Gjyqësia është e kapur nga politika

Nga Reshat Sahitaj – Akuzat e shumë deputetëve të dyshuar për mashtrim, korrupsion, në krime të organizuara ekonomike dhe politike dhe ende pa asnjë përfundim gjyqësor, janë treguesi më i mirë se gjyqësia është e kapur nga politika. Deputetët tanë nuk kanë pse të merakosen për liberalizimin e vizave, sepse këta mund të lëvizin lirshëm në çdo vend të Evropës, ndërsa qytetarët tanë presin me muaj të tërë vetëm për një termin e disa muaj të tjerë për një përgjigje, e cila në shumicën e rasteve u vjen negative.

Kuvendi ynë, i papërgjegjshëm për çështjet madhore dhe fatin e shtetformimit. Ky është një formulim i krijuar nga pasojat e mbledhjeve maratonike të kuvendarëve tanë pa asnjë sukses, që mendojnë dhe e përjetojnë mbarë qytetarët e Kosovës.

Deputetët, një pasqyrë e thyer

Deputetët dhe ministrat tanë i kanë të gjitha privilegjet, pa asnjë dallim nga kolegët e tyre perëndimorë. Në bazë të kushteve dhe standardit, deputetët dhe ministrat tanë bëjnë jetë më luksoze se kolegët e tyre perëndimorë, duke ua shtuar këtu edhe përfitimet ilegale, mashtrimet e ndryshme që ndonjë deputet ua bën qytetarëve të diasporës në emër të postit të tij dhe kredibilitetit që ai/ajo e gëzon në shtetin e Kosovës dhe kurrë nuk japin llogari para ligjit dhe gjyqësisë sonë ende të brishtë.

Akuzat e shumë deputetëve të dyshuar për mashtrim, korrupsion, në krime të organizuara ekonomike dhe politike dhe ende pa asnjë përfundim gjyqësor, është treguesi më i mirë se gjyqësia është e kapur nga politika. Një pjesë e deputetëve tanë, që askush nuk ka njohuri si u pasuruan, si e fituan postin, por e fituan e jo me votën e elektoratit, posa të vendosen në poste, vëmendja e tyre përqendrohet në pasurimin ilegal në kurriz të shtetit, respektivisht të popullit, gjithnjë duke iu referuar legjitimitetit dhe postit të lartë shtetëror për t’iu fshehur drejtësisë dhe ligjeve në fuqi. Në kurriz të shtetit dhe popullit, disa prej tyre bëjnë pazare të pista për interesa të tyre personale, pa pasur aspak mëshirë për qytetarët tanë, e aq më pak për forcimin e shtetit tonë. Zyrtarët tanë shtetërorë nuk kanë pse të merakosën as për gjendjen e tyre materiale në kohën kur mbi pesëdhjetë për qind e popullit tonë është në gjendje skajshmërisht të varfër! Deputetët tanë nuk kanë pse të merakosën për liberalizimin e vizave, sepse këta mund të lëvizin lirshëm në çdo vend të Evropës, ndërsa qytetarët tanë presin më muaj të tërë vetëm për një termin e disa muaj të tjerë për një përgjigje, e cila në shumicën e rasteve u vjen negative.

Antishqiptarizmi i disa partive politike

Që nga paslufta e deri sot, në shtetin tonë kurrë nuk kanë ardhur në shprehje vlerat e mirëfillta kombëtare. Të mendosh kështu publikisht, është absurd. Të shkruash kështu, të gjithë së bashku pozitë-opozitë do të ngrihet kundër. Mirëpo nëse i analizojmë proceset politike që janë zhvilluar gjer tani nuk na mbetet asnjë dyshim se situata politike është e tillë ku vlerat kombëtare injorohen dhe luftohen që kurrë ato të mos dalin mbi sipërfaqe. Ka shumë shembuj që e konfirmojnë këtë mendim dhe që na bëjnë skeptikë për një ardhmëri të mirë të shtetit dhe ngritjen e standardit. Si mundën të justifikohen partitë politike që kurrë asnjëra nuk e futi Adem Demaçin të jetë kandidat për deputet? A mendoni se Adem Demaçi nuk do të kishte shtatë mijë vota?! Si mund të justifikohen partitë politike, që asnjë kurrë nuk i ofroi Rifat Jasharit të konkurronte për deputet të Republikës së Kosovës?! A mendoni se Rifat Jashari nuk e meriton të ishte deputet i Kosovës?!

