UBT

Gjuha e titujve të medieve tona

/ 26 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Bahtijar Kryeziu dhe Shpresë Qamili – Çdo shkrim, i çfarëdo natyre qoftë, duhet të ketë një titull, i cili duhet të korrespondojë me përmbajtjen e shkrimit, me atë që shtjellohet në tekstin përkatës. Megjithëkëtë, mëtimi ynë nuk është të tregojmë këtu për karakteristikat e tjera të titullit nga aspekti metodologjik e praktik: titull i gjatë a i shkurtër, titull televizioni a gazete informative për politikë, çështje sociale, ekonomi, arsim, kulturë, sport etj., ku titulli për tekstin është, në njëfarë mënyre, sikurse kulmi për shtëpinë, por të vejmë në spikamë gabimet gjuhësore e kuptimore në titujt e disa medieve tona, ngase jo rrallë, në ata tituj, qoftë nga mosnjohja e duhur e normave morfo-sintaksore e semantike të shqipes: të topikës, të rendit dhe të zgjedhjes së fjalëve, të përdorimit jo me vend të shenjave të pikësimit, të një modeizmi, ekonomie gjuhësore, apo të formulimeve stereotipe sipas modeleve të gjuhëve të huaja, ndeshim gabime që dëmtojnë qartësinë, shprehësinë dhe titujt dalin jo të plotë, të pakuptimtë, madje edhe qesharakë.

Përmbledhje

Shkrimtari ynë më i njohur i ditëve tona, Ismail Kadare, ai që e ka ngritur shqipen letrare në një lartësi të panjohur më parë, thotë se njëra ndër gjuhët më të vjetra e më të mëdha të kontinentit është gjuha jonë, të cilën mendim vetëm sa e përligji këto ditë edhe njëra ndër gazetat më prestigjioze edhe në botë, gazeta amerikane New York Times, në të cilën, përveç tjerash, thuhet se “Gjuha shqipe renditet si një ndër tre gjuhet më të vjetra në botë e cila, … radhitet pas armenishtes e greqishtes,… prej nga rrjedhin shumë gjuhë të tjera”1) .

Mbështetur në këto dy mendime dhe në të dhëna e parime të tjera, të cilat nuk është rendi t’i përmendim në këtë kumtesë, do të ishte e arsyeshme dhe rrjedhimisht e natyrshme, për të mos thënë edhe e detyrueshme që shqipja të ketë një status tjetër, të jetë një gjuhë më e pastër, më e pasur, më e mbrojtur, më funksionale, si për nga qartësia e shprehësia, ashtu edhe për nga respektimi i normës dhe i ligjësive të saj, e që për fat sot nuk i ka në atë shkallë që ne do të dëshironim ti ketë. Arsyet janë të shumta. Jetojmë në një epokë me prirje të theksuara globalizuese, ku lëvizja dhe qarkullimi i ideve, i informacioneve, por edhe i njerëzve ka arritur majat; në një epokë ku kontaktet mes gjuhëve të ndryshme, veçanërisht me anglishten, e kthyer tashmë në një “gjuhë globale”2), që nuk janë parë kurrë më parë në një shkallë të tillë. Këtë gjendje, jo dhe aq të lakmueshme të shqipes së sotme, vetëm sa e ndihmojnë edhe faktorë të tjerë jashtëgjuhësorë: përdorimi i internetit, i telefonisë celulare, i televizionit satelitor etj., që sot janë kthyer në pushtues të rinj të botës. Megjithëkëtë, njëri nga faktorët më me ndikim që zë vendin e parë dhe kryesor mbetet, gjithsesi, shpërfillja e gjuhës nga vetë ne – përdoruesit e saj.

Le të përqendrohemi tani më në detaje te pushteti i katërt, mediet që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën e të menduarit të çdo individi të një shoqërie. Te kjo forcë që luan rolin e ndërmjetësuesit: medie – shoqëri dhe përçuesit të informacionit që ka një fuqi të jashtëzakonshme ndikimi në kultivimin, mirëmbajtjen dhe pasurimin e vlerave kulturore në përgjithësi dhe atyre gjuhësore në veçanti.

