Gjykata kushtetuese ndalon dëbimin e kosovarit

Edhe pse kosovari ka qëndruar 10 vjet ilegalisht në Austri, ai është integruar me sukses. Për këtë arsye, gjykata ka anuluar vendimin për dëbimin e tij.
Qëndrimi ilegal në Austri për më shumë se 10 vite nuk është arsye për dëbimin e të huajit në vendin e prejardhjes. Këtë përfundim e ka nxjerrë Gjykata Kushtetuese e Austrisë në rastin e një kosovari, pas ankesës së bërë nga ky i fundit. Autoritetet e landit Steiermark kishin vendosur ta kthenin atë mbrapshtë në Kosovë, me arsyetimin se, duke qëndruar kaq gjatë ilegalisht në Austri, ai po e shkilte ligjin.
Por, dryshe ka menduar Gjykata Kushtetuese e Austrisë, shkalla më e lartë e gjyqësisë në vend. Sipas saj, në rastin e kosovarit, autoritetet është dashur të kenë parasysh integrimin e tij të suksesshëm në punë dhe jetën e tij familjare, private në Austri. Për këtë arsye, gjykata në fjalë ka anuluar vendimin e mëparshëm për dëbim të kosovarit.
Kryefamiljari 39 vjeçar nga Kosova, kishte ardhur në Austri në vitin 2001, shkruan “Die Presse”. Përveç periudhës së shkurtë deri sa ishte duke pritur t`i njihej azili, gjatë gjithë kohës tjetër ai ksihte qëndruar ilegalisht në këtë vend. Por, siç ka konstatuar Gjykata Federale, ai ishte i integruar mirë, e flet gjermanishten rrjedhshëm, nuk ka histori kriminale dhe ka punuar gjatë gjithë kohës, duke mos u bërë barrë e shtetit. Së bashku me gruan, po ashtu kosovare dhe po ashtu me vendim për të lëshuar Austrinë, ai ka një vajzë.
Vendimi i autoriteteve për dëbimin e kosovarit, sipas gjykatës, është i padrejtë kur kemi parasysh shkallën e integrimit të tij në shoqërinë austriake, punën dhe njohjen e gjuhës. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese e Austrisë e shpall antikushtetues vendimin e mëparshëm për dëbimin e kosovarit me familje.(albinfo)