KKVITI

Gangsterët institucionalë!

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arbana Xharra – Parada e Forcave të Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës, e cila parakaloi të dielën, me rastin e pesë vjetorit të shtetësisë, të përshëndetur me duartrokitjet e qytetarëve, për pak sekonda kur heq nga mendja ngjarjet skandaloze që na janë përplasur për fytyre nga shteti real me ambient gangsterësh të institucionalizuar, edhe mund të ngjallte një entuziazëm të të qenit shtet!

Përballë qytetarëve kishin ngritur kokën lart ata që mburreshin për arritjen e kësaj shtetësie, zyrtarët e institucioneve të Kosovës, të cilët numëruan të arriturat që paska mbërritur Kosova. Në fjalimin e saj, sigurisht edhe kësaj here të shkruar nga dikush tjetër, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, foli për kapacitetet e Kosovës në sektorin e rendit dhe sigurisë. Bile mori guximin që të flasë në emër të ndërkombëtarëve, se sa të kënaqur qenkan ata sot me investimet e tyre në këtë fushë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sërish shprehu përkushtimin e Qeverisë për ndërtimin e shtetit stabil, për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Të dy këta zyrtarë nuk harruan të falënderojnë qytetarët e Kosovës, në kurriz të së cilëve po ndërtohet pasuria e pushtetarëve, vëllezërve të tyre, kushërinjve, nipave, tezakëve… por jo shteti demokratik që siguron mirëqenie për ta. Pesë vjet më parë, po këtyre qytetarëve iu premtua: rritje e investimeve të huaja, zvogëlim i papunësisë, prosperitet dhe ditë më të mira që do t’i nxjerrin nga skamja dhe paperspektiva.

Por çfarë u zhvillua ekonomikisht gjatë këtyre pesë vjetëve në Kosovë?

Investimet direkte të huaja në vitin 2007 kanë qenë 440.7 milionë euro, kurse në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012 investimet kanë rënë në 86.2 milionë euro. Nëse krahasohet gjashtëmujori i parë i vitit 2012 me periudhën e njëjtë të një viti më parë, Kosova del të ketë pësuar rënie prej 53.4 për qind të investimeve të huaja. Këto të dhëna tregojnë se investitorët e huaj i mblodhën plaçkat për t’ia mbathur nga Kosova.

Gjatë këtyre viteve papunësia nuk u zvogëlua as nuk stagnoi, por u rrit në mbi 40 për qind, pësuam një rritje të inflacionit në vazhdimësi deri në 30 për qind, çmimet e produkteve bazë nëse krahasohen me pesë vjet më parë janë shtrenjtuar pa mëshirë, faturat e rrymës janë dyfishuar, asetet e Kosovës janë zhvlerësuar duke u dhënë turqve në “Aksham Pazar” derisa investitorët potencialë perëndimorë ikën.

Mobi Casa

Konferenca e donatorëve, e cila u promovua me të madhe u shfrytëzua më shumë për promovim politik sesa për interesin e qytetarëve të Kosovës. Deficiti marramendës tregtar vazhdon të shënojë rritje bashkë me ngufatjen e prodhuesve vendorë dhe moszhvillimin e sektorit privat të vend.Me plot gojë u luftua korrupsioni, por si për çudi, brenda pesë vjetëve u shtuan milionerët që zyrtarisht marrin vetëm paga në institucionet e Kosovës. Ata që dikur s’kishin gjë, sot janë të evidentuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) si milionerë, dhe kryelartë parakalojnë nëpër institucione të pandëshkuar për keqpërdorimin e pozitave që ua ka dhënë pushteti.

Skandal pas skandali, sa vetëm mbinin duke bërë të zbehen rastet e mëparshme. Ato që mbetën në kujtesë janë: vjedhja në dhomën e dëshmive dhe e arit brenda Policisë së Kosovës, skandali me 1.4 milionëshin e pasaportave, 1 milionë dollarë që aq lehtë dolën të jenë falsifikuar në mes të Kosovës, ish-shefi i Taskforcës kundërkorrupsion cili doli të jetë vetë i korruptuar… e sa e sa raste të tjera, të cilat kanë shpërthyer, por kanë kaluar duke u zëvendësuar me rastet e reja skandaloze.

Nuk kanë munguar ata të cilët folën haptazi për sistemin e instaluar me vjedhje në pushtet, por që instrumenti i mirësofistikuar eliminoi kundërshtarët.
E sot, Kosova vazhdon të udhëhiqet nga ata që na shfaqen me kollare dhe orë “Rolex”-i, të cilët mbajnë njëri-tjetrin nën presionin e shantazhit, duke funksionuar ngjashëm me sistemin e njohur të bandave kriminale.

Këta nuk vodhën vetëm paranë publike, ata janë edhe vjedhës votash, sekserë, kërcënues. Të tillë mund të ekzistojnë edhe në vende ku shteti ligjor i përndjek duke i luftuar në vazhdimësi. Por, në Kosovën tonë shtet, tash pesë vjet, këta persona janë pjesë e institucioneve të rëndësishme shtetërore.

E pushteti i këtij tabori është duke u siguruar i shndërruar në sistem paternalist, ku me rregulla të pashkruara legjitimohen skandalet. Rrethi i nënshtruar u përmbahet nga frika e shantazhit, e kështu edhe më tej krijohet komoditet për ata që tash sa vjet po na shtrojnë rrugën drejt humnerës.