Komunikimi dhe shprehësia duhet të përbëjnë kriteret kryesore të përdorimit. Por a po ndodhë gjithherë kjo te ne dhe në të gjitha shtëpitë tona informative? Përgjigja më e saktë dhe më e drejtë do të ishte, jo. Po të ndalemi vetëm në vështrimin dhe në analizën e disa titujve të medieve tona, qoftë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni apo në ndonjë nga trevat tjera ku jetojnë shqiptarët, do të ndeshim përplot tituj të përçudnuar televizioni a gazete, tituj të pakuptimtë, pa mish e gjak të shqipes që nuk kanë aftësinë e shprehësisë së mirëfilltë, janë konfuz e të paqartë, ku mendimi i shprehur me ta del i mbrapshtë, duke mos u shpreh ajo që është menduar e synuar të thuhet.

Nuk dimë si të themi ndryshe kur titulli i një gazete a TV-je del në formën:
Ministri Ahmet Isufi merr pjesë në Forumin për Zvogëlimin e Varfërisë në Austri (titull – “Zëri”, Prishtinë, 29 tetor 2002, faqe 6)).

Nga titulli kuptohet se ministri Ahmet Isufi paska marrë pjesë në një forum ku do të bëhet fjalë për zvogëlimin e varfërisë në Austri (lexo: për zvogëlimin e varfërisë në Austri!), sikur Austrinë e paska kapluar varfëria, e ministri Isufi merr pjesë në atë forum ku shqyrtohet zvogëlimi i varfërisë në Austri. Sikur të ishte shkruar kështu edhe në gjermanishte, që ta kuptojnë ata, besojmë se austriakët (dhe jo vetëm ata) do t’i kishin kapur ethet e trishtimit, ngase realiteti për atë vend nuk përputhet fare me atë që është thënë. Austria nuk është në gjendje të tillë ekonomike-sociale çfarë është paraqitur në titullin e këtij shkrimi gazetaresk.

Këtu, për shkak të mosrespektimit të rendit të fjalëve dhe të mosrespektimit të pauzave (intonacionit), përkatësisht të shenjave të pikësimit, mendimi ka dalë i pasaktë, i pakuptueshëm ose i keqkuptueshëm, që krijon paqartësi dhe huti, po të mos ishte teksti në vijim.

Paqartësia mund të eliminohet e mesazhi të dalë i saktë dhe i drejtë, vetëm kur lexuesi lexon tekstin që pason, ku thuhet: “Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ahmet Isufi, ka udhëtuar të hënën për Austri, ku do të marrë pjesë në Forumin e Strategjisë për Zvogëlimin e Varfërisë në shtetet e Ballkanit, ka njoftuar të hënën zyra për informim e kësaj ministrie…”. Vetëm tashti, nga pjesa e tekstit, ku bëhet fjalë për këtë çështje, kuptohet se Forumi i Strategjisë për Zvogëlimin e Varfërisë është një asociacion, me seli në Austri, i cili merret me shqyrtimin e gjendjes ekonomike në shtetet e Ballkanit, ku ka marrë pjesë edhe ministri i PMS-së, Ahmet Isufi. Kuptimi më i drejtë i mesazhit qëndron, jo për shkak se teksti është më i gjatë se titulli, që është edhe normale, por për shkak të drejtpërdorimit të shenjave të pikësimit – të presjes dhe të renditjes së mirë të njësive gjuhësore në periudhë – sipas lidhjes së tyre kuptimore.

Këtë mishmash mendimesh e ndeshim edhe te shembulli tjetër:
Ekipet e specializuara për vrasje të UNMIK-ut dolën në vendin e ngjarjes (“Koha ditore”, Prishtinë, 30 nëntor 2002, faqe 13). Këtu vetvetiu shtrohen disa pyetje: Cilat janë ato ekipe të specializuara? Për vrasje të kujt? Janë ekipe të UNMIK-ut apo për vrasje të UNMIK-ut? etj.

