FITORJA

Gjergj Kabashi: Lamtumirë, Daniel Gazulli ynë!

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Daniel Gazullin e takova për herën e parë në jetën time në Lezhë, kah fundi i korrikut të këtij viti. Sado që nuk e kisha takuar kurrë më herët, kisha një ndjesi të thellë në vetën time se këtë njeri e njihja qysh herët, bindje kjo që krijohet tek njeriu për disa njerëz të rrallë, të mëdhenje në shpirt e në mendje, sikurse që ishte edhe Daniel Gazulli, kjo rrënjë e thellë e trungut shqiptar nga familja e Gazullorëve të mëdhenj.

Një njeri me fjalë të kursyera e i tërhequr në këndin e jetës së vet sikurse të ishte një qenie njerëzore e “mohuar” nga të tjerët, e i cili në komunikim me publikun e përdorte një gjuhë të bukur, të thuash lapidare…,që nga 12 nëntori nuk është më në mesin e të gjallëve; u shua fizikisht në moshën relativisht të hershme, mu në kohën kur kishte edhe shumë e shumë për të thënë. Fakti se ky Njeri i madh i kulturës sonë, shkrimet më të bukura dhe mendimet e pathëna deri tash i publikoj kryesisht në Zemrën Shqiptare dhe Revistën Drini, faqe këto elektronike që Danielin tonë e kishin në krye të vendit, flet qartë se ai e ka pranuar nderimin tonë duke na lënë borxh që ta respektonim për së gjalli e sot, fatkeqësisht, edhe për së vdekuri.

Revista Drini, ku Daniel Gazulli botoj aq shumë shkrime duke na bërë gjithnjë të ndiheshim të nderuar, sidomos shkrime me tematikën historike që ai i zotëronte aq mirë e me zotësinë e rrallë, mbajti një javë zi për shkuarjen në amshim aq papritur e befasisht të Daniel Gazullit, anipse e dinim se ai ishte i sëmurë e i rrënuar në brendinë e trupit të vet. Thjeshtë, ne nuk deshtëm të besonim që Daniel Gazulli ka vdekur ende pa e përfunduar veprën e vet të shumëanshme në dobi të kulturës kombëtare, misionin e vet atdhetar. Por, dëshmia është e trishtë, përkundër faktit se ne nuk e dëshirojmë atë:

I përjetshëm qoftë kujtimi ynë për të!

Para disa vitesh Daniel Gazulli mi kishte dërguar nga Lezha veprat e tij,Saga e Abelëve(Romanet:Armiku i popullit,Mërgimtar në Atdhe dhe Deti ne mes);librin me ndodhi e rrëfime pak a shumë të herëshme, Rrëfime zadrimore, atë me novela e tregime, Vjeshtë në Lebjanë, sikurse edhe librin me tregime, Intervista me vajza të mira,vepra këto që e plotësuan deri diku njohjen e kurreshtjen time për mikrobotën e këtij njeriu të mirë, të kulturuar e me kapacitet të madh intelektual. Ndërprerja e jetës fizike të njerëzve si Danieli është një humbje e madhe dhe lë zbrazësi në kulturën e një kombi, përkundër faktit se sa ishte gjallë shoqëria shqiptare nuk ia diti rëndësinë dhe nuk e kishte ndihmuar për një jetë më të rehatshme intelektuale e njerëzore. Duke dëgjuar rrëfime për të nga të gjithë ata që e kan njohur, del se ai, sikurse edhe shumë shqiptarë të tjerë, ka kaluar një jetë të përmbushur me vuajtje të mëdhaja, por kur në këtë mënyrë vuan një intelektual kaq i madh që jetën e vet tokësore e shkriu për të tjerët, për historinë e kombit e për historinë e bujshme të njerëzve të mëdhenj të fisit të Gazullorëve,vuejtja e tij merr kuptim tjetër, lë njollë në ndërgjegjën e kombit, sidomos të elitave kulturore, politike e shtetërore të atij kombi.

Një ndër ata që viteve të fundit ka pasur një komunikim të vazhdueshëm me Daniel Gazullin, bashkëpunëtori i ZSH dhe RD, Selim Nëngurra, më dërgoj sot letrën e fundit që ia kishte dërguar Danieli, një letër shkurtër por me kuptim të madh për indiferencën e pergjithshme kombëtare, një letër dramatike që e shpërfaq sheshit tragjedinë njerëzore të njerëzve të zënë ngushtë në jetë:

“Mirembrama, Selim.

Perfundimisht u vendos qe une dhe ime shoqe do te shkojme ne Itali me date 26 tetor. Ashtu jane kombinue edhe datat e vizitave etj.

Do te rrime gjate, te pakten deri per Vit te Ri. Ketu do te kthehemi ditet e para te janarit.

ARKATANA

Veçanarisht gjate qendrimit ne Itali do te isha krejt i lire me redaktue ndonje liber te ndokujt qe njeh ti. Aq ma teper qe do te kem edhe nevoje – ne mos tjeter, paret per udhetime me tren, cigaret e telefonin t’i nxjerri vete. Nese di ndonjenin qe do me pergatite liber, perpiqu t’ma afrosh.

Kemi disa dit qe here nuk kemi drita e shumicen e kohes nuk po kemi internet, prandaj edhe kam hy shume pak.

Lus Zotin te jeni mire te gjithe.

Perqafime / Danieli”
Pra,le ta lexojmë e mendojmë vetëm pakëz për gjendjen e tij të pashpresë, dëshpëruese,tragjedinë e një njeriu e intelektuali të madh të kombit, në kohën kur një këmbë e kishte mbi dhe e tjetrën, nën dhe: “Aq ma teper qe do te kem edhe nevoje – ne mos tjeter, paret per udhetime me tren, cigaret e telefonin t’i nxjerri vete. Nese di ndonjenin qe do me pergatite liber, perpiqu t’ma afrosh.”

Një ndër shkrimet e rralla të DANIEL GÀZULLIT,të botuara tek Drini e ZSH, KORRESPONDENCË ME AT FISHTEN (Letër imagjinare prej At Gjergj Fishtës.) dhe,(Përgjigje e vërtetë letrës imagjinare të At Gjergj Fishtës),me titullin DIKUSH PO MBJELL, AT!, janë testamentet më të thella të brengosjes njerëzore të një shqiptari të madh, i cili alarmon për të zezat që i kanosen këtij kombi që i përkasim.

LAMTUMIRË, I DASHURI YNË DANIEL GAZULLI!

Nëse jo sot, sigurisht nesër do të ndërgjegjësohemi se sa pak bëmë për ty e të tjerët sa ishit gjallë …
Ti, i dashuri Daniel Gazulli, duket se e ke parandier vjeshtën e jetës tënde përmes mesazhit poetik që bartë në vete poezia yte lirike, Fillim Vjeshte, të cilën para se të vdisje e shpërndave nder miqët e tu nga profili yt në facebook ;

FILLIM VJESHTE

Rruga që ka mbetë shkurtohet përditë.
Rrugë e parrugë, pa një stacion ku të ndalesh.
Vështroj përreth:
gjithçka asht e begatë – në natyrën e sendeve
e të gjallesave të pafjalë,
që nuk dinë ç’asht smira, shpifja, krenaria fallso.
Ndalem e vështroj se si vesa
rrëshqet në zemër të lules
jo për ta freskue,
po prush jete me i dhanë.
Vjeshta shtegton me mue
në një heshtje reshë të bardha,
që kalërojnë gëzueshëm.
Me duket sikur ndjej ende në ajër
cicërimat e dallendysheve, që vallzonin të lehta,
në rrathë eliptikë,
deri pak kohë ma parë.
Po jo, janë akorde gjethesh,
që ndoshta për herë të fundit
puthen njeni me tjetrin, kur fryn era;
janë gjethe të verdhë, të murrmë,
si trishtimi i vajzës, që mbet moll’ e pakafshueme.
Ec dhe kujtoj stinët e nxehta,
kur u iknim hijeve,
se donim të na përvëlonte dielli,
dhe shpërfillës ndaj një morali falls
e fshatarak,
si dhambët e verdhë prej porcelani
të drejtoreshës në pension
të Bankës Tregtare,
bashkë me trupin
i dhuronim njeni tjetrit qetësinë e shpirtit.
Fillim vjeshte.
Ernat fryejnë nga të katër horizontet.
Po unë s’kërkoj strehë:
të vazhdoj rrugëtimin due, pa u ndalë ma stacionesh,
e të ngjiz përsëri andërra të shkujdesuna,
si në mbramjen mbas dehjes.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.