Fundamenti

Gangsteri i lodhtë

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Pas pesë vjetësh në arrati, gangsteri më i njohur i Kosovës, Enver Sekiraqa iu vetëdorëzua Policisë së EULEX’it, e cila e arrestoi atë. Sekiraqa, i cili kishte edhe fletëarrest ndërkombëtar, dyshohet për vrasjen e policit Triumf Riza dhe për dhjetëra vepra të tjera. Të premten u kapën edhe pjesëtarët e fundit të “Klanit Sekiraqa”.

E kërkuan çdo kund. Organizuan aksione e ndërmorën masa për kapjen e tij.

Policia e Kosovës e përcolli hap pas hapi.

Por njeriu më i kërkuar në Kosovë dhe nga Interpoli, vendosi që të premten të vetëdorëzohet në Policinë e EULEX`it.

Enver Sekiraqa në orët e pasdites të së premten u paraqit në EULEX, ku më pas u arrestua.

Burime të gazetës Express kanë thënë në kushte anonimiteti se Sekiraqa ka planifikuar që disa muaj vetëdorëzimin në EULEX.

Ai përmes njerëzve ka biseduar me zyrtarë të lartë të EULEX’it për vetëdorëzim. Këtë e ka bërë për shkak të frikës se mund të arrestohej nga Policia e Kosovës. Ai ka pasur frikë nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës, për shkak të dyshimeve për involvimin e tij në vrasjen e policit Triumf Riza”, ka treguar ky burim.

Arrestimin- vetëdorëzimin e Enver Sekiraqës e ka konfirmuar edhe vetë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Ai ka thënë për Express, se Sekiraqa është arrestuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me EULEX’ in.

“Po, është arrestuar Sekiraqa. Për detaje të tjera pyeteni policinë”, ka thënë Ministri Rexhepi.

Sipas burimeve të gazetës, Enver Sekiraqa është dorëzuar në EULEX rreth orës 15 e 20 minuta.

Arrestimin e njërit nga më të kërkuarit në vend, e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të EULEX’it.

“Mund të konfirmojmë se sot pasdite, Policia e EULEX’it në, e udhëhequr nga një prokuror i EULEX’it. nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ka arrestuar z. Enver Sekiraqa. Ai është vetëdorëzuar dhe formalisht është arrestuar”, ka thënë Blerim Krasniqi, zyrtar për media në misionin evropian për sundimit e ligjit në Kosovë.

Sipas tij, Sekiraqa është intervistuar nga një prokuror i EULEX`it i Prokurorisë Speciale.

EULEX’i po ashtu ka njoftuar se Sekiraqa kërkohej në bazë të një flete arresti të lëshuar në shkurt të vitit 2008, në lidhje me akuzat për përfshirje në vrasjen e oficerit të policisë, Triumf Riza.

“Sekiraqa gjithashtu duhet të vuajë dënimin prej dy vjetësh burg për veprën penale të kërcënimit dhe pengimit të personave zyrtarë gjatë përmbushjes së detyrës”, njofton EULEX’i.

Sipas tyre, Sekiraqa u dorëzua vullnetarisht te prokurori special i EULEX’it, pranë Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe oficerët e policisë së Njësisë së Hetimeve të Krimit të Organizuar të EULEX’it. Arrestimi u bë në Prishtinë.

Më herët, për Sekiraqën ka pasur njoftime se ndodhet në Republikën e Irlandës, ndërkohë para disa ditësh, pati dështuar një aksion i policisë për ta arrestuar atë në Prishtinë.

Sekiraqa, sipas dëshmitarëve, ka më shumë se një muaj që ka qëndruar në Prishtinë, duke u fshehur për të mos u arrestuar nga autoritetet e rendit.

Enver Sekiraqa dyshohet se ka gisht në vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Triumf Riza, si dhe për disa vepra të tjera penale si krim i organizuar.

Vrasja e policit Triumf Riza ishte kryer në gusht të vitit 2007, në parkingun e flamurtarit te “Santea” nga tashmë i dënuari me dyzet vjet burgim Arben Berisha.