Ne kujtojmë se me një kujdes më të madh e vramendje të atij që ka shkruar ose shkruan kështu, mendimi mund të dalë i drejtë, i saktë dhe i qartë, çfarë nuk e kemi te rasti që e kemi nënvizuar. Ndërtimi i titullit do të kishte mesazh të qëndrueshëm e të qartë në qoftë se do të ishte përdorur së paku në këtë mënyrë: “Ekipet e specializuar të UNMIK-ut, për vrasje, dolën në vendin e ngjarjes” e jo “Ekipet e specializuara për vrasje të UNMIK-ut…”. Ekipet e specializuara janë të UNMIK-ut e jo për vrasje të UNMIK-ut. Siç shihet vetëm ndërrimi i vendit të gjymtyrëve, me këtë rast, ndryshon në tërësi semantikën e titullit. Prandaj, kujdesi për respektimin e vendit dhe të rendit të fjalëve, si gjatë të folurit, ashtu edhe gjatë të shkruarit, jo vetëm që është i dëshirueshëm, por edhe i domosdoshëm. Duhet ditur dhe duhet pasur kujdes se cila gjymtyrë i referohet – përcakton gjymtyrën tjetër që mendimi i shprehur të dalë i drejtë.

Edhe te shembulli i tretë: “Forcat egjiptiane shkëmbejnë zjarr me klandestinë armësh palestinezë”, që ishte titull i një informacioni tjetër “Lajme shkurt” (“Koha ditore”, 9 korrik 2002, faqe 17), kemi paqartësi, interpretime të dyfishta dhe ngatërrim mendimesh. Përveç mundësisë të mospërdorimit të fjalës klandestinë, si fjalë e huaj, që është një formim nga angl. clan “grup njerëzish të lidhur nga interesa vetjake të njëjta” për një punë, që mesazhi të ketë kuptim, të jetë i qartë dhe të ketë sintaksë të shqipes do të duhej të përdorej në formën: “Forcat egjiptiane shkëmbejnë zjarr me klandestinë palestinezë të armatosur”.

Po të kishin qenë klandestinët tregtarë kuajsh, tregtarë qensh etj., sipas gjedhes që kemi nënvizuar nga “Koha ditore”, ku nuk është respektuar si duhet rendi dhe vendi i fjalëve në titull, do të kishim ndërtime, sa qesharake aq edhe ofenduese, si: klandestinë kuajsh (të kuajve) palestinezë; klandestinë qensh (të qenve) palestinezë etj., pra, sikur të ishte fjala për përcaktimin e përkatësisë së kuajve e të qenve e jo të klandestinëve (palestinezë, shqiptarë, italianë etj.) që bëjnë tregti me armë, me kuaj e me çka jo tjetër.

Diana Ros nget veturën e dehur, pastaj harron edhe gërmat e alfabetit (shkronjat e alfabetit – nënvizimi ynë) – është titulli i një informacioni tjetër që e sjellë “Bota sot”, 5.1.2002, faqe 26.

Nga kjo që është shkruar në titullin e kësaj gazete çdokush kupton këto sintagma: Diana Ros – nget veturën – veturën e dehur – në vend se të shkruhet e të kuptohet se: Daina Ros (këngëtare dhe aktore filmi – nënvizimi ynë) e dehur, nget veturën. Sepse këtu s’është fjala për veturë të dehur (ajo mund të jetë në gjendje të rregullt ose të parregullt, e këtij apo atij lloji…) por për vozitësen e automjetit, Diana Rosin, e cila ishte e dehur, ose jo. Periudha e fundit, në tekstin e përmendur të gazetës, vetëmsa e përligj vërejtjen dhe mendimin tonë, ngase aty më qartë e më saktë thuhet: “Ros ishte bllokuar në afërsi të Fenik (Phoenix) pak pas mesnatës, duke bërë zik-zake pa kuptim dhe duke mos ditur nga t’ia mbante për shkak të dehjes tej çdo mase”.

Në qoftë se njëra ose gazeta tjetër do të informonte, bie fjala, për një vajzë (fatkeqe) të cilën e ka kafshuar arusha e tërbuar, sipas modelit të titullit: Diana Ros nget veturën e dehur, do të kishim titullin tjetër “shumë interesant”: Arusha kafshoi vajzën e tërbuar (= Diana Ros nget veturën e dehur). Shembujt e tillë nuk ka se si të kuptohen ndryshe, përveçse: Diana paska ngarë një veturë të dehur! Arusha paska kafshuar një vajzë të tërbuar! e sa e sa konstrukte të tjera të ngjashme e të çoroditura që mund t’i kemi.

