Gazi s’e ndali seancën

Seanca e djeshme e Kuvendit të Kosovës e ka gjetur bllokun opozitar me pak “arsenal” të gazit lotsjellës, të cilin e përdori në fillim të seancës e më pas lëshoi punimet. Dje u hodhën vetëm dy bomba të gazit lotsjellës e pas një pauze Kuvendit iu kthye normaliteti dhe mazhoranca vazhdoi punimet pa pengesë.
Seanca plenare nisi mirë, me betimin e deputetit të ri të AAK-së, Ali Berisha, ndonëse deputetët opozitarë bënin zhurmë duke rrahur tavolinën me grushte. Por kur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ua dha fjalën deputetëve të partive në pozitë, të cilët kishin kërkuar fjalën në pikën jashtë rendit të ditës, deputeti i “Vetëvendosjes”, Salih Salihu, ndezi gazin lotsjellës. Kjo bëri që kreu i legjislativit të kërkojë pauzë 15-minutëshe, e cila zgjati më shumë se gjysmë ore. Me t’u kthyer në seancë opozita përsëri ishte përgatitur që të ndizte edhe gazin e dytë dhe të pamundësojë zhvillimin e seancës plenare. Por, kësaj radhe pozita ishte e vendosur duke qëndruar në sallë, meqë ventilimi i vendosur kohëve të fundit në sallën e seancave bëri që shumë shpejt të kalojë tymi i gazit.
Pas kësaj, opozita nisi t’i shqyrtojë veprimet e veta për ta pamundësuar mbajtjen e seancës. Për pak minuta derisa deputetët e pozitës shtronin pyetje për kabinetin qeveritar, opozita shfrytëzoi këtë për të dalë jashtë sallës dhe për t’u marrë vesh se cila ishte metoda që do ta përdornin pas gazit lotsjellës./zeri/