Fundamenti

Fushatë me resurse publike

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Një ndër parimet bazë në një proces zgjedhor, që respektohet në një vend me demokraci të mirëfilltë, është mosshfrytëzimi i resurseve publike për të bërë fushatë zgjedhore. Natyrisht, ka përjashtime nga ky parim, në vendet kur me ligj përcaktohet shuma e mbështetjes financiare dhe resurset publike që u jepen kandidatëve në zgjedhje, në mënyrë që të sigurohet barazia e të gjithëve.

Kjo bëhet me qëllim që një kryeministër, president apo zyrtar tjetër i lartë që ka qasje në resurset publike dhe kandidon në zgjedhje, mos të ketë përparësi ndaj kandidatëve të tjerë që nuk kanë qasje në ato resurse. Mirëpo, siç e thashë, një gjë e tillë bëhet për të siguruar barazinë e kandidatëve. Në rastet kur një zyrtar i lartë publik përdorë këto resurse ndërkaq kandidatët e tjerë nuk e kanë këtë mundësi, shkelet ky parim i barazisë. Por më e keqja është që me veprime të tilla keqpërdoren resurset publike, që në këtë rast janë para të taksapaguesve.

Fushata e këtyre ditëve e Kryeministrit Thaçi pa dyshim që shpreh panikën e tij të madhe për atë që është e paevitueshme: ai do ta humbasë pushtetin sepse qytetarët do ta ndëshkojnë për keqqeverisjen 7-vjeçare në dëm të tyre dhe në dëm të vendit. Por përveç që bazohet në premtime kryekëput elektorale, fushata e tij e hershme ka edhe dimensionin tjetër, pra atë të keqpërdorimit të resurseve publike për të bërë premtimet e tij. Vizitat e tij të shumta që i bënë me qëllim të dhënies së premtimeve bëhen që të gjitha duke përdorur mjete e burime publike, qofshin ato njerëzore apo të tjera. Madje, ngarendja e tij pas këtyre aktiviteteve elektorale ka lënë plotësisht anash detyrat parësore që i ka një kryeministër në udhëheqjen e vendit. Kjo, në fakt, është e vërtetë edhe për shumë ministra të kabinetit