Shumë të pakapshëm dalin edhe titujt – konstruktet e tipit: “Nga një grup shqiptarësh u sulmua një autobus serb” (Ditari i RTK-së, e marte, 15 tetor 2002). Sipas këtij shembulli del se paska autobus shqiptar, autobus serb, autobus gjerman, autobus amerikan e sa e sa autobusë të tjerë. Kurse, në anën tjetër, edhe fëmija i djepit e di se autobusi është mjet për bartjen e udhëtarëve të ndryshëm, ku mund të ketë: nxënës, dasmorë, studentë, sportistë…, të cilët mund të jenë udhëtarë shqiptarë, serbë, gjermanë, amerikanë…, ndërkaq autobusi të jetë i prodhimit të kësaj apo asaj fabrike, i këtij apo atij vendi, i kësaj apo asaj marke etj. Po që autobusi t’i takojë kësaj apo asaj përkatësie kombëtare, siç do ta kuptonte, bie fjala, ndonjë i huaj, i cili shqipen nuk e ka gjuhë amtare ose edhe ne, duke u mbështetur në mesazhin e drejtpërdrejtë që paraqet një konstrukt i tillë fjalie me togfjalëshin “…një autobus serb”, kjo është e pakapshme. Por pa u lodhur shumë, vetëm me përdorimin e parafjalës me para emrit serb (që te shembulli i dhënë ka funksionin e cilësorit) do të qartësohej çdo dilemë dhe kuptimi i titullit do dilte i qartë dhe i drejtë. Pra, “…u sulmua një autobus me serbë” e jo “…u sulmua një autobus serb”.

Aspak më mirë nuk qëndron puna as te titulli tjetër, sa i palogjikshëm, aq edhe qesharak, të cilin e kemi ndeshur te “Zëri”, 29 tetor 2002, faqe 10, madje aq më keq, në titullin e informacionit: “Malaj: Po punojmë të thithim investitorët e huaj”, ku fjala thithim është përdorur pa kurrfarë kriteri as gjuhësor, as stilistik e as logjik. Shtrohet pyetja: kush mund t’i thithë investitorët? A janë investitorët ata që thithen? Si thithen ata?…

Se nuk është fjala këtu vetëm për një lajthitje rasti, por për një gabim të rëndë, të pamenduar mirë, dëshmon edhe teksti i informacionit, ku përdorimi i fjalës thith (për thithjen) vetëm sa e argumenton konstatimin tonë, ngase edhe në vazhdim të tekstit thuhet: “Një vëmendje e veçantë nga ana jonë i është kushtuar krijimit të një klime sa më të favorshme për thithjen e investitorëve të huaj, tha në këtë tubim…”

ARKATANA

Në rastin konkret, në frazë, ka mund të përdoret ndonjë shprehje tjetër, si: “Një vëmendje e veçantë nga ana jonë i është kushtuar krijimit të një klime sa më të favorshme për shfrytëzimin (për motivimin, për përvetësimin, për nxitjen…) e investitorëve të huaj…”, e jo “…për thithjen e investitorëve të huaj…” – siç e kemi në gazetë.

Fjala thith,~a, ~ur, në fjalorë të gjuhës shqipe, ka kuptimet e drejtpërdrejta: 1… thith qumështin (verën)…; thith cigaren (duhanin, tymin)…; 2. thith ujin me pompë…; 3. e thith ujin toka; thith ngrohtësinë (avujt, rrezet) etj., dhe ato figurative: 4. i thithi pasurinë (të ardhurat)…; 5. ta thith fjalën nga goja; i thithi mendimet (idetë)…; 6. e kishte thithur puna (studimi, muzika) etj.3), që sipas nesh edhe këto përdorime e shpjegime figurative nuk janë më se të qëlluara.

Andaj, mbështetur në të gjitha këto del se, te shembulli i titullit të cituar, që e kemi zënë në gojë këtu, fjalët “të thithim…” dhe “për thithjen…” nuk ka logjikë të përdoren, as me kuptimin e tyre të drejtpërdrejtë e as me kuptim të figurshëm, ngase as sipas kuptimit të parë e as sipas të dytit nuk ka se si të arsyetohet përdorimi i tyre: investitorët nuk thithen. Ata mund të nxiten, të shfrytëzohen, të motivohen, të përvetësohen…, siç u shprehëm më sipër, por assesi të thithen (ata shumica ose të gjithë mund të jenë të gjinisë mashkullore dhe të jenë vetëm investitorë).

