Gjallori” – vepër joshëse e Ibrahim Kadriut…

Gjilan – Letërsia për fëmijë është gjinia jo vetëm interesante, por edhe delikate e “problemore” për krijuesit tanë të artit. Pse jo? Të shkruash për botën e të vegjëlve është paksa rëndë, për faktin se, krijuesi i mirëfilltë do të duhej të ulej e të kthehej në kohët e moshës fëmijërore, kur bota e kësaj moshe është plot me ëndrra, plot me dëshira dhe plot me gëzime jete.
Andaj, edhe më herët kanë shtuar dhe e kanë vlerësuar se, të shkruash për këtë moshë është vështirë, madje edhe me përgjegjësi. Vepra të ndryshme për fëmijë kanë shkruar shumë shkrimtarë që nga Rilindja e këndej, si: Naimi, Mjeda, S. Frashër, më vonë: Odhise Grillo, Adelina Mamaqi, tek ne Maksut Shehu, Rifat Kukaj, Vehbi Kikaj, Ali Huruglica, Agim Deva, Arif Demolli, Ibrahim Kadriu e shumë të tjerë.
Por, njëri që ka bërë emër në këtë zhanër të letërsisë për të vegjëli është Ibrahim Kadriu, shkrimtar nga Zhegra e Malësisë së Karadakut. Gjer më tani, ky krijues ka botuar mbi dyzet vepra letrare të të gjitha zhanrave të artit. Ka shkruar poezi për fëmijë e për të rritur, por ka shkruar prozë po ashtu për fëmijë e për të rritur, por ka shkuar reportazhe, udhëpërshkrime, drama e skenarë filmi etj. Ky opus i tij letrar është me interes për lexuesin e zellshëm, për faktin se, aty gjen njeriun tonë të kësaj toke, të këtij mjedisi e të kësaj letërsie.
Pra, Ibrahim Kadriu është njëri nga autorët më të frytshëm të letërsisë bashkëkohore tek ne, i cili, vjet, në një konkurs letrar, në Shkup, zuri vendin e parë me romanin e tij “Pjella e dreqit”. Lexuesi është i kënaqur me artin që e shijon nga ky autor. Edhe autori i këtyre radhëve e pati mësues. Në një rast, si shkollar, e pati pyetur autorin në fjalë se a ka vepra vetëm të mira apo të tjera? Ai u përgjigje të shpejt duke këshilluar se, në jetë nuk ka vepra jo të mira. Secila vepër letrare ka diçka që i pëlqen dikujt. Pra, të gjitha veprat letrare janë të mira. U nisa nga kjo këshillë e tij dhe sot, kur e përkujtoj këshillën nga krijuesi i Malësisë së Karadakut I. Kadriun, sikur e dëgjova dhe shkova rrugës së tij. Kjo më shtyri t’ia lexoj gati të gjitha veprat e tij letrare. Ja, ditë më parë më ra në dorë ta lexoj edhe veprën e tij në prozë “Gjallori”. Një vepër joshëse dhe shumë e këndshme për lexim. Është vepër “hijezuar” nga letërsia popullore. Pse jo? Veprat e mira ndikohen nga ky thesar i rëndësishëm i popullit. Aty e gjen gjeniun njeri që rrëfen për legjendat, përrallat e tregimet popullore, ku lexuesi nuk mund të ndahet nga kjo letërsi e çmuar.
Edhe Ibrahim Kadriu në veprën e tij “Gjallori”, sikur ka mbështetje edhe tek legjendat apo përrallat gojore, të cilat janë “gjuha” e parë e kësaj moshe për të hyrë në artin e bukur. Është një lexim joshës dhe tërheqës. Këtu veprojnë disa nga personazhet, si janë: Gjallori, Njeriu me Pelerinë, Plaku i Maleve, Verlinda, halla Naze etj. Shkrimtari, në veprën e tij “Gjallori” është bërë gjysh i nipërve e i mbesave, të cilat personazhe sa janë reale, po aq na duken se janë të trilluar sa për të shtuar rrëfimin e veprës së tij letrare.
Në anën tjetër, ky roman është një tekst didaktik, i cili, me disa veprime dhe zhvillime të shumë ngjarjeve, sikur mosha e fëmijëve jo vetëm argëtohet e kënaqet në jetë për të bërat e lojërave të tyre, por edhe për përjetimet prekëse e shumë tërheqëse edhe për të rriturit. S’ka dyshim se, autori i romanit “Gjallori” ka bërë një përpjekje të jashtëzakonshme për botën e fëmijëve, të cilët, vepra të tilla ju mungojnë. Janë rrëfime të veprës që “prekin” bestytnitë e popullit, ku kroi i ilaçit “preket” edhe në këtë vepër për të mirë.
Pra, autori di të lidhë rrëfimet nga një vepër në tjetër, siç është kjo “Gjallori”. Pra, nëpërmjet të këtyre legjendave që fëmijët i gjejnë në legjenda për Kulçedrën, Zanat e Malit, të Bukurën e Dheut e të tjera, sikur autori i afron lexuesit e vegjël të zbulojnë fshehtësitë e realitetit, por dhe bukuritë e legjendës që prekin imagjinatën e të rinjve të vegjël. Duke i lexuar disa nga tregimet e kësaj vepre, si janë: Gjallori, Mësimi i magjisë, Rojet e padukshme, Kali dhuratë, Verlinda, ai shimim i saj, Takimi me Njeriun me Pelerinë, Mrekullia e shpatës me magji, Gomari mbi gomar e disa të tjera, sikur krijuesi ka sajuar ose “trilluar” rrëfime të shumta e të ndryshme, të cilat, në një mënyrë ta pamundshmen e bëjnë të mundshme, të cilat “ngjarje”, në realitet, e ngacmojnë ndjenjat dhe kërshërinë tek lexuesit e vegjël.
Thjeshtë, autori, si gjysh e merr në prehër nipin e vogël dhe i rrëfen përralla, legjenda e forma të tjera, të cilat i “shkrinë” dhe nipërve dhe mbesave ua bën një realitet të këndshëm për ta ndjerë vetën lehtë dhe mirë në jetë. Andaj, vepra “Gjallori” e I. Kadriut është një art mjaft interesant dhe joshës, për faktin se krijuesi ka krijuar një lekturë të këndshme e argëtuese për këtë moshë. Edhe kritiju ynë i njohur Vehap Shita, në një pasthënie të tij shton: “I uroj, pra rrugë të mbarë “Gjallorit” të Ibarahim Kadriut në audiencën tonë, me shpresë se do të arrijë edhe në ndonjë ekran si “Fidani” i tij diku jo fort moti”. Pra, kjo vepër e I. Kadriut do të ishte në interes të ekranizohet dhe të paraqitet si vepër skenike filmore para lexuesve tanë, të cilët do të jenë të kënaqur për rrëfimet artistike dhe mjaft joshëse për të gjithë. /Tefik Selimi/rajonipress/