Fundamenti

Gjermania nuk do ta lë Kosovën në këtë gjendje të rëndë

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Kosova në shtatë vjet ka bërë shumë përparime, por u desh që të vijë viti i shtatë “i brishtë” pavarësisë së saj që ajo të ballafaqohet me realitetin e ashpër të saj.

Kështu thuhet në fjalimin e përfaqësuesit të Kancelares Merkel mbajtur në pritjen e organizuar nga Ambasada e Kosovës në Berlin me rastin e 17 shkurtit, zotit Ernst Reichel.

Në fjalimin që ka siguruar RTK-ja mes tjerash thuhet se Kosova në këtë “vit të brishtë” përjetoi dhunën e ashpër në demonstratat e fundjanarit. “Kjo ishte vetëm një uverturë, e cila duhet t’i bënte të gjithë në Kosovë t’i vinin gishtin kokës dhe të mendonin për ato që po ndodhin. Jo vetëm për shkak të dhunës, ku për pasojë u lënduan shumë vetë dhe u shkatërruan shumë prona, por edhe për shkak të asaj, se haptas u bënë përpjekje, që përmes dhunës të destabilizohej vendi dhe që Qeveria e ndërtuar në rrugë legjitime dhe përmes zgjedhjeve, të vihej nën presion” thuhet tutje ndërsa shtohet se “të gjithë ata që qëndruan parapa kësaj dhune, por edhe të gjithë ata që nuk u distancuan nga kjo dhunë, duhet të mendojnë për një gjë: Që parimi qendror i demokracisë është që një minoritet politik, nuk mund t’i imponojë vullnetin shumicës politike përmes dhunës. Kosova thuhet në fjalimin e z. Reichel, gjithashtu po përjeton largimin masiv të qytetarëve të saj drejt vendeve të BE-së.

“Një gjë duhet të jetë e qartë dhe ta dinë të gjithë në Kosovë: Kushdo që merr rrugën ilegale për Gjermani, apo cilin do vend të BE-së, shumë shpejtë do të kthehet në Kosovë aty ku e ka filluar udhëtimin. Le ta dinë të gjithë këta njerëz, se kur pas disa javësh do të jenë kthyer (të gjithë do të kthehen) nga Evropa në vendlindjen e tyre, aty ku kanë shitur shtëpitë dhe gjithçka që kanë pasur, se do shndërrohen vetë në raste sociale dhe në nevojtarë për ndihma” .Sidoqoftë, thuhet aty Qeveria gjermane nuk do ta lë Kosovën vetëm në këtë gjendje të rëndë. Ne jemi duke menduar tani se si me masa konkrete, më shumë se deri më tani, të ndihmojë dhe kontribuojmë që njerëzve në Kosovë tu kthehen shpresat përsëri dhe të ndihmojmë për zhvillime pozitive. Të mërkurën, do të jem në Prishtinë për të diskutuar me drejtuesit e institucioneve atje lidhur me këto çështje.

Ja fjalimi i plotë i zotit Ernst Reichel mbajtur në emër të Qeverisë gjermane me rastin e shtatë vjetorit të pavarësisë së Kosovës në pritjen e organizuar nga ambasada e RK-së në Berlin:

Zonja dhe zotërinj,
Kosova ka arritur shumë në shtatë vjetët e pavarësisë së saj. Ndërtimi i strukturave shtetërore ka përparuar, ndërsa numri i njohjeve ka tejkaluar kufirin magjik prej më shumë se 100 shtetesh, ndërsa shifra po rritet në mënyrë kontinuele. Falë procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova ka mundur të etablojë shtetësinë në të gjitha pjesët e vendit. Megjithatë, ndodhi që në vitin e shtatë të pavarësisë së saj, të përfundojë periudha romantike dhe Kosova të ballafaqohet me realitetin e saj të ashpër. Kështu, periudha e gjatë për formimin e Qeverisë pas zgjedhjeve të qershorit, vuri në provë sistemin politik të vendit. Në fund të janarit, Kosova përjetoi pastaj demonstratat dhe protestat të cilat eskaluan në një dhunë masive në brendi të Prishtinës. Kjo ishte vetëm një uverturë, e cila duhet t’i bënte të gjithë në Kosovë t’i vinin gishtin kokës dhe të mendonin për ato që po ndodhin. Kjo jo vetëm për shkak të dhunës, ku për pasojë u lënduan shumë vetë dhe u shkatërruan shumë prona, por edhe për shkak të asaj, se haptas u bënë përpjekje, që përmes dhunës të destabilizohej vendi dhe që Qeveria e ndërtuar në rrugë legjitime dhe përmes zgjedhjeve, të detyrohej të ndërmerrte veprime të caktuara. Të gjithë ata që qëndruan parapa kësaj dhune, por edhe të gjithë ata që nuk u distancuan nga kjo dhunë, duhet të mendojnë për një gjë: Që parimi qendror i demokracisë është që një minoritet politik, nuk mund t’i imponojë vullnetin shumicës politike përmes dhunës.

Që nga fillimi i këtij viti, gazetat janë mbushur plot me raporte për qindra burra, gra e fëmijë që Kosovën e braktisin ditë për ditë. Shumica e tyre drejt Gjermanisë. Shumica prej tyre si motiv kryesor përmendin mungesën e perspektivës për jetë dhe punë dhe mirëqenie në vendin e tyre. Për Kosovën kjo valë e migrimit është një ngarkesë enorme. Sidoqoftë, një gjë duhet të jetë e qartë dhe ta dinë të gjithë në Kosovë: Kushdo që merr rrugën ilegale për Gjerman, apo cilin do vend të BE-së, shumë shpejtë do të kthehet në Kosovë aty ku e ka filluar udhëtimin. Le ta dinë të gjithë këta njerëz, se kur pas disa javësh do të jenë kthyer (të gjithë do të kthehen) nga Evropa në vendlindjen e tyre, aty ku kanë shitur shtëpitë dhe gjithçka që kanë pasur, se do shndërrohen vetë në raste sociale dhe në nevojtarë për ndihma. Profiterët e vetëm do të jenë ato grupe që kanë mashtruar ata njerëz dhe ua kanë marrë paratë në mënyrë të pandershme, duke i kontrabanduar drejt Evropës.

Me fushatën e tyre kundër migrimit ilegal, udhëheqja e Kosovës ka dëshmuar se është e gatshme të veprojë dhe të marrë masa për ndalimin e kësaj dukurie. Në këtë frymë, janë përpjekjet e presidentes Jahjaga, e cila këto ditë po bën shumë udhëtime në komuna të Kosovës ku drejtpërdrejt, në kontakt personal me qytetarët e vendit, po përpiqet t’i bind ata të heqin dorë nga kjo rrugë pa krye.

Qeveria gjermane do të vazhdojë të përkrah institucionet në vend, që ata tu sqarojnë qytetarëve të e tyre se: për qytetarët e Kosovës nuk ka azil politik në Gjemani. Kjo është e pamundur.

Mobi Casa

Është shumë e rëndësishme që përmes një sërë masash konkrete dhe ekonomike të mbështesim zhvillimin e Kosovës. Duhet të dimë të gjithë se masat politike dhe ekonomike nuk mund të japin efektin e tyre brenda natës, por duhet ditur se angazhimi për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe zhvillimore do të krijojë perspektive dhe do të bind njerëzit të qëndrojnë në Kosovë.

Qeveria gjermane nuk do ta lë Kosovën vetëm në këtë gjendje të rëndë. Ne jemi duke menduar tani se si me masa konkrete, më shumë se deri më tani, të ndihmojë dhe kontribuojmë që njerëzve në Kosovë tu kthehen shpresat përsëri dhe të ndihmojmë për zhvillime pozitive. Të mërkurën, do të jem në Prishtinë për të diskutuar me drejtuesit e institucioneve atje lidhur me këto çështje

Nuk duhet harruar kaq shpejt përparimet që janë arritur vitin e kaluar nga shteti më i ri, Kosova, në drejtim të konsolidimit të shtetësisë së tij dhe në drejtim të integrimit në institucionet dhe komunitetin ndërkombëtar. Mjafton të kujtojmë zgjedhjet e rregullta në qershor të vitit të kaluar që u lëvduan nga të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë që mbikëqyrën ato zgjedhje. Unë nuk mund të lë pa përmendur edhe durimin dhe pjekurinë që treguan institucionet e Kosovës dhe Presidentja duke respektuar rolin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese deri sa u formuan institucionet e reja. Gjithashtu, duhet të kujtojmë arritjet e policisë së Kosovës e cila në mënyrë profesionale arriti të përballonte dhe të shpërndante e vetme demonstratat e dhunshme në fund të janari në Prishtinë.

Patjetër se një falënderim e meritojnë edhe policët dhe ushtarët gjermanë që në Kosovë po ndihmojnë të angazhuar në kuadër të EULEX-it dhe KFOR-it. Falë punës së policisë së Kosovës ata tashmë një kohë të gjatë më nuk angazhohen në operacione në situata të tilla kritike të sigurisë. Një gur i shtetësisë së Kosovës pa dyshim u vendos vitin e kaluar edhe me pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Në lojërat e ardhshme olimpike në Brazil do të valojë flamuri i Republikës së Kosovës në stadiumet braziliane. Atletët e Kosovës aty do të luftojnë për të fituar medalje për Republikën e Kosovës. Ky vendim i Komitetit Olimik Ndërkombëtar, dëshmon se gjërat po zhvillohen në të mirë të Kosovës par sa i përket njohjes ndërkombëtare. Gjithashtu, anëtarësimi i Kosovës në Komisionin e Venedikut i thellon marrëdhëniet e Kosovës në Këshillin Evropian.

Pas gati një vit heshtje, ka filluar mjaft premtues përsëri dialogu politik me Serbinë. Marrëveshja për drejtësinë mundëson më në fund legjitimitetin e Gjykatave dhe Prokurorisë në veri të Kosovës. Me këtë, strukturat paralele në fushën e drejtësisë, do t’i takojnë së kaluarës. Me një durim dhe vendosmëri për dialog, pala kosovare do të sjellë rezultate në fushat të tjera për sa i përket procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Kjo është e vetmja rrugë që do ta dërgojë Kosovën drejt një normalizimi gjithëpërfshirës dhe në jetësimin e perspektivës së saj evropiane.

Zonja dhe zotërinj,

Ne gjermanët urojmë Kosovën dhe qytetarët e saj, që sa më parë të lënë prapa këtë “vit të brishtë” dhe t’i drejtohen me elan të plotë ndërtimit të vendit. Në këtë rrugë, Gjermania do ta ndihmojë Kosovën me gjitha fuqinë tonë.

Ju falënderoj përzemërsisht për vëmendjen tuaj.

(RTK)