Fytyrёzinjtё nuk dinë tё skuqen!
Nga Nuhi Ismajli- Thuhet, kriminelët kthehen në vendin e krimit. Kështu, thuhet, pasi njerëzit kanë vërejtur se një gjë e tillë, vërtet, po ndodhke, siç ndodhi edhe atë ditë, kur, më 27 nëntor, pikërisht në mesin ku bëkëqijtë kishin bërë të keqen, pa fije turpi, me faqe të zezë, hyjnë aty ku festohej dhe ua prishin disponimin atyre që festonin pa të keq, festën, festën më të madhe – 28 Nëntorin!
Po, kthehen aty, në mesin e atyre që nuk kishin pritur se ata do të vinin, e nuk kishin besuar si ato tri të katërtat e kolektivit, që nuk kishin denjuar të vinin në manifestim, shkaku i dyshimit, se ata, të paftuarit, të padëshiruarit, të pafytyrët do të vinin. Do të vinin, pa turp, fytyrëzinjtë, e do t’ua prishnin ndjenjën e mirë të festës.
Të festës së 28 Nëntorit! Fytyrëzinjtë kishin ardhur në mesin nga i cili kanë përjashtuar njeriun nga vendi i punës, për shkak të paturpësive të veta. Fytyrëzinjtë, të përdalët nuk ngurrojnë edhe të dalin e të flasin dhe t’iu mbajnë ligjërata atyre që, qind për qind, janë më të ditur dhe, treqind për qind, më të pastër ndershmërisht se ata.
Fytyrëzinjtë, që nuk dinë të skuqen aspak, madje, nuk ngurrojnë edhe t’i “mësojnë” e “këshillojnë” festuesit se si duhet festuar bashkë (edhe me fytyrëzinjtë!).
Fytyrëzinjtë, të cilëve nuk iu përputhen fjalët me veprat, se tjetër flasin e krejt të kundërtën e fjalëve bëjnë, porositën e dhanë këshilla për të tjerët, pa e shqyrtuar së pari ndërgjegjen e vet.
Të pacipët zunë ngoje sakrificën e madhe të popullit për liri dhe lirinë, si thanë ata, që sot e gëzojmë, pa menduar se ata me sjelljet e tyre iu kundërvihen idealeve të sakrificave të popullit dhe janë ata sot që në vend se t’i lënë njerëzit të gëzojnë lirinë, ua bëjnë jetën pelim, qytetarëve, arsimtarëve, nxënësve…
I “mësuan” e “këshilluan” të tjerët, që ishin tubuar të festonin pa të keq, sesi “Duhet t’i kujtojmë dëshmorët, t’i nderojmë dhe respektojmë familjet e dëshmorëve, veteranëve të luftës, invalidëve të cilët kanë dhënë kontribut për lirinë që ne sot e gëzojmë”, sesi “Shkollat tona duhet ta kenë dinjitetin e tyre të meritueshëm”, pa marrë parasysh se janë ata që duhet të kujdesen për të merituarit e nevojtarët dhe pa marrë parasysh se janë pikërisht ata që, me nderë me thënë, e kanë…dinjitetin e shkollës!
Se janë pikërisht ata që përdhosën e vazhdojnë të përdhosin dinjitetin e arsimit e të arsimtarit, duke luajtur me vendet e punës së arsimtarëve, duke luajtur cirk me rastin e punësimit të arsimtarit, duke larguar me dhunë fëmijët e klasës së parë nga shkolla e të tjera, e të tjera marrëzira të papara.
Madje, fytyrëzinjtë e padëshirueshëm, bënë ftesë, si thanë ata, pa turp, “të bashkohemi të gjithë kudo që jemi dhe të shtyjmë proceset përpara”, pa menduar fare se njerëzit nuk janë syleshko e të mos shohin se punët e liga që bëjnë ata nuk çojnë proceset përpara, po kthejnë prapa dhe se në punë të tilla njerëzit nuk iu bashkohen, kot bëjnë thirrje.
Madje, fytyrëzinjtë, ani pse vetë nuk punojnë ose janë shembulli i punëve djallëzore, iu drejtuan nxënësve me porosinë që punën e tyre ta kryejnë si duhet, dhe porosinë që puna e tyre të jetë mësimi e jo diçka tjetër, që domethënë se, sipas tyre, nxënësit nuk e ditkan se me çka duhet të merren dhe se përveç mësimit nxënësit nuk u dashka të interesohen edhe për punë të tjera!
Kjo, domethënë, sipas kësaj “këshille të të urtëve”, nxënësit nuk u dashka të merren fare p. sh. me atë çfarë ndodh në jetën e shkollës, me fajin e fytyrëzinjve.
Faqezinjtë uruan nxënësit dhe mësimdhënësit të festojnë të lumtur dhe të gëzuar pa menduar se sa mësimdhënësve e sa nxënësve ua kanë bërë pelim jetën dhe që njerëzit vuajnë e nuk mund të jenë të lumtur shkaku i tyre.
Madje, thanë se “Ne duhet të festojmë, por të gjithë bashkë”! Çfarë “këshille”! A janë të denjë fytyrëzinjtë të festojnë me viktimat?! Pse se pastrojnë, më parë, shpirtin e ndotur?!
Për të festuar bashkë me qytetarët, nxënësit, arsimtarët, atyre iu duhet plotësuar një kusht: të pendohen për të këqijat e bëra, të përmirësojnë gabimet, t’i pushojnë veprat e liga, t’i lirojnë fëmijët nga salvimet dhe t’ua bëjnë të mundshme realizimin e një të drejte të pamohueshme: vijimin e lirë e pa vështirësi të mësimeve në klasën e parë, duke legalizuar fëmijët e klasës së parë, që vijojnë mësimet ilegalisht dhe duke lejuar vijimin e fëmijëve të larguar nga shkolla e të mbetur në shtëpi ose të kthyer nëpër çerdhe.