Gati për pranverë

Xherdan Shaqiri ndihet i gatshëm për sfidat që e presin në pranverë me Bayern Munichun. Mesfushori kosovar është duke punuar fort, për të luajtur sa më shumë në pjesën e dytë të sezonit. 21 vjeçari synon ta fitojë titullin në Bundesligë. Përfaqësuesi zviceran thotë se është ambientuar mjaft mirë në Bayern dhe gjigantin Bavarez e konsideron si klub perfekt për të.
Xherdan Shaqiri ka arritur të ambientohet mjaft mirë në Bayern Munich. Futbollisti kosovar ditë pas dite demonstroi sa vlen dhe i arsyetoi paratë e shpenzuara për të. Pothuajse në 80 për qind te ndeshjeve, përfaqësuesi zviceran ishte i pranishëm në fushë dhe kontribuoi në rezultatet pozitive të ekipit Bavarez.
21 vjeçari e ka dhënë një intervistë për uebfaqen zyrtare të Bayernit, ku ka folur për objektivat e klubit dhe të tij dhe për gjëra të tjera që lidhen me karrierën e tij. “Në pjesën e parë të sezonit më është dashur të përshtatem në një ambient komplet të ri. Në aspektin sportiv, ka funksionuar gjithçka mirë për mua”, ka thënë gjilanasi.
Momentalisht, Bayerni është duke i zhvilluar përgatitjet në Doha të Katarit, ndërsa Shaqiri thotë se nuk e ka ndërmend të pushojë aspak. Ai po përgatitet fort, për ta vënë në vështirësi trajnerin Jupp Heynckes në pjesën e dytë të sezonit.
“Në pjesën e parë të sezonit, shumëkush ka thënë se ky vogëlush nga Zvicra nuk mund të bëjë asgjë. Por, këto fjalë më kanë inspiruar dhe doja të demonstroja nga dita e parë se jam i gatshëm për të luajtur. Kjo funksionoi mjaft mirë dhe e kam ndihmuar skuadrën. Njëjtë dua të veproj edhe në pranverë”, vijoi ai.
Shaqiri e kujton më së shumti golin e parë në Allianz Arena, në Ligën e Kampionëve ndaj BATE Borisov. Ai ndihet i lumtur që është bërë lojtari i dashur i tifozëve, të cilët dëshiron t’i shpërblejë për këtë me paraqitje të mira, me gola dhe asistime. Ai e pranon se në Bayern secili ndihet çdo ditë nën presion, pasi konkurrenca është e madhe, por ai është koncentruar në fushë dhe nuk dëshiron të dëgjojë fort për ato që thuhen jashtë stadiumit.
Shaqiri e konsideron Bayernin si klubin perfekt të tij, ndërsa shton se me shokët e skuadrës ia kalon mjaft mirë. Ai synon që në pjesën e dytë të sezonit të ketë më shumë minutazhë dhe pranon se do ta japë maksimumin nga vetja. Ish futbollisti i Baselit shpreson që Bayerni të vazhdojë me ritëm të njëjtë si në vjeshtë dhe ta fitojë titullin e kampionit në Bundesligë dhe të shkojë sa më larg në Ligën e Kampionëve.(express)