UBT

Gjilani Bombastik

/ 5 minuta lexim

Nga Betim A. Osmani – Gjilani gjendet në pjesën juglindore të Republikës së Kosovës, respektivisht në Anamoravë. Ka pozitë gjeostrategjike që i mundëson lidhje të mira me qytetet tjera të Kosovës por edhe të rajonit.

Territori i komunës së Vitisë, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut, Kllokotit dhe Parteshit përfshihen në rajonin e Gjilanit. Gjilani është ndër komunat e mëdha të Kosovës. Spitali Rajonal është me bazë në Gjilan. Komuna e Gjilanit përbëhet prej trembëdhjetë drejtorive që janë të shpërndara në disa objekte të ndryshme nëpër qytet dhe për arsyeje të efikasitetit është i nevojshëm ndërtimi i objektit të ri komunal. Gjilani ofron tri lokacione për gjueti, “Karadaku”, “Zhegoci” dhe “Maja e Gjelbër”.

Aktivitetet artistike dhe kulturore gjallërojnë qytetin. Në Gjilan zhvillojnë aktivitete sportive klube të shumta, njëkohësisht njihet si “qytet i sportit dhe i sportdashësve”. Gjilani është qyteti i Idriz Seferit, Mulla Idriz Gjilanit, Ramiz Cernicës, Agim Ramadanit dhe shumë luftëtarëve të tjerë dhe veprimtarëve te lëvizjes ilegale nga Anamorava.

Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve është i vendosur në një lokacion madhështor, në Kodrën e Dëshmorëve, që ofron një pamje të mrekullueshme të qytetit. Regjistrimi i fundit i popullsisë Gjilanin e nxori me mbi 90,000 banorë që për mua nuk është real sepse nuk përfshinë gjilanasit e diasporës.

Përkundër anashkalimit nga Qeveria e Kosovës në investime kapitale gjatë dekadës së fundit si dhe prolongimit të vazhdueshëm në finalizimin e projekteve të filluara vite më parë, rajoni në përgjithësi dhe qyteti i Gjilanit në veçanti kanë arritur që të mbijetojnë dhe të përparojnë në disa aspekte duke ju falënderuar donatorëve të ndryshëm ndërkombëtar. Ndryshimet pozitive dhe të prekshme për qytetarët vijnë nga përkrahja e popullit Amerikan, pra USAID-i, Qeveria Zvicerane, Danida e Danimarkës, Caritasi i Luxemburgut, Qeveria Italiane, dhe të tjera shtete/organizata që kanë përkrahur institucionet lokale në realizimin e projekteve që janë të rëndësishme për qytetarët.

Por, patjetër që duhet potencuar edhe kontributin e jashtëzakonshëm të mërgatës, bizneseve lokale dhe të huaja për kontributin e tyre dhënë zhvillimit dhe deri diku zbutjes së papunësisë. Solidariteti dhe humanizmi i mërgimtarëve nga Anamorava është i njohur dhe nuk guxon të harrohet.

Uji Dea

Me 15 qershor 2013, Gjilani festoi ditën e çlirimit të sajë. Pra, 14 vite pas çlirimit dhe kur të analizohet progresi i të arriturave, në total, nga këndvështrimi i një qytetari, mund të thuhet se përparësitë dhe potencialet e komunës dhe rajonit janë trajtuar me një ngadalësi të paparë. Për arsye nga më të ndryshmet, përgjatë gjithë këtyre viteve nuk është punuar mjaftueshëm. Nuk është bërë sa duhet për themelimin e muzeut; për lidhjet me autostrada që mundësojnë lidhje nacionale dhe ndërkombëtare; për shfrytëzimin e pasurive nëntokësore për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik; për ndërtimin e rrjetit hekurudhorë për transportin e pasagjerëve dhe mallrave; për ndërtimin e një aeroporti që do ti shërbente të gjitha komunave të rajonit-lindje si dhe Preshevës, Bujanocit e Kumanovës; për promovimin e turizmit dhe shumë mangësi tjera.

Dua të theksoj se gjërat që i bëjnë qytetarët të lumtur nuk janë shumë të kushtueshme, por siç po shihet janë politikisht vështir të realizohen. Një shembull konkret, për 14 vite ka pasur mundësi që trotuaret dhe ndriçimi publik të ishte shtrirë në çdo pëllëmbë të Gjilanit, etj. Një projekt ambicioz që mund të jetësohet përmes partneritetit publiko-privat është penda e Livoqit të Epërm përgjatë rrugës magjistrale Gjilan-Prishtinë.

Ky vend do të mund të transformohet në zonë relaksimi dhe rekreacioni – duhet investime në ndriçimin e kësaj zone, ndërtimin e shtegut për këmbësorë dhe korsisë moderne për biçiklistë përgjatë dy anëve të pendës dhe ndoshta një kopsht zoologjik ose aqua park.

Gjilani si qendër rajonale me mërgatë të fuqishme; si qytet universitarë (më në fund); qytet i urbanizuar; me kushte të mira për bujqësi dhe blegtori; me rini të edukuar e shkolluar; me pasuri nëntokësore; me pozitë gjeostrategjike; me potencial për zhvillimin e turizmit natyror, malor, kulturor dhe familjar, etj. ka nevojë të bashkërendoj veprimet mes gjitha komunave të rajonit dhe të bëjnë trysni në qeveri për zgjidhjen e problemeve që e rrethojnë – nga rishikimi i decentralizimit; rrjetin rrugorë-autostradat, vijat hekurudhore; shfrytëzimin e pasurive nëntokësore, zonat ekonomike me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Kështu më tha një i moshuar para disa ditëve: “Çdo ditë, po bëhet mirë e më mirë”. Edhe unë po pajtohem pjesërisht që ditë e më mirë, por jo në hapë me kohën.