KKGJILAN

Gjysa – gjysë

/ 6 minuta lexim

Nga Arben Ahmeti – Ai ka se çfarë të tregojë për vitin 2013. Sipas tij, rrjeti social facebook, nuk shërben për promovimin e shkrimeve siç bëj unë me postimin e ripostimin që kushedi sa herë do ti`a bëjë këtij shkrimi. Për të rrjeti social nuk ka kurrfarë kuptimi të postimit të statuseve që marrin llajka. Miku im e ka një qëllim në këtë rrjet social. E përdor për ta gjetur nafakën. Kësisoj beqari “hasret” i shoqërisë sime, ndonëse nuk e di nëse sojit të tij i thuhet beqar apo vejan, edhe atë ditë po e kërkonte nafakën.

“Tung si je”, tregon se i ka shkruar kësaj vajzës që tash është e njohur për mua dhe disa nga shokët tjerë.
“Mirë faleminderit por nuk po të njoh dhe nuk po e di me kë po bisedoj”, ia kishte kthyer ajo.

“Mirë de, as Serbia nuk e njeh Kosovën, por po bisedojnë”, kishte qenë përgjigjja e kërkuesit konstant të nafakës që kurrqysh nuk po i del.

Tash, me shpresën që nuk po i hy në hak superstarit të shoqërisë, e me ymyd që shokët e tjerë nuk do ta lexojnë më duhet që rrëfimin e tij me këtë vajzën me e përdor për ta shpjeguar marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe marrëdhënien e qenies tonë me 2013-n.

Herën e fundit kur e pyeta se si i ka punët, më tha që po bisedon më këtë vajzën konstant në FCB, që një herë a dy janë pa edhe live, por sërish në fcb po arrijnë të kuptohen më mirë.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq në vitin që lamë pas janë parë dy herë vetë në dy kryeqytete të ndryshme të Evropës, por muhabeti u ka shkuar më mirë vetëm kur pranë vetes e kanë pasur baroneshën Ashton, në plot njëzet herë të ndryshme.

Kësisoj, përfaqësuesja e lartë e BE-së ka shërbyer si një mjet ndërmjetës në komunikimin e tyre, ashtu siç po shërben facebooku në komunikimin e mikut të tim me simpatinë e tij.

Ai është bukur i lumtur për gjysmë lidhjen që ka ndërtuar, ndonëse ka shumë sfida përpara. Pa dashur ta dekurajoj më duhet me ia kujtu sfidat e mëdha që ka një lidhje: qëndrimi bashkë, izolimi nga aventurat, mirëkuptimi ose kompromisi për t`u përshtatur, bashkëjetesa, kurora, ndërtimi i familjes së bashkuar.

Duke dashur t`i dekurajoj më duhet të kujtoj se edhe gjysmë normalizimi që kanë bërë Thaçi e Daçiq ka shumë më shumë sfida. Bashkëjetesë me asociacionin, kompromiset e vazhdueshme për t`u përshtatur, njohja që do të ishte kurorëzim i krejt përpjekjes por edhe ndërtimi i përbashkët në unionin e shteteve evropiane.

Mobi Casa

Kësisoj na del se entuziazmi i Thaçit, Ashtonit dhe Daçiqit për atë që kanë arritur është i pavend, pasi që nuk kemi kryer as gjysmën e rrugës së normalizimit. Me një fjalë jemi kërkah, bash sikur lidhja virtuale e mikut tim.

Sepse realiteti dallon prej imazhit virtual të një lidhjeje. Sepse me kaq po e lë rehat mikun tim dhe realitetin e tij për t`u marrë me qenien tonë.

E vërteta e Kosovës është barrikada mbi Ibër, pamundësia për të bërë shtetin e ndal krimin. Realiteti i Serbisë është apetiti mesjetar për ta mbajtur Kosovën të kontrolluar qoftë duke e përçarë në komuna që nuk e njohin shtetin. Këto realitete dallojnë shumë prej atij Ashtonian (lexo: virtual) që e ka ndërtuar dialogu i Brukselit.

Sepse realiteti i përbashkët i Kosovës dhe i Serbisë janë trupat e pagjetur të shqiptarëve që tash po del se janë mbuluar me fabrika, janë djegur nëpër shkritore e një dreq e di se çfarë ka ndodhur me to. Sepse realiteti i Serbisë është pamundësia e Daçiqit të shqiptojë kërkimfaljen edhe kur para tij gjendeshin tre të rinjtë, simbol të mbijetesës së çmendurisë që kishte bërë shteti i tij, shteti që dikur ia bënte zëdhënësin e tash e udhëheq.

Për pak harrova se kjo kolumne është e vitit të ri e gjithqysh tash më duhet me e kujtu ndonjë barsoletë për ta përfunduar me optimizëm.
S`di pse po më kujtohet loja që kur kemi qenë fëmijë e bënim me shokët e mëhallës sa herë që kishim fatin të ishim bashkë kur na vinte për të urinuar. Ai ishte momenti i garës më të natyrshme që e bënim, garë që dallonte nga ajo me biçikleta, me top e me kushedi çka tjetër.

Gara me e hedh urinën më larg na magjepste. Ai që dilte i pari ishte më i forti i mëhallës, e të përqeshurit mbeteshin ata që nuk arrinin ta çonin as deri të gjysma e neve tjerëve.

E di që njëherë a dy kur më pati ndodhur të jem në mesin e të përqeshurve, e pata nëmur lojën. “T`pshurrsha n`lojë!”, pata thanë.
2013-a nuk i ka realizuar as gjysmën pritjeve tona, kështu që e ka të nëmurën e njëjtë.

Gëzuar 2014-a, me urimin se do të na vij pak më shumë fuqia e ndoshta po e kalojmë gjysmën. Sepse një vit i plotë kur mbetet në gjysmë nuk e meriton të kujtohet. Sepse gjysa-gjysë boll jemi arnuar.

(Autori është Redaktor Përgjegjës i gazetës Tribuna)