Gjilani me orë të tëra pa energji, KOSTT me sqarime skandaloze
Gjilan – KOSTT asnjë përpjekje nuk e ka bërë që Gjilanit të mos mbetet pa energji elektrike. Këto sabotime të tyre duhet të hetohen nga Prokurorie dhe krimet ekonomike. Qytetarët gjilanas dhe shumë mërgimtar tashmë e kanë braktisur Gjilanin, për të kaluar natën e fundvitit në ndonjë vend tjetër.
Është e pa tolerueshme që një avari të ndikojë aq negativisht tek qytetarët gjilanas. As natën e fundit të këtij viti gjilanasit nuk mund ta kalojnë pa traumat e KOSTT dhe KEDS-it.
Po japim të plotë sqarimin e KOSTT për komunat Gjilan e Ferizaj, sqarime këto krejt skandaloze:
Sqarim lidhur me situatën energjetike me furnizim në Komunën e Ferizajt dhe Gjilanit
Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, e në veçanti në disa zona ku aktualisht ka pasur reduktime si Komunat e Ferizajt dhe Gjilanit. Kapaciteti i kufizuar bartës i rrjetit të transmisionit dhe distribucionit ka ndikuar që në disa komuna të jetë e domosdoshme ndërhyrja për reduktimin e ngarkesës, si nga ana Operatorit të Sistemit Transmetues – KOSTT dhe Operatorin e Shpërndarjes-KEDS. Këto masa siç dihet janë ndërmarrë për të siguruar stabilitetin dhe integritetin e rrjetit energjetik, një aspekt kyç për garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të sistemit.
Nënstacioni dhe linja në Ferizaj 3
Ndërtimi i Nënstacionit ka filluar në vitin 2021 dhe është përfunduar në vitin2023. Si pjesë përbërëse e këtij nënstacioni është edhe ndërtimi i linjës në gjatësi 3 km për kyçje të nënstacionit të ri. Ndërsa punimet për ndërtimin e linjës ajrore kanë filluar menjëherë në kuadër të planit të punëve, KOSTT është përballur dhe sfiduar nga padi gjyqësore nga pronarë të parcelave ku kalon traseja e linjës. Këto padi janë parashtruar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, dhe rrjedhimisht, gjykata ka vendosur masë të përkohshme të sigurisë që ka kërkuar ndalimin e punimeve në linjë. Ky vendim është apeluar nga KOSTT në Gjykatë të Apelit dhe Gjykata e Apelit ka nxjerrë vendim, ndërsa ky vendimi është prezantuar dhe dërguar në KOSTT-it me vonesë të konsiderueshme (rreth nëntë muaj), gjë që ka shkaktuar vonesa në ri-fillim të punimeve. Menjëherë pas pranimit të vendimit, përkundër motit të ftoftë që ka mbizotëruar, KOSTT pa rreshtur edhe gjatë orëve të vona ka vazhduar me intensitet të lartë e të shtuar për përfundimin e linjës që do të mundësojë energjizimin e NS Ferizaj 3. Kjo linjë është në fazën përfundimtare të punëve dhe pritet shumë shpejtë të përfundohet.
Nënstacioni Gjilan 5
Nënstacioni Gjilan 5 nga i cili furnizohen një numër i konsiderueshëm i konsumatorëve ka përjetuar një avari me datë 27.12.2024 si rezultat i ngarkesës së lartë. Ekipet e KOSTT menjëherë kanë intervenuar, mirëpo, me qëllim të mos rrezikimit të funksionalitetit të Trafos pas avarisë, e njëjta nuk ka mundur të ngarkohet në kapacitetin e plotë të saj prej 31.5MVA, mirëpo me udhëzime teknike nga specialist e profesionist të fushës, është duke operuar me kapacitet të kufizuar prej 20 MË, gjë që ka krijuar nevojën të ketë reduktime të pjesshme edhe nga ana e KEDS. Për të ruajtur integritetin e sistemit dhe siguruar balancimin e Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës dhe atë Evropian, Operatorët e Sistemit të Transmetimit (OST-të) janë të obliguara që të ndërmarrin të gjitha veprimet për të ruajtur asetet e transmisionit duke mos rrezikuar operimin e tyre në limit të kapacitetit të tyre transmetues.
Linjë e Përkohshme Telefonike e Stabilitetit Energjetik
Për të siguruar menaxhimin e pa ndërprerë të sistemit energjetik gjatë situatave të krizës KOSTT është në gatishmëri të plotë për të ju përgjigjur çdo kërkese për informata të qytetarëve. Për këtë qëllim KOSTT ka vendosur në dispozicion linjën telefonike 038/501 301 225 ku të gjithë të interesuarit mund të kontaktojnë në çfarëdo kohe (24 orë) dhe të informohen detajisht rreth reduktimeve që mund të ndodhin si rezultat i rrjetit të transmisionit. Ky numër kontakti do të jetë në dispozicion deri me datë 10.01.2025, dhe sipas nevojës disponueshmëria e kësaj linje telefonike mund të zgjatet edhe më tutje.
Thirrje për Kursim të Energjisë Elektrike
KOSTT shpreh mirënjohje dhe falënderon të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për mbështetje dhe bashkëpunim gjatë gjithë kësaj kohe. Shfrytëzojmë rastin dhe ju bëjmë thirrje publike të gjithë qytetarëve, institucioneve, dhe të gjithë konsumatorëve të energjisë elektrike, të shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale duke kursyer aty ku është e mundur. Të vazhdojmë së bashku përpjekjet për kontribuar në një sistem më të qëndrueshëm për vendin tonë. Njëkohësisht, kërkojmë mobilizim të të gjitha palëve të licencuara në tregun e energjisë për të ndërmarrë masa në përputhje me përgjegjësitë e tyre për tejkalimin e situatës.