Fundamenti

Gjasula i zhgënjyer me De Biasin

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Jurgen Gjasula ka mbetur i zhgënjyer me Gianni De Biasin, pasi deri më tani është aktivizuar vetëm pak minuta me Kombëtaren. Ai ankohet se trajneri italian nuk i ka dhënë qoftë edhe një shans me ekipin kuqezi.

Historia e Jurgen Gjasulës nis shumë vite më parë. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) kishte tentuar disa herë ta lekturoj në Kombëtaren shqiptare.

Por, duke qenë se Gjermania nuk lejonte dyshtetësinë, afrimi i tij deri në vitin 2012 ishte i pamundur (do duhej të linte pasaportën gjermane, çka shihej si e padiskutueshme nga vetë lojtari për një mijë e një arsye familjare dhe futbollistike).

Por, ndryshimi i ligjit në këtë vend bëri të mundur që Gjasula të vihej në dispozicion të kuqezinjve dhe madje ishte vetë Gianni De Biasi që shkoi në Gjermani për ta bindur.

Lojtari u pajis me pasaportë shqiptare, u grumbullua me Kombëtaren që vitin e shkuar, por deri tani është aktivizuar vetëm pak minuta ndaj Armenisë (2-0).

Kjo gjë ka lënë një shije të hidhur për familjen e Gjasulës dhe për vetë lojtarin, i cili në një intervistë për “Panorama Sport”, e shikon si të pashpjegueshme faktin se trajneri italian nuk i ka dhënë qoftë edhe një shans me Kombëtaren.

Sakaq, duket tjetër histori aktivizimi me Kombëtaren, si është e munduar që nuk keni bërë të njëjtën gjë edhe për Shqipërinë?
Nuk di ta shpjegoj. Në fakt unë jam munduar gjithnjë në stërvitje kur kam qenë i grumbulluar për të bërë më të mirën e mundshme, por nuk e di se çfarë nuk i ka pëlqyer trajnerit De Biazi.

Fundamenti

Në ç’kuptim?Shikoni, e di çfarë është e çuditshme? Se ka qenë vetë De Biazi që më ka afruar në Kombëtare. Ose më mirë, ai ka qenë një ndër të shumtit që ka kërkuar që unë të luaja për Shqipërinë. Qëkur isha te Duisburgu në Gjermani ai erdhi më takoi dhe folëm gjatë për mundësinë e aktivizimit tim me kuqezinjtë.

Çfarë ju tha tekstualisht, e mbani mend si bisedë?
Më tha se më donte me patjetër në skuadër dhe se unë kisha një vend në formacion, gjithnjë nëse do luaja rregullisht, duke qenë se në pozicionin tim, atë të fantazistit, Kombëtarja nuk kishte një alternativë më të mirë. Gjithsesi, unë nuk është se nisur nga ato fjalë m’u rrit mendja dhe mendova se do kisha një vend të sigurt në formacion. Them se meritoja minimalisht që të isha provuar të paktën një herë të vetme.

Nuk ju ka provuar asnjëherë? As në stërvitje kur keni qenë i grumbulluar?
Jo, asnjëherë në kuptimin e plotë të fjalës. Mbaj mend që para ndeshjes me Norvegjinë, gjatë gjithë javës më aktivizonte sa majtas dhe djathtas në mesfushë, ndërkohë që unë jam fantazist dhe në atë pozicion mund të jap më të mirën time. Gjithsesi, unë u mundova ta bëja edhe atë rol dhe deri një ditë para ndeshjes më ishte krijuar përshtypja, dhe jo vetëm mua, se do luaja titullar. Kur erdhi momenti, gati më hoqi edhe nga 18-ja, ndaj u ndjeva shumë i zhgënjyer.

Nuk folët me De Biazin?
Jo, nuk i thashë asgjë. Në fund të fundit, mendova se ai është trajneri dhe bën zgjedhjet e veta, ndërkohë që po prisja shansin tim, por që ende nuk më është dhënë. Sinqerisht nuk e kuptoj, pasi në rolin tim te Shqipëria nuk ka asnjë lojtar, ndaj dhe më duket e çuditshme që trajneri, mirë në ndeshjet zyrtare, por as në ato miqësore nuk më ka dhënë një shans. Një trajner, kur kërkon të marrë maksimumin ndaj një lojtari, ulet dhe flet me të. I thotë sesi do që të luajë dhe çfarë ai pret nga futbollisti të bëjë në fushën e lojës. Sakaq, De Biazi asnjëherë të vetme nuk e ka bërë këtë gjë me mua, duke më lënë me një lloj mospërfillje.

Mos ndoshta fakti se në skuadër erdhën edhe lojtarë si Valdet Rama e Alban Meha?
Jo, kjo nuk ka lidhje. E para se asnjëri prej tyre nuk luan në pozicionin tim dhe e dyta se vitin e shkuar Meha nuk ishte fare në Kombëtare, ishte i dëmtuar. Nuk e di realisht… mua nuk më pëlqen të bëj polemika. Madje nuk dua kurrsesi, ndaj edhe nuk kam shkuar ta bezdis trajnerin për t’i kërkuar arsyet e mosaktivizimit tim, por më vjen keq që bëra sakrificë duke bërë edhe pasaportën shqiptare, pas problemeve që tashmë i dini që ka ligji gjerman, me të vetmin qëllim që të luaja për Kombëtaren.

Po në telefon apo me mesazhe keni komunikuar ndonjëherë me De Biazin?
Jo, asnjëherë. Kam komunikuar vetëm me ndihmësin e tij, Tramexanin, madje edhe para pak ditësh para ndeshjes me Maltën.

Çfarë iu thoshte?
Më shkruante: vazhdo kështu! Je shumë mirë dhe ne të kemi nën vëzhgim. Kjo tani është e pakuptueshme. Unë nuk jam 20 vjeç dhe kam kohë të pres, se e kam karrierën përpara. Sot jam 28 vjeç, kam fituar eksperiencën e duhur dhe tani është momenti më i mirë për të kontribuar për Kombëtaren. Nejse, është një moment i çuditshëm që sinqerisht nuk di sesi ta shpjegoj.