Po a nuk janë përçudnime dhe përdorime steriotipe disa nga ndërtimet gjuhësore si këto te titujt e “Top news-it”, kur më 26 dhjetor 2008, çdokush që i ka përcjellë lajmet e asaj dite të këtij radiotelevizioni ka pasur rastin të lexojë dhe dëgjojë se “Protestuesit kërkuan në Kumanovë: Të lirohen të burgosurit padrejtësisht”. Do të thotë “Të lirohen padrejtësisht të burgosurit” (?!). Çfarë gabimi se: protestuesit në Kumanovë paskan kërkuar që “të lirohen të burgosurit – padrejtësisht”. Jo mor, ata nuk kërkuan këtë (lirim të padrejtë të të burgosurve), por diçka tjetër, që nuk përkon me atë që është shprehur në ekranet e TV-së, si në formën e shkruar, ashtu edhe në atë të folur. Është fjala këtu për kërkesën e protestuesve për lirimin e shqiptarëve të burgosur padrejtësisht – një kërkesë e drejtë e legjitime e protestuesve. Prandaj që të kuptohej drejt kërkesa e tyre, është dashur të thuhet: “Protestuesit kërkuan në Kumanovë: Të lirohen shqiptarët e burgosur padrejtësisht” e jo “të lirohen të burgosurit padrejtësisht”.

Po në informacionet e televizionit “Top news”, datë 3 shkurt 2009 (që në këtë televizion datat dalin të shkruara jo drejt (E martë 03 Shkurt 2009 (!!!) dhe të cituara më shumë se 24 orë, duke informuar për ngjarjet në vend, ndeshëm edhe këtë titull: “Qeveria do të likuidojë pronarët që preken nga ndërtimi i rrugës Durrës – Kukës”. A s’është për ta marrë malin pronarët e tillë nga frika e likuidimit të tyre nga qeveria e vendit të tyre. Pa dyshim se ky titull me këtë konstrukt mund edhe të frikësojë. Frikëson të gjithë ata njerëz – pronarë të cilët “preken nga ndërtimi i rrugës Durrës – Kukës” se do të likuidohen.

Fjala likuidim,-i, -e, -et (sipas foljes likuidoj) në fjalorët e gjuhës shqipe ka kuptimin e veprimit shlyej llogarinë në bankë, por edhe atë të zhdukjes, asgjësimit. Kallëzuesi likuidojë këtu nuk merr kundrinorin borxhin… por pronarët. Tek pas informacionit pasues ata mund të qetësohen e të marrin frymë lirshëm, se nuk është fjala për likuidimin e tyre, por për kompensimin e tyre nga qeveria për pronat “e prekura”, për tokat që u merren për ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës, ngase fjalia tjetër ka mesazh të qartë e të drejtë: “Qeveria vendos 257 mil Lekë për të shpronësuarit nga ndërtimi i rrugës Durrës – Kukës”, sado që edhe këtu ka lëshime gjuhësore të cilat, një medie çfarë është e mëton të jetë “Top news-i”, nuk duhet t’i bëjë, mesazhi është më i qartë dhe i kapshëm për të gjithë teleshikuesit. Nuk lë dilema se për çka bëhet fjalë.

Se topika e fjalëve në tituj e fjali ka rëndësinë e saj, flet mjaft edhe një titull tjetër, i përsëritur sa e sa herë me shkrim e me gojë në ekranet e “Top news-it”, në mëngjesin e datës 14 shkurt 2009. Ja shembulli: “Shefer: Emri është problem për anëtarësimin në aleancë të Maqedonisë”. Sa habi, Maqedonia paska aleancë te veten! Më drejt e më kuptueshëm do të kishte qenë sikur të ishte shkruar e thënë: “Shefer: Emri është problem për anëtarësimin e Maqedonisë në aleancë”. Siç dihet, është fjala këtu për përpjekjet e Maqedonisë për anëtarësim në strukturat e ndryshme evropiane e botërore, por për shkak të emrit të kontestuar, sidomos nga fqinji i saj jugor – Greqia, ajo ka telashe për sendërtimin e këtij qëllimi. Nga shembulli i cituar në “Top news” del se “Emri është problem për anëtarësim në aleancë të Maqedonisë”, sikur Maqedonia na paska aleancë të veten – në aleancë të Maqedonisë, në vend të “për anëtarësim të Maqedonisë në aleancë”.

