Fundamenti

Gjilanit po i mungon një Strategji Zhvillimore Infrastrukturore e Sportit

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Në vazhdën e vlerave të ngatërruara ashtu sikur edhe në të gjitha fushat tjera të jetës institucionale, gjithsesi edhe në sport, komunës sonë i mungon një Strategji Zhvillimore Infrastrukturore e Sportit për të Ardhmen si një bazë dhe udhërrëfyes për strategjinë e një Gjilani të Ri dhe me një vizion të një qyteti modern i ndërtuar mbi një infrastrukturë të planifikuar dhe urbane.

Kështu është shprehur të premten në një konferencë shtypi me medie, Nehat OSMANI, kryetar i NËNKOMITETI PËR SPORT i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Ai më pas ka shtuar se :”Mania e skajshme për të qenë UNIKAL apo e përshkruar mbi një kult të veçantë si INOVUES do duhej të sillte kultura dhe përvoja pozitive që do afronin qytetarin dhe komunitetin tonë me pjesën tjetër afirmative të botës së civilizuar.

Në këtë mënyrë në fakt do përmirësohej vetë qytetari dhe jeta e tij si dhe do rritej vlera e komunitetit dhe mirëqenia e tij por gjithashtu do rritej komunikimi ku jetojmë që njëkohësisht do manifestohej me shtimin e besimit ndaj organeve institucionale.

Por duke qenë unikal në antivlera dhe në ide kontraverze komuna jonë ka krijuar një boshllëk dhe hendek të pakthyeshëm sidomos me pjesën më vitale të popullsisë – Rininë të përfaqësuar përmes sportit dhe sportistëve të saj.

Dëshira e madhe për të qenë e dalluar ka bërë që komuna jonë e vetmja të shuaj dhe të mos ketë Drejtori për Rini, Sport e Kulturë.

Dëshira e madhe për t’u dalluar ka bërë që edhe në këtë fundvit të mos zhvillohet ceremonia e zgjedhjes së sportistëve, klubeve dhe punëtorëve sportiv të vitit si një vlerë prestigji dhe një shtysë afirmative drejt lavdisë e sukseseve edhe më të mëdha. Çdo përpjekje për të improvizuar ndonjë datë tjetër është degraduese, është konfuze në referencë me periudhat kohore dhe nuk përkon me qëllimin dhe arsyeshmërinë finale.

Dhe nuk zhvillohet ky eveniment, sepse mungon Projekt rregullorja për zgjedhjen e sportistit të vitit në Komunën e Gjilanit.

Natyrisht që në mungesë të Drejtorisë për Rini, Sport, Kulturë dhe kuadrove profesionale dhe kompetitive brenda saj nuk do hasim në asnjë iniciativë zhvillimore apo analitike për të ardhmen e sportit në komunën tonë.

Në këtë kontekst edhe premtimet investuese në renovimin e stadiumit të qytetit me një shumë të konsideruar prej 598.000 € nga ministria RKS vë në dyshim arsyeshmërinë e derdhjes së mjeteve kaq të mëdha financiare për një objekt që tanimë është jashtë funksional për shkak të infrastrukturës rrethuese ngulfatëse e lëre më pas 5 apo 10 viteve e më shumë kur do jetë e pamundur qasja fizike dhe logjistike e një numri kaq të madh të tifozëve të dy klubeve tona me renome.

Një strategji vizionare e zhvillimit të qytetit me një stadium të ri në pjesët periferike të qytetit me një infrastrukturë paraprake rrugore të qasjes së gjithanshme do hapte perspektiva zhvillimore jo vetëm të sportit por edhe të qytetit në përgjithësi si dhe do ngriste kapacitete biznesore të qytetarëve të saj. Do ishte UNIKALITET aq i dëshiruar i qeverisë komunale me të cilin do mbahej mend gjatë. Do kishte koston e saj por do ia
vlente ashtu sikur do ia vlen ndërtimi i hallës sportive në Zhegër që do ketë një rëndësi jetike për zhvillimin e jetës kulturore dhe sportive për qytetarët e asaj treve.

Mobi Casa

Por nuk ka tema as të sotmes rreth infrastrukturës sportive dhe nuk ka raporte për gjendjen e fushave sportive në Komunën e Gjilanit sikundër nuk kemi Raport për zbatimin e Rregullores për shfrytëzimin e palestrës së sporteve në Gjilan.

Megjithë zotimeve paraprake, nuk janë ofruar Raporte për gjendjen financiare të klubeve sportive në Komunën e Gjilanit, e sidomos për mjetet e alokuara nga buxheti i komunës si dhe mënyra e shfrytëzimit të tyre edhe përkundër premtimeve se një gjë e tillë do përcillet me përpikëri.

Gjithashtu nuk kemi tema për masovizimin e të rinjve në disiplina të ndryshme sportive e sidomos nuk ka qasje konstruktive ndaj sportit shkollor si bazë prominente e zhvillimit të sportit kualitativ kulminant.

Mbetemi me shpresë se sportistët në të ardhmen do të kenë një trajtim më dinjitoz nga organet komunale si dhe me qasjen më serioze në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore do mundësojnë arritjen e rezultateve edhe më të mëdha të sportistëve dhe klubeve sportive..

Të instalohet nxehja në palestër

Ka 37 vite prej se ekziston palestra e sportive në Gjilan dhe shumë pushtete janë ndërruar nga kjo kohë,por që asnjë deri më tani nuk ka ndërmarrë diç për të rregulluar sistemin e ngrohjes në këtë sallë, gjë që e bën shumë të vështirë mbarëvajtjen e stërvitjeve si kundër edhe ndeshjet e cilës disiplinë sportive.

Nuk mund asnjë pushtet, e aq më pake dhe ky të justifikohen se nuk ka mjete buxhetore për të investuar në sistemin e ngrohjes. Këtu thjeshtë në radhë të parë mungon vullneti dhe pastaj mos vizioni për këtë sferë të jetës shoqërore.

Shumica e klubeve për shkak të mungesës ngrohjes janë të detyruar që t`i ndërprejnë stërvitjet për një kohë të caktuar,me shpresë se ndoshta në ditët në vijim moti do të jetë më i mirë. Natyra e sporteve të brendshme është më shumë e fokusuar gjatë stinës së dimrit, derisa ne kemi telashe për shkak të nxehjes të shtyjmë edhe kalendarin sportiv.

Madje shumë klube kanë edhe shkollat tyre për të rinj, mirëpo në këso rrethana edhe ata janë të detyruar që gjatë motit të ftoftë t`i pezullojnë të gjitha aktivitete e tyre.

Nuk ka më pothuajse palestër në Kosovë që është pa sistem të ngrohjes, prandaj ne apelojmë dhe kërkojmë me ngulm nga ky pushtet që në një të ardhme të afërt të fillojë seriozisht për të instaluar sistemin e ngrohjes, sepse po ua vështirësojnë punë të gjitha klubeve që këtë sallë e kanë në shfrytëzim./rajonipress/