxënësve, ndaj secili punonjës arsimor, sikurse edhe sindikata e arsimit duhen të jenë, në radhë të parë, në funksion të interesit të nxënësve”.

“Si Presidente e vendit, jam për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim duke e ditur se arsimi cilësor është bazamenti i një shteti e shoqërie të suksesshme. Por, jam në anën e nxënësve. E drejta u takon vetëm atyre! Atyre duhet tua ofrojmë dhe mbrojmë të drejtën për edukim dhe arsimim! E grevës duhet tia zë vendin dialogu!”.

Presidentja thotë se zyra e saj është duke u angazhuar për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga palët por që sipas saj në fokus do të ishte interesi i nxënësve.

“Zyra ime ka kontaktuar me të gjitha palët dhe po angazhohet për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme që ka në fokus interesin e nxënësve dhe të gjithë sistemit arsimor”, ka përfunduar Osmani./Telegrafi/