“Top news”, më 30 dhjetor 2008, tërë ditën në ekranet e tij paraqet: “Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Shqipërisë njofton se 2008-ta ishte viti më i vështirë i furnizimit me barna të spitaleve”. Edhe këtu kemi vendosje jo të drejtë të njësive gjuhësore për të informuar drejt. Barnat janë për spitale, për të sëmurët, me të cilat furnizohen këto institucione shëndetësore. Andaj më drejt, më kapshëm do të tingëllonte titulli sikur të ishte shkruar, me një topikë paksa më ndryshe të gjymtyrëve të fjalisë: “Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Shqipërisë njofton se 2008-ta ishte viti më i vështirë i furnizimit të spitaleve me barna”, që do të kuptohej se spitalet ishin furnizuar me vështirësi me barna gjatë vitit 2008, për ç’gjë edhe jepej ky informacion.

Në të përditshmen tonë “Gazeta Shqip”, të datës 16 Gusht 2014, ku ndesh normës drejt-shkrimore, përveç fjalëve Shqip dhe Gusht, të filluara me shkronja të mëdha, gjejmë edhe një titull që krijon huti, për kinse homoseksualët shqiptarë në Sarajevë (!) E vërteta është ndryshe, por në titullin e kësaj gazeta “Një film për homoseksualët shqiptarë në Sarajevë” – ajo thuhet dhe, lexuesi do ta kuptojë ashtu. Pasi të lexohet teksti në gazetë për hapjen e “festivalit XX të Filmit në Sarajevë (15-23 gusht 2014)”, do të kuptohet se në filmin “SkaNdal”, me regji të Elton Baxhakut dhe Eriona Camit, dokumentari rrëfen për lëvizjen homoseksuale në Shqipëri – një histori e “djemve dhe e vajzave që duhet të dilnin mbi tabutë e shoqërisë për të pranuar hapur homoseksualitetin e tyre” në atë vend e nuk bëhet fjalë për homoseksualë shqiptarë në Sarajevë.

Po a ka semantikë më të mirë edhe titulli tjetër, po i kësaj gazete, datë 21.08.2014, kur thuhet: Lah Brahimaj, me traktor 60 mijë euro . Na duket si shumë i lirë ky “çmim” – Lahu me gjithë traktor të kushtojë 60 mijë euro, apo Lahu të ngas traktorin e 60 mijë eurove. I paqartë del, cilido variant që të merret.