A mendoni se Rifat Jashari nuk do t’i fitonte shtatëmijë vota?! Si mund të justifikohet VV-ja e Albin Kurtit që kurrë Avni Deharin nuk e propozoi të konkurronte për deputet?! A mendoni se Avni Dehari nuk e meriton të jetë deputet apo ministër i Republikës së Kosovës ?! A mendoni se Avni Dehari nuk do fitonte pesëmijë vota?! Avni Dehari nuk është vetëm babai i Astritit që VV-ja me krenari ia përmendin emrin për interesa partiake, por Avniu është aktivist i çështjes kombëtare që nga vegjëlia dhe rrënjë kombëtare me babë e babagjysh. Ka edhe shumë personalitete tjera dhe aktivistë të dalluar të çështjes kombëtare që injorohen dhe luftohen nga të gjitha partitë politike. Në krye të partive politike ekziston një filtër i padukshëm, i cili shërben për eliminimin e figurave që kanë kontribuar për çështjen kombëtare. Këta filtra që janë në çdo parti politike, janë qëllimisht të futura në ato vende dhe kur ndonjëri arrin të depërtojë deri në një shkallë, këta menjëherë ia fillojnë luftës së tyre për t’i eliminuar këta individë, duke shpifur e gënjyer mbi biografinë e tyre. Këta individë që shërbejnë si filtra të partisë, janë të vendosur nga Shërbimi Sekret i Serbisë e në shumicën e rasteve janë vetë liderët edhe filtra. Aktivistët e çështjes kombëtare , dje luftoheshin nga Serbia, sot indirekt luftohen nga partia. Nuk ka asgjë për t’u habitur, kjo që është duke ndodhur në vendin tonë është një gjë reale dhe përditshmëri e jonë. Nëse je atdhedashës me të gjitha karakteristikat, do të jeni të larguar nga çdo post zyrtar dhe sa më larg Kuvendit dhe Qeverisë. Kuvendi dhe Qeveria duhet të përbëhet nga individët me biografi të dyshimta antikombëtare me shumicë, e atykëtu edhe disa me biografi të pastër kombëtare.

Për të kuptuar më mirë, nuk duhet filozofi e as matematikë, por duhet shikuar biografinë e shumicës së deputetëve nga të cilët do të rezulton se; ose ishte djalë spiuni, ose e kishte njërin prind të kombësisë tjetër më preferencë serbe, ose babë e babagjysh në shërbim të armikut… Një konglomeracion i tillë deputetësh do të krijojnë qeverinë pas çdo zgjedhje të nivelit qendror dhe lokal. Siç thoshte Ramiz Lladrovci “Fuqia e bënë shumicën” e që në këtë kontekst kjo thënie e tij që dikur ishte jo logjike, në këtë rast po rezulton logjike. Pse logjike?! Është logjike, sepse filtrat që ekzistojnë në partitë tona politike, e kanë një fuqi të padukshme për opinionin për që në fakt fuqia e tyre u vjen nga Shërbimi Sekret i Serbisë, dhe këta e vendosin përbërjen e deputetëve shumicë në partitë e tyre e krejt bashkë e formojnë Kuvendin dhe Qeverinë. Duke u nisur nga ky fakt i pa argumentuar shkencërisht, por i konfirmuar sipas rezultateve dhe figurave politike që po i shohim çdo ditë, nuk ka asnjë dyshim se më të mirët po nëpërkëmbën, po injorohen dhe po izolohen çdo ditë e më shumë. Asnjëra parti politike nuk e ndjen nevojën për t’i grumbulluar rreth tyre, të mençurit as patriotët. Madje ata vetë deklarojnë se për të mençur nuk kanë nevojë, por kanë nevojë për vota. Ne jemi për të menduar! Ju jeni për të na votuar! Kjo është motoja e tyre në çdo fushatë zgjedhore.

Pse dhe nga kush dëmtohet imazhi i Kosovës?

