GIZ certifikon mësimdhënësit e trajnuar të matematikës

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Me rastin solemn të certifikimit të mësimdhënësve nga lënda e matematikës për klasat 6 – 9, sot Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, ka thënë se programet që ka GiZ janë shumë të mira dhe të nevojshme për shkollat dhe arsimin duke dëshiruar që kështu të vazhdohet edhe më tutje.

Musa pohoi me këtë rast se trajnimi për lëndën e matematikës është një eksperiencë shumë e mirë për secilin nga mësimdhënësit duke u uruar sukses të gjithë mësimdhënësve, por edhe menaxhimit të shkollave.

“Kjo organizatë i ka dhënë një mbështetje të fuqishme arsimit në Kosovë, por në veçanti edhe në Gjilan. DKA do të jetë bashkëpunuese dhe partnere e fuqishme e GiZ – CDBE, në rrugën drejt ngritjes së kapaciteteve dhe gjithpërfshirjes në arsim”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Dagmar Fuchs, drejtoreshë e programit për arsimin fillor në GiZ, ka thënë se Kosova synon Europën dhe fëmijët këtu duhet të përgatiten të jenë konkurrent me moshatarët e tyre edhe jashtë vendit.

UBT

“Cilësia e arsimit është shumë me rëndësi. Arsimimi nuk është vetëm tri orë të matematikës, por është edhe hapja e dyerve për fëmijët tanë që është një jetë tjetër që gjeneratat tona e kanë përjetuar. Kosova synon Europën, andaj fëmijët tuaj duhet të konkurrojnë me ata të Europës. Është një fushë e gjerë që fëmijët i pret, por duhet t’u japim mundësinë të gjithëve. Edukimi duhet të jetë me një vëmendje të shtuar për fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën dhe kështu të vazhdohet edhe më tutje”, tha zonja Fuchs.

Për planin më të mirë zhvillimor për vitin 2013 është shpërblyer shkolla Fillore “Fetah Qerimi”, e cila përfiton një teleskop dhe një mikroskop, ndërsa disa shkolla të tjera kanë marr mjete pune si nga biologjia, kimia dhe fizika.

Poashtu është shfaqur një dokumentar për gjithpërfshirjen në arsim.

GiZ përmes CDBE – Ngritja e Kapaciteteve në Sektorin e Arsimit Fillor, është duke e mbështetur Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – MASHT, në zhvillimin dhe implementimin e ligjeve dhe strategjive përkatëse si dhe i adreson nevojat për Zhvillimin e Kapaciteteve në MASHT, në Drejtoritë Komunale për Arsim – DKA si dhe në nivel të komunitetit dhe të gjitha shkollave të nivelit 1 deri 9 në gjashtë komuna të Kosovës (Prishtinë, Prizren, Gjilan, Fushë Kosovë, Kaçanik dhe Klinë)./rajonipress/