ZN

Gërxhaliu i quan propagandë qeveritare deklarimet për zhvillim ekonomik, thotë se është koha që ekonomia të depolitizohet

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Zyrtarët qeveritarë kanë pohuar se rritja ekonomike në Kosovë, ka qenë në performancën më të mirë dhe ka shënuar rritje. Por njësoj nuk mendojnë njohësit e ekonomisë. Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu, deklaratat e tilla i quan propagandë qeveritare.

“Vetë fakti që raporti i Bankës Botërore (BB) ka qit në pah një indikator shqetësues, që ka të bëjë me varfërinë në Kosovë, besoj që është përgjigjja më e mirë në të gjitha deklaratat apo propagandën qeveritare, që niveli i zhvillimit ekonomik në Kosovë, është më i miri ndër vite. Definitivisht një shtet nën sanksione të BE-së, një shtet që s’ka vizion për zhvillim ekonomik dhe një tentativë institucionale, për të qenë të barabartë në varfëri, janë më e keqja që ka mund t’i ndodh Kosovës. Kur krejt kësaj i shtohet dhe fakti që ne kemi një varrosje apo mungesë enorme të dialogut të mirfilltë mes partneritetit publiko- privat, është vërtetë sheqetësuese”, thotë Gërxhaliu.

Gërxhaliut në një prononcim për Indeksonline thotë se është koha kur duhet të ketë reforma thelbësore në ekonomi dhe se duhet të bëhet çdo gjë, që paraja të mbetet në Kosovë. Ndërsa kërkon që ekonomia të depolitizohet.

“Është koha kur duhet të depolizohet ekonomia dhe definitivisht ekspertiza shkencore, të jetë në funksion të zhvillimit dhe jo pozicione për ekonomi, të fitojnë vetëm të paditurit, të cilët janë militantë të një steriliteti politik, që po u ngulfatë Kosovën”, ka thënë Gërxhaliu.

UBT

Sipas tij duhet të bëhet me tepër për sektorin privat, ndaj të cilit pushteti po tregon arrogancë.

“Vetë fakti që e kemi këtë arrogancë të pushtetit përballë sektorit privat, vetë fakti që çdo pore e ndermarrjeve publike dëshiron të uzurpohet me militantë partiakë pa dijeni dhe pa përvojë, a nuk qenka ky politizim. Kur kësaj i shtohet dhe fakti se nuk kemi arsye të mburremi se kemi ulur papunësinë, vetë fakti që Kosova po braktiset dhe nga ata që ikin nuk janë vetëm skamnorët, por janë dhe familje të stabilizuara ekonomikisht, por që nuk kanë siguri dhe perspektivë për të ardhmen. Të flitet që në Kosovë ka zhvillim ekonomik dhe zhvillimi ekonomik ka ndikuar në punësim, është një utopi, të cilës i beson vetëm politika”, tha ai.

Ndërsa flet për deklaratat politike që bëhen për luftë e trazira, thotë se Kosova çdo ditë e më tepër po shndërrohet në një shtet ku qytetarët më shumë mendojnë për të ikur se sa për të qëndruar, e krijuar një vizion për të ardhmën.

“Po e shihni që çdo ditë kemi rritje të importit, shumë pak investime nga jashtë. Çka mbetet urgjente është që të ndërrojë diskursi përballë ekonomisë. Çdo ditë i dëgjoni krerët politikë të Kosovës duke paralajmëruar luftë, duke paralajmëruar trazira, duke futur frikë. Atëherë definitivisht Kosova shumë më tepër po shndërrohet në shtet për të ikur, se sa për të qëndruar, për të jetuar dhe për të krijuar një vizion drejt ardhmërisë”, tha ai./Indeksonline/