Gjykata Supreme vërteton edhe një shkelje të dispozitave

Gjilan – Edhe pse Gjykata Supreme e Kosovës ka vërtetuar se janë shkelur dispozitat e ligjit penal në favor të të pandehurve të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë megjithatë kjo gjykatë vetëm e ka konstatuar shkeljen, duke mos e prekur vendimin e formës së prerë në raport me të pandehurit të cilit ishin shpallur të pafajshëm nga ana e Gjykatës së Apelit.
Gjykata e Apelit e Kosovës departamenti për krime të rënda kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës së Gjilanit derisa kishte hedhur poshtë ankesën e Prokurorisë së Gjilanit. Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë, ka nxjerrë konkludime të drejta dhe të qarta se nuk është aprovuar se të akuzuarit Berat Nika, Nehat Veliu e Krenare Macula, nuk e kanë kryer veprën penale dhe nuk është provuar se Xhelal Selimi të ketë kryer veprën penale.
Por prokuroria e shtetit ishte ankuar ndaj vendimit të Apelit dhe Gjykata Supreme e Kosovës e ka pranuar si të bazuar kërkesën e prokurorisë për mbrojtjen e ligjshmërisë.
“Nga të gjitha gjetjet që u thanë është vërtetuar se janë shkelur dispozitat e ligjit penal në favor të të pandehurve dhe kjo Gjykatë vetëm e konstaton këtë shkelje, duke mos e prekur vendimin e formës së prerë në raport me të pandehurit” thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës të kryesuar nga Valdete Daka si kryetare e kolegjit./rajonipress/