GIZ përkrah me projekte Kamenicën

Gjilan -Drejtor të drejtorive komunale, kanë pritur përfaqësues të GIZ-it. Eduard Cani dhe Merita Mansaku-Meksi, përfaqësues të GIZ, kanë prezantuar projektin për ndryshimet klimatike dhe mundësitë e përmirësimit të klimës më të mirë në komunën e Kamenicës. Ky është një projekt, ku GIZ, në mesin e 12 komunave ka përfshi edhe komunën e Kamenicës, ndërsa, vlera e projektit të përgjithshëm është 3.5 milion euro.
Drejtori i drejtorisë së Administratës, Enver Ajvazi, tha se komuna përbëhet nga dy pjesë rrafshinore dhe malore është e pasur me pyje dhe me tokë bujqësore, por ka edhe mungesë të ujit, ka raste të djegies së pyjeve nga thatësira edhe ambienti nuk është i nivelit të lartë, andaj në komunën e Kamenicës ka nevojë të investohet.
Ai tha se komuna e Kamenicës, e mirëpret këtë ndihmë, mirëpo do të jemi të gatshëm edhe të ofrojmë gjithë atë që nevojitet për të ardhur deri tek përfitimi i atij donacioni që mund të jetë në të mirë për komunën tonë.
“Komuna e Kamenicës ka 58 vendbanime, deri në vitin 2010, ka qenë një komunë më e madhe me territor dhe banorë, por me decentralizimin që ka ndodhur në Kosovë, janë shkëputur dy pjesë, njëra pjesë me komunën e Novo Bërdës dhe tjetra me komunën e Ranillugut. Komuna e Kamenicës, ka rreth 40 mijë banorë, ku prej tyre 36 mijë banorë llogariten banorë rezident dhe 4 mijë banorë jorezident ” tha ndër të tjera Ajvazi.
Ndërkaq, drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Gani Sadiku, ka thënë se pjesa e livadheve çka ishin më herët ( tokat e punuara ), janë shndërruar në shkurre dhe pyje të ulëta dhe problemin kryesor e kemi me zjarre.
“ Në komunën e Kamenicës, janë diku 20 ha pyje, prej tyre 50 % ose 10 mijë ha janë pyje shtetërore dhe pjesa tjetër është pyje private, zakonisht ka pyje të ulëta dhe të mesme. Në komunën tonë dominojnë ahu dhe bungu. Në lartësi mbi 700 m është kryesisht e pasur me drunj ahu, ndërsa, në lartësinë nën 700 m, është druri i qarrit dhe druri i bungut. “ tha drejtori Sadiku.
Projektin në fjalë e kanë mirëpritur edhe drejtori për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, Rabit Haliti, drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Irfan Dërmaku dhe drejtori i Shërbimeve Publike dhe Ambientit. Këta të fundit në pika të shkurtra folën për drejtoritë e tyre përkatëse./rajonipress/