Siç e dinë të gjithë se gjatë këtyre viteve, imazhi i shtetit tonë është dëmtuar shumë, madje aq shumë sa që as Serbia nuk do kishte mundur ta dëmtonte më shumë sesa e kemi dëmtuar vetë ne shqiptarët. Kur diplomacia serbe propagandon kundër Kosovës, bota perëndimore e kupton se akuzat e tyre që janë të qëllimta, por kur ne vetë i kontribuojmë dobësimit të imazhit tonë, ne e shkatërrojmë shtetin me vetëdëshirë. Për të dëmtuar imazhin e shtetit tonë, deputetët dhe ministrat tanë duhet të paraqitën se janë patriotë dhe se po punojnë për të mirën e vendit dhe të qytetarëve. Të deklarohen ndryshe nuk kanë guxim. Nuk kanë guxim të deklarojnë se ata janë të detyruar të punojnë kundër interesave të shtetit dhe qytetarëve. Asnjë deputet e as ministër nuk do guxonte të deklarohet se është kundër rregullimit të sistemit shëndetësor. Qytetari i Kosovës, nuk e ka të rregulluar sigurimin më elementar në jetë -sigurimin shëndetësor! Të diplomuarit tanë nuk e kanë të sigurt punësimin e tyre për vendet që janë specializuar ! Deputetët dhe ministrat tanë bashkë me mediet tona, më shumë u japin rëndësi ditëve botërore të ajrit, ditës botërore të barit, ditës botërore të luleve… Nuk i japin rëndësi shëndetësisë, mirëqenies, kulturës. Si mund të kemi shtet të mirëfilltë ku gjatë tërë vitit festojmë festa të panevojshme ?! Ne festojmë kur tjerët punojnë.

Imagjinoni kur më 9 maj për festën evropiane Parlamenti Evropian dhe të gjitha shtetet e Evropës punojnë, ne në Kosovës festojmë! Këto gjëra bëhen qëllimisht që të zhvendoset vëmendja e qytetarit tonë dhe për topitjen e trurit tonë. Deputetët tanë e ngrehin lart e më lart zërin e tyre për patriotizëm e në fakt me aktet e tyre e dëmtojnë shtetin. Në një shtet ku korrupsioni është nga maja deri në rrënjë nuk është shtet demokratik por anarki totalitare. Në një shtet kur djali i Adem Grabovcit e rreh policin dhe në vend se te dënohet djali dënohet polici aty nuk ka shtet! Në një shtet ku vëllai i Rexhep Selimit e grushton policin dhe në vend se të dënohet i vëllai i deputeti dënohet polici, aty nuk ka shtet ligjor, por anarki! Kur grushtohet polici, është sulm kundër shtetit! Kur fyhet rëndë një polic, aty fyhet rëndë një shtet! Në perëndim nëse policit i bëhet një fyerje ai dënohet tre muaj burg. Nëse grushtohet polici, ai dënohet minimum gjashtë muaj e më shumë burg pa asnjë kusht për t’u ankuar. Ne nuk duam shtet ku askush nuk mundet të jetë mbi ligjin. Ne duam shtet ku mbretërojnë ligjet e fiseve – ligji i të fortit ! Kështu dikur ka thënë Nikolla Pashiqi, e ne po e konfirmojmë se politika serbe mirë e kanë thënë.

Në emër të patriotizmit e kundërshtojnë Demarkacionin

Në emër të patriotizmit Demarkacioni mbetet pika më e dobët e qeverisë, që është shqetësuese për të gjithë qytetarët dhe ndërkombëtarët. Ata që e kundërshtojnë votimin e demarkacionit thirrën në emër të patriotizmit. Tjerët që apelojnë të votohet demarkacioni po ashtu thirrën në emër të patriotizmit. Cila është e vërteta ?! Nëse deputetët shqiptarë janë shqiptarë, bashkërisht zgjidhjen do e gjejnë brenda ditës. Nëse deputetët shqiptarë janë shqiptarë siç po deklarohen, nuk do të lejojnë që për Demarkacion Ramushi të detyrohet të kërkoj ndihmë nga Lista Serbe. Secili deputet dhe shef i partive e dinë se nëse Ramushi duhet të bëjë kompromis më Listën Serbe, Kosova do të humbë. Deputetët të cilët në emër të patriotizmit e kundërshtojnë Demarkacionin, vullnetarisht po i ndihmojnë Serbisë që të përfitojë nga Kosova. Këta deputetë nuk janë budallenj e as të padijshëm. E dinë se kur Ramushi të kërkojë nga Lista Serbe ta votojnë demarkacionin, e ata do kërkojnë që Qeveria t’u garantojë atyre ‘Trepçën’ dhe ‘Brezovicën’ si dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Janë po ata deputetë e parti politike shqiptare të cilët vullnetarisht Ramushin nuk e votuan, duke u lënë hapësirë të lirë Listës Serbe në Qeveri. Ata e dinin se Ramushi do të votohej edhe pa ata, por qëllimisht nuk e votuan që serbët të fitojnë pushtet. Ata e dinë edhe sot, se demarkacioni do votohet, dhe serbët përsëri do të fitojnë. Pse kështu veprojnë këta shefa të partive?! Sepse janë të detyruar nga një fuqi e padukshme për opinionin tonë. Duhet të kundërshtojnë që serbët të fitojnë edhe ato që nuk i kishin as në kohën e Millosheviqit.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).