Gjykohet grupi që dhunshëm mori 16000 euro nga kazino “Merkuri”

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Nijazi Spahiu, Azem Spahiu, Ardian Bajrami, Shkëlzen Uruqi dhe Rasim Syla po akuzohen për vjedhje grabitqare. Ata dyshohet se më 24 shkurt 2012 kanë grabitur nga kazino “Merkuri” mbi 16 mijë euro.

Në Gjykatën Themelore të Gjilanit ka nisur një proces gjyqësor që lidhet me grabitjen e një kazinoje në Gjilan. Kjo grabitje ishte cilësuar si spektakulare meqë gjithçka ishte bërë në mënyrë të organizuar.

Aktakuza e ngritur nga prokurori Shaban Spahiu i ngarkon Nijazi Spahiun, Azem Spahiun, Ardian Bajramin, Shkëlzen Uruqin dhe Rasim Sylën për vepërn penale vjedhje grabitqare. Ata dyshohet se më 24 shkurt 2012 kanë grabitur nga kazino “Merkuri” mbi 16 mijë euro.

Sipas aktakuzës të dyshuarit më 24 shkurt 2012 në lagjen “Dardania” në Gjilan në bashkëveprim me njëri tjetrin kanë kryer grabitjen në kazinon “Merkuri”. Grupi sipas aktakuzës ka pasur një plan dhe marrëveshje paraprake, duke i ndarë edhe rolet duke siguruar edhe mjetet e përshtatshme për kryerjen e veprës si dorëza, maska.

Uji Dea

Të pandehurit në kazinon “Merkuri” kanë hyrë të armatosur dhe me maska dhe duke i drejtuar armët automatike nën kanosje e godasin të dëmtuarin Rr.Sh. dhe nën kanosjen e armëve grabisin shumën e të hollave prej 16 mijë eurove. Të pandehurit pas grabitjes të hollat i kanë ndarë mes veti derisa si udhëheqës i grupit sipas aktakuzës është cilësuar Rasim Syla.

Ky grup akuzohet edhe për shfrytëzim të paautorizuar të armëve . Njëri nga avokatët mbrojtës Masar Morina tha për rajonipress se ndonëse janë paraparë tri seanca gjyqësore asnjëra prej tyre deri tani nuk është mbajtur.”Po na mungojnë dëshmitarët dhe reforma gjyqësore e ka ngadalësuar këtë gjykim” tha Morina.

Morina i cili mbron Rasim Sylën tha se klienti i tij e ka mohuar veprën. Në këtë proces gjyqësor pritet të dëshmojnë mbi 10 dëshmitarë derisa seanca e radhës është caktuar për 13 mars 2013.

Të gjithë të akuzuarit ndodhen në paraburgim që nga data 9 mars 2012, ndërsa vetëm njëri prej tyre ndodhet në arrest shtëpiak. /rajonipress/