Mobi Casa

Gratë e Rogaçicës mësojnë rreth ujit të pijshëm

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Në kuadër të aktiviteteve të organizatës CDI (Iniciativa për Zhvillim të Komuniteteve), të enjten në lokalitetin e Rogaçicës (Komuna e Kamenicës) u mbajt takimi me gra lidhur me projektin e ujësjellësit në fshat i cili pritet së shpejti të implementohet. Falë angazhimit të aktivisteve të fshatit Fahrije Kryeziu dhe Nexhmije Kallaba, në një ligjëratë me temë për rolin e ujit ishin të pranishme rreth 130 gra.

Fillimisht, të pranishmet i përshëndeti përfaqësuesja e CDI-së, doktoresha Merita Syla, e cila foli për aktivitetin e organizatës CDI, e cila, në bashkëpunim me zyrën zvicerane, tashmë, po implementojnë projekte për sigurimin e ujit të pijshëm. “Në komunën e Kamenicës, tashmë, kemi implementuar disa projekte të këtij lloji, kurse sivjet po punojmë në implementimin e ujësjellësit për fshatrat Rogaçicë, Muçiverc, Hodonoc dhe Dajkoc. Këto projekte realizohen sipas standardeve evropiane”, tha mes tjerash Dr. Merita Syla.

Me këtë rast përfaqësuesit e CDI-së i përshëndeti aktivistja komunale Nexhmije Kallaba. Ajo foli edhe për rolin e gruas në planifikimin e projekteve me interes për qytetarët, duke qenë edhe vetë, pra gruaja, pjesëmarrëse aktive edhe në planifikimet buxhetore.

Kallaba tha se gratë janë të rëndësishme për zhvillimin e shtetit të Kosovës andaj pjesëmarrja e tyre, jo që është e nevojshme, por e domosdoshme.

Ligjëratën lidhur me ujin, rëndësinë e ujit të pijshëm si dhe kursimin e ujit e vazhdoi Asllan Dërmaku. „Kosova është e varfër me ujë të pijshëm. Këtu, vetëm 3% janë ujëra të përdorshëm e nga kjo sasi vetëm 1% është ujë i pijshëm” tha Dërmaku. Duke pasur parasysh ndotjen e vazhdueshme të ambientit, ai foli për sëmundjet, të cilat shfaqen për shkak të ujit i cili është i papastër në aspektin higjienik, fizik e kimik, duke vënë në pah sëmundjet si: diarea, hepatiti etj.

Uji Dea

Ai, gjithashtu tha se 50% e sëmundjeve vijnë për shkak të papastërtisë së ujit. “Ashtu sikur që janë tri të katërtat e tokës me ujë, po ashtu edhe tri të katërtat e organizmit të njeriut janë me ujë, prandaj është me shumë rëndësi se çfarë cilësie të ujit përdorim”, vazhdoi Dërmaku.

Dërmaku i kushtoi rëndësi të veçantë kursimit të ujit, sepse nga mungesa kaq e madhe e ujit të pijshëm ai duhet të përdoret vetëm për pije, kurse për ujitje, larje dhe në industri duhet të merret nga burime të tjera.

Në këtë kontekst Merita Syla theksoi se rol të veçantë duhet t´i kushtohet menaxhimit të ujit të pijshëm, duke përkujtuar gjithmonë mirëmbajtjen e tij nga organizata të specializuara.

Duke pasur parasysh Komunën e Kamenicës si promotor të realizimit të projekteve në të mirë të fshatit, gratë e Rogaçicës u shprehën falënderuese ndaj organeve komunale si dhe ndaj CDI-së dhe Zyrës Zvicerane.

Pas takimit përfaqësuesit e CDI-së, shpërndanë disa pako higjienike./rajonipress/