Gjykata Komerciale “shpëtim” për bizneset, Zeka: Procesi gjyqësor i drejt e efikas, i rëndësishëm për tërheqjen e investimeve
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar konferencën vjetore të drejtësisë komerciale “Drejtësia dhe Biznesi”, e cila shtjellon njohuritë për reformat ligjore dhe mekanizmat e zgjidhjes së kontesteve tregtare, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se një proces gjyqësor i drejtë është i rëndësishëm jo vetëm për tërheqjen e investimeve por edhe për rritjen e përgjithshme ekonomike. Derisa me këtë reformë synohet të zhvillohet edhe më tej sistemi gjyqësor, e në këtë drejtim edhe të lehtësohen sfidat e bizneseve, njofton Klan Kosova.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se një proces gjyqësor i drejtë dhe efikas, është i rëndësishëm edhe për tërheqjen e investimeve të huaja.
Zeka tha se të bërit biznes në Kosovë ka sfida, por që me themelimin e Gjykatës Komerciale ka shpresë që këto vështirësi për bizneset të lehtësohen.
“Jemi për të dëshmuar përkushtimin e përbashkët dhe përforcimin e sistemit të Drejtësisë Komerciale të Kosovës i cili është thelbësor për një mjedis biznesi elastik i cili e mundëson lulëzimin e bizneseve. Një proces gjyqësor i drejt efikas dhe transparent është i rëndësishëm jo vetëm për tërheqjen e investimeve po dhe në ndërtimin e besimit në sistemin e përgjithshëm në sistemin e përgjithshëm e padyshim edhe për rritjen e gjithmbarshme ekonomike të vendit ashtu që Kosova të mund të jetë konkurruese në skenën rajonale e ndërkombëtare. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka kryer me anëtarët e saj një anketë që të raportohet si një gjykatë efektive dhe efikase në kryerjen e punëve të saj edhe pse gjithmonë ka hapësirën për përmirësim”, tha Zeka.
E zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu theksoi se si ekzekutiv kanë shprehur gatishmëri në vazhdimësi që të ndihmojmë bizneset për t’ua bërë sa më të lehtë punën dhe operimin e tyre.
“Për një periudhë të gjatë sektorët e bizneseve të vogla po ashtu edhe ato të mëdha janë përballur me vonesa dhe vështirësi në sistemin gjyqësor të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejtë me aftësitë për të operuar në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme. Problemi kryesisht ka qenë mungesa e numrit të mjaftueshëm të gjyqtarit të specializuar si dhe mungesa e burimeve të duhura për trajtimin e procedurave komplekse dhe kjo ka krijuar një ngarkesë të panevojshme për bizneset të cilat shpesh kanë hasur vështirësi për të marrë vendime të shpejta dhe për të adresuar mosmarrëveshjet me shpejtësi dhe efikasitet”.
“Prandaj funksionalizimi i Gjykatës Komerciale ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme dhe kjo Gjykatë nuk është thjesht një strukturë e re por një mundësi për të rritur efikasitetin dhe besueshmërinë e sistemit gjyqësor me trajtimin e çështjeve Komerciale dhe të Biznesit. Përfundimisht një sistem i Drejtësisë efikas dhe i besueshëm është kyç për suksesin dhe prosperitetin e shoqërisë sonë, si qeveri ne do të vazhdojmë të investojmë në këtë proces dhe të mbështesim gjithmonë partneritetin e ngushtë mes drejtësisë dhe biznesit në mënyrë që të sigurojmë një mjedis të qëndrueshëm dhe të favorshëm për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e përgjithshme të Republikës sonë”, u shpreh Sallahu.