Uji Dea

Vrasje e policit dyshohet të ketë ardhur pas disa mos marrëveshjeve të një pas njëshme mes Enver Sekiraqës dhe grupit të tij si dhe policit tashmë të vrarë.

Njëra nga arsyet e përplasjes mes Sekiraqës e Rizës ka qenë edhe këngëtarja e mirënjohur Adelina Ismaili.

Enver Sekiraqa ishte ndaluar disa herë nga Policia e Kosovës. Disa vite më parë, Sekiraqa ishte rrahur keq nga Njësia Speciale e Ferizajt.

Në shenjë hakmarrje për vrasjen e kolegut të tyre, disa kolegë policë nga rajoni i Ferizajt dhe Kaçanikut, në vitin 2008 kishin organizuar një sulm në lagjen Dardania

Duke tentuar që ta çojnë në ajër lokalin e Enver Sekiraqës në lagjen Dardania, ata kishin hedhur në ajër një lokal ngjitur me atë të Sekiraqës.

Si pasojë e shpërthimit, kishin mbetur të vdekur dy persona si dhe ishin lënduar dhjetëra të tjerë.

Policia kishte arritur disa vite më vonë të arrestojë kolegët e tyre për shpërthimin.

Pas shumë seancave gjyqësore, ata ishin dënuar me nga 66 vjet burg, 33 vjet burg për Shpend Qerimin, e po ashtu 33 për Besnik Hasanin.

Policia gjithashtu së fundi ka arrestuar edhe komandantin e Njësisë Speciale të Ferizajt dhe disa policë të njësisë speciale si të dyshuar për këtë rast.

Fakte:

Personat në kërkim:

Bashkë me Enver Sekiraqën, policia e Kosovës kërkon edhe dy të dyshuarit e tjerë. Ilir dhe Rrahim Avdullahun.

Vëllait të Enverit, 30 ditë paraburgim

Box: Para disa ditësh, edhe vëllai i Enver Sekiraqës, Naseri është vetëdorëzuar në policinë e Kosovës. Ai hetohet për një tentim vrasje që ka ndodhur në Prishtinë. Gjykata e Qarkut në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Naser Sekiraqës.

Arrestohet i fundit nga klani i Sekiraqës

U kap edhe Shpend Bobaj. Me arrestimin e tij ka shkuar në katër numri i të arrestuarve që dyshohet se e plagosën Fisnik Vitinë (30 vjeç), para një muaji, në rrugën “Rexhep Luci”, afër kinemasë ABC. Pas plot një muaji hetime, Policia e Kosovës arriti rezultatet e saj.

Arrestoi 34-vjeçarin Bobaj, i cili deri më tash ndodhej në arrati. Arrestimi ndodhi vetëm pak ditë pasi për të njëjtin rast përfundoi në pranga edhe Agron Emini. Këta të dy, dyshohet se janë autorët kryesorë të plagosjes që ndodhi në pikë të ditës së 29 gushtit, në një lagje të Prishtinës, e cila është e mbushur me kafiteri.

Nga të shtënat, aty mbeti i plagosur Fisnik Vitija, i cili më pas edhe u arrestua nga policia. Policia e Kosovës ka mësuar se personat e dyshuar, tashmë të arrestuar, për një kohë të gjatë kanë qenë nën përcjelljen e hetuesve policorë. Deri të enjten, kur policia arrestoi edhe personin e fundit si të dyshuar për të njëjtin rast.

“Hetuesit policorë të rajonit të Prishtinës, të enjten kanë finalizuar punën e tyre lidhur me rastin tentim vrasje, ku është plagosur një person. Është arrestuar edhe i dyshuari i fundit, Sh. Bobaj”, thuhet në komunikatën e policisë. Policia bën të ditur se arrestimet e të dyshuarve, Bobajt e Eminit, kanë ndodhur në raste të ndara, ndërsa te të njëjtët është gjetur dhe konfiskuar një revole.

“I dyshuari kryesor, A. Emini 31 vjeç është arrestuar më datën 7 të këtij muaji. Gjatë arrestimit, policia tek ai ka gjetur dhe konfiskuar një revole, e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rastin në fjalë”, sqaron policia.