Në këtë shkrim mund të vazhdojmë të citojmë raste të tilla pa fund, të hetuara gjithandej nëpër gazeta e emisione televizive, që nuk flasin në të mirë të përdorimit të gjuhës shqipe. Shembuj të një natyre të tillë, janë:
– Punëtorët tanë u kthyen nga bota e jashtme. – në vend të: Punëtorët tanë u kthyen nga shtetet e jashtme (nga vendet e jashtme, nga vendet e huaja), ose edhe nga bota. Botë të jashtme dhe botë të brendshme nuk ka, përveçse kur të merret nga aspekti metaforik – bota e brendshme, bota subjektive e një shkrimtari etj.
– Dështoi grushti i shtetit – për: Dështoi grushtshteti. Grushti i shtetit dhe grushtshteti nuk janë një.
– Mjetet e shfrytëzuara u ndahen punëtorëve (që janë shfrytëzuar!) – Mjetet e shfrytëzueshme u ndahen punëtorëve (që mund të shfrytëzohen).
– Kryetari Moisiu priti ambasadorët e Greqisë dhe të Italisë (sikur priti të gjithë ambasadorët e këtyre dy vendeve) – për: Kryetari Mosiu priti ambasadorin e Greqisë dhe atë të Italisë.
– Macja lindi 4-5 macja të vogla – për: Macja polli 4-5 kotele.
– Papunësia vazhdon rritjen – për: Papunësia vijon të shtohet.
– Gjilani mbeti pa miell e bukë – për: Gjilani mbeti pa miell e pa bukë.
– Femrat që duan të mësojnë makinë – për: Femrat që duan të qepin me makinë.
– Shqipëria rrezikon Europën; I sëmuri rrezikon vdekjen (si u rrezikuaka Europa prej Shqipërisë; vdekja prej të sëmurit?) 4). Ose:
– Godet viktimën që po e ndiqte tri herë me thikë duke i shkaktuar vdekjen – Godet tri herë me thikë viktimën që po e ndiqte…
– Ekzekutohet në mes të ditës 65-vjeçari me automatik (titull gazete “Bota Sot”, 01.06.2014) – në vend të: Ekzekutohet me automatik në mes të ditës 65-vjeçari; 65-vjeçari ekzekutohet me automatik në mes të ditës etj.
* Mbi 300 të rinj janë anëtarësuar pranë PS (TV TOP NEWS, 10 mars 2012) – në vend të: Mbi 300 të rinj janë anëtarësuar në PS.
* Të shkatërrohet kisha ortodokse në Universitet (titull po te “Bota sot”, 03.02.2013) – për:
Të shkatërrohet kisha ortodokse e ndërtuar në kompleksin universitar .
* Visar Zhiti mbi ish të përndjekurit politikë (titull , “Bota Sot”, 24.02.2013) – do të duhej: Visar Zhiti për ish të përndjekurit politikë. * Ikin tri herë dritat gjatë shfaqjes në Teatrin Kombëtar – për: Shuhen (ndalen) tri herë dritat gjatë shfaqjes në Tetartin Kombëtar 5).
* U mbajt një ceremoni përkujtimore në bustin e komandantit legjendar Adem Jashari (titull, “Bota sot”, 5 Mars 2013”) – në vend të: U mbajt një ceremoni përkujtimore pranë ose te busti i komandantit legjendar Adem Jashari.
* Martanesh: Të afërmit e 21 vjeçarit bëjnë thirrej për transportimin me helikopterin e tij (TV NEWS, Lajmi i fundit, E Premte, 3 shkurt 2012) – për: Të afërmit e 21 vjeçarit bëjnë thirrej për transportimin e tij me helikopter.
* Demaçi, nuk ngopet me urrejtjen e Rugovës ( “Zëri”, 8.12.2013) – për: Demaçi nuk ngopet me urrejtje ndaj (kundër) Rugovës.
* Ushqimet më të mira për dhimbjen e kokës (“Kosova sot”, 3 mars 2014) – në vend të Ushqimet më të mira kundër dhimbjes së kokës .
* Protestë kundër heshtjes së institucioneve ndaj sulmeve të familjes Zeqiri (“Bota Sot” , 16.05.2014) – për: Protestë kundër heshtjes së institucioneve për sulmet ndaj familjes Zeqiri.

Ky mishmash ndodhë, sa nga mungesa e njohurive të sistemit gjuhësor morfo-sintakso-semantik të atyre që i përgatisin gazetat dhe emisionet e tilla, po aq edhe nga pakujdesia e tyre ndaj fjalës së folur apo të shkruar. Cilido qoftë shkaku për këtë, ai është i pafalshëm, sepse me të dalë në gazetë titujt e tillë ose mendimet e tilla, të thëna në radiotelevizion, nuk janë më vetëm pronë individi apo grup njerëzish, por pronë e masës, me strukturë heterogjene, si për nga shkalla e shkollimit, e profesioneve të ndryshme, po edhe për nga përkatësia etno-kulturore.

Prandaj, çdo fjalë, titull apo fjali e shprehur publikisht, duhet të mendohet e të peshohet mirë e mirë. Të mos “servohet” pa “u përtypur” sa e si duhet.

Kishim dashur që konstatimet e përhershme në takimet tona shkencore, ashtu sikurse edhe në këtë takim të radhës, për gjendjen jo të mirë të përdorimit të shqipes në përditshmërinë tonë dhe porositë e vazhdueshme të cilat po i shpërfaqim sa e sa herë në tubime të këtilla, të mos bien në vesh të shurdhër të atyre që mund dhe duhet të bëjnë një punë më të mirë për gjuhën tonë, që këto porosi të mos i ngjajnë shiritit të dëmtuar të magnetofonit. “Gjuha jonë sa e mirë! Sa e ëmbël, sa e gjerë!” , nuk e meriton këtë shpërfillje e degradim, sidomos sot, kur kemi dy akademi, dy institute të gjuhësisë, mbi 100 universitete e kolegje universitare – shtetërore e private, kur kemi të botuara “revista që këshillojnë e mbrojnë normën letrare, si “Gjuha jonë” në Tiranë dhe “Gjuha shqipe” në Prishtinë, përmbledhje e libra të botuar me vërejtje kritike për gjuhën e shtypit e të medieve, “Fjalor për pastërtinë e gjuhës shqipe” (Tiranë, 1998); “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” i rivështruar e i përditësuar (Toena, 2002) 6) etj.

Përmbyllje

I vumë në spikamë këta tituj të palogjikshëm e me gabime gjuhësore, të ndeshur gjithandej në mediet tona, jo për të kritikuar këtë apo atë gazetë, këtë apo atë revistë, këtë apo atë shtëpi radiotelevizive, ngase kultura gjuhësore edhe e këtyre medieve dhe e njerëzve në këto institucione është pjesë përbërëse e nivelit të kulturës së përgjithshme gjuhësore të popullatës së këtij nënqielli.

Por e thamë këtë, me qëllim që, si një ndër faktorët me shumë rëndësi e ndikimin që kanë, sidomos masmediat në kultivimin e kulturës sonë gjuhësore, si te nxënësit e shkollave fillore e të mesme, te studentët e shkollave të larta e të fakulteteve, ashtu edhe te masa e gjerë popullore, të ndihmojnë sa më shumë për ngritjen e shkallës së saj, pra, të kulturës gjuhësore, si në formën e folur ashtu edhe në atë të shkruar. Ajo është dhe duhet të jetë vlerë e përbashkët kombëtare – ndaj së cilës duhet të kemi një kujdes e përgjegjësi po të përbashkët. Vetëm kështu do të krijohen kushtet për një komunikim të lirshëm e efikas, kur mendimi, qoftë në planin e shprehjes, qoftë në planin e përmbajtjes, është adekuat me qëllimin që synohet të realizohet. E kjo mund të arrihet në qoftë se të gjithë ne: në biseda – qofshin ato edhe të rëndomta, në shkolla, në fakultete, në administratë, në radio e emisionet televizive – në veçanti, në redaksitë e gazetave e të revistave, në botimet letrare e shkencore etj., i respektojmë rregullat gjuhësore (morfo-sintaksore e semantike) të shqipes, kërkesat e tipologjisë së gjuhës sonë dhe ligjësitë e saj. .

R e f e r e n c a t

1. Gazeta “Tema”, Shqipja në mesin e tri gjuhëve më të vjetra të botës, Tiranë, 24 gusht 2014.
2. Se ç’pushtet ka fituar globalizimi në këtë kohë dhe ç’hapësirë ka pushtuar, po përmendim vetëm pak shembuj. Sipas rezultateve të projektit Web Characterization (Web karakterizejshen) të OCLC-së 4, të realizuar në vitin 2002, deri 72% e përmbajtjeve tekstore në sajte janë në gjuhën angleze, 7% në gjuhën gjermane, 6% në gjuhën japoneze, 3% në spanjishte e 3% në frëngjishte dhe 9% në të gjitha gjuhët e tjera të globit. Edhe pse përdorues të internetit anglishtfolës janë 36.5%, sipas statistikave që nxjerr po ky projekt, anglishtja mbizotëron me 72% në gjuhën e internetit (Shih: Dr. Bahtijar Kryeziu, Shqipja e sotme – këndvështrim teoriko-praktik, ShB “Libri shkollor”, Prishtinë, 2011, faqe 77).
3. Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Prishtinë, 1981, faqe 2067.
4. Mehmet Elezi, Kumtesë e mbajtur në konferencën “Gjuha shqipe në diasporë – quo vadis/ ku po shkon?”, organizuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Zurichut me pjesëmarrjen e akademikëve dhe studiuesve të gjuhës shqipe (07 qershor 2013). 5. Burimi: http://www.panorama.com.al/category/kulture
6. Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës shqipe, Tiranë, 2003, faqe 9.

Kumtesë e paraqitur në Seminarin VIII Ndërkombëtar
të Albanologjisë, Tetovë, 25-26 shtator 2014