Gjysma e familjeve kosovare kanë vështirësi në mbulimin e shpenzimeve

Ekonomitë familjare nuk po janë në gjendje që t’i paguajnë me kohë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale, dhe fatura tjera. Pothuajse gjysma e ekonomive familjare ka dështuar t’i kryejë obligimet me kohë gjatë vitit 2013 për më shumë se dy herë.
Rreth 25 për qind e familjeve kanë deklaruar se vetëm një herë gjatë vitit 2013 nuk kanë arritur t’i kryejnë obligimet. E vetëm rreth 30 për qind e familjeve nuk kanë pasur vonesa në kryerjen e këtyre pagesave gjatë vitit 2013. Këto të dhëna janë pjesë e raportit “Anketa e buxhetit të ekonomive familjare”, që është publikuar nga Agjencia e Statistikave, shkruan sot Koha Ditore..
Ekonomitë familjare janë pyetur edhe për përballueshmërinë e një shpenzimi të papritur prej 500 eurosh gjatë një viti. Rezultatet janë shqetësuese, pasi vetëm rreth 15 për qind e familjeve një shpenzim prej 500 eurosh e kanë përballuar lehtësisht apo relativisht lehtë. Rreth 85 për qind e familjeve e kanë përballuar këtë shpenzim shtesë me vështirësi të mëdha, apo me disa vështirësi.
Në këtë anketë familjet janë pyetur edhe për pushimet vjetore dhe shujtat me mish.