Fundamenti

Gjenerali publikon historinë e ushtrisë shqiptare

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Pëllumb Qazimi shkruan historinë e ushtrisë shqiptare përmes botimit të një monografie shkencore në gjuhën angleze.

Botohet në Kroaci, në gjuhën angleze, një histori e plotë e ushtrisë shqiptare që ka për autor gjeneralin e njohur Pëllumb Qazimi, aktualisht ambasador i Shqipërisë në Zagreb. Me librin “Albania, the Military and the Foreign Influence (1912-1991)”, i cili filloi si disertacion doktorature në Departamentin e Historisë të Universitetit të Zagrebit, Pëllumb Qazimi ofron për lexuesit perëndimorë një vështrim kuptimplotë në historinë ushtarake dhe zhvillimin social e politik të një qoshe ende relativisht pak të njohur të Evropës dhe Ballkanit.

Në këtë vepër tërësore, autori bën një paraqitje të gjallë prej gati tetëdhjetë vite të historisë shqiptare në shekullin e njëzetë, ndërkohë, gjithashtu, shqyrton në një farë mënyre edhe ato periudha të historisë të shekullit të 18-të dhe 19-të të historisë së Shqipërisë, që i shërbejnë objektivit parësor- ecurisë së zhvillimit institucional të ushtrisë shqiptare deri në vitin 1991, shkruan profesori i njohur kroat Ivo Goldstein në parathënien e librit të Pëllumb Qazimit, botuar për herë të parë në Kroaci në gjuhën angleze. Ndërsa prof. Aleksandar Stipčević, albanolog kroat thotë se “Ky libër do të jetë i dobishëm për ata shqiptarë që nuk e njohin mirë të kaluarën ushtarake të vendit të tyre dhe shumë më tepër për ne, të huajt, të cilët shpesh harrojmë rolin që kanë luajtur shqiptarët në rajonin e Ballkanit dhe në Evropë”.

Autori mbështetet në një numër të konsiderueshëm burimesh, në gjuhën angleze dhe gjuhën shqipe, për të demonstruar dhe mbështetur tezën e tij themelore – fillimi i traditave institucionale ushtarake shqiptare mund të datohet vetëm që nga themelimi i shtetit të pavarur shqiptar më 1912. Duke sintetizuar me kujdes këtë material të madh burimesh, autori në mënyrë kritike dhe të mprehtë paraqet ngjarje dhe zhvillime të një periudhe që përfshin pavarësinë e Shqipërisë, dy Luftërat Ballkanike, dy Luftërat Botërore, vendosjen e diktaturave komuniste në Evropën Lindore, dhe në fund ri-vendosjen e pavarësisë.

Për një lexues më profesionist vlera e vërtetë e librit “Albania, the Military and the Foreign Influence (1912-1991)” është numri i madh i burimeve, kryesisht shqiptare, që shumë rrallë janë trajtuar në literaturën e huaj që ka si subjekt Shqipërinë. Këndvështrimi i Pëllumb Qazimit është se historia e ushtrisë shqiptare nuk mund të vlerësohet e pavarur; ajo është e lidhur ngushtë me historinë e shtetit, me politikat, ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Ashtu sikundër të rëndësishme për zhvillimin e shtetit shqiptar deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar kanë qenë ndikimi i influencave të huaja; italiane, britanike, amerikane, jugosllave dhe sovjetike. Autori shmang kurthet e tërheqjes nga thjeshtimi dhe mitizimi ndaj këtij aspekti dhe ofron një pasqyrë unike të kualifikuar socio-politike të një çështje shumë të ndërlikuar.

Vlerësime për librin:

“Monografia e plotë e ambasadorit Pëllumb Qazimi “Albania, the Military and the Foreign Influence (1912-1991)” është një libër pionier në historinë e ushtrisë shqiptare nga pavarësia deri në rënien e diktaturës komuniste. Autori ofron një pasqyrë të të gjithë kapitujve kryesorë në këtë histori nga përpjekjet më të hershme në favor të një sistemi të besueshëm të mbrojtjes nëpërmjet varësive të ndryshme nga periudha midis dy luftërave botërore, në vështirësitë e pengesat e periudhës së luftës e të pasluftës për ndërtimin e shtetit komunist. Kjo vepër ka përfituar nga përdorimi përzgjedhës i burimeve të reja arkivore dhe siguron një udhëzues të dobishëm për subjektin dhe për kursin e ardhshëm të kontributit strategjik të Shqipërisë në mbrojtje të demokracive euroatlantike”.

Prof. Ivo Banac, Departamenti i Historisë, Universiteti i Zagrebit

“Me besim të plotë se “Albania, the Military and the Foreign Influence (1912-1991)” do të jetë një tekst i dobishëm dhe informativ, unë e rekomandoj atë për lexuesit shqiptarë dhe të huaj”.

Ivo Goldstein, Profesor i Historisë, Universiteti i Zagrebit

KKVITI

“Dr. Pëllumb Qazimi ka shkruar një analizë shumë interesante dhe të plotë të traditave kombëtare dhe të ndikimeve të huaja në historinë ushtarake shqiptare (1912-1991). I shkruar në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme, libri është një kontribut i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë dhe të fqinjëve të saj”.

Bo Eric Weber, ambasador i Mbretërisë së Danimarkës në Republikën e Kroacisë 2008-2012

“Ky libër do të jetë i dobishëm për ata shqiptarë që nuk e njohin mirë të kaluarën ushtarake të vendit të tyre dhe shumë më tepër për ne, të huajt, të cilët shpesh harrojmë rolin që kanë luajtur shqiptarët në rajonin e Ballkanit dhe në Evropë”.
Prof. Aleksandar Stipčević, albanolog, Zagreb 2012

Të dhëna për autorin

Pëllumb Qazimi ka lindur më 1957, në Skrapar. Në vitet 1981-1996 përfundon ciklin e arsimit ushtarak (Akademia Ushtarake, Akademia e Mbrojtjes, Kolegji i Mbrojtjes). 1992-2000 ndoqi disa kurse ndërkombëtare ushtarake dhe humanitare në vende evropiane dhe SHBA. 2000 u diplomua në Kolegjin Ushtarake Mbretëror, Universiteti i Cranfield, Mbretëri e Bashkuar, përfshirë MSc (2001). 1980-2000 ka kryer detyra të ndryshme në ushtrinë shqiptare. Shtator 2000-tetor 2006 (Gjeneral Brigade, Gjeneral Major dhe Gjeneral Lejtnant), Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Prej gushtit 2007, Pëllumb Qazimi emërohet si ambasador i Shqipërisë në Kroaci.

Skeda e librit:

Autori: Pëllumb Qazimi
Titulli: “Albania, the Military and the Foreign Influence: 1912-1991)”

Me një parathënie nga Ivo Goldstein, Profesor i Historisë, Universiteti i Zagrebit, Kroaci. Botues: TIPOMAT d.o.o., Zagreb (Kroaci)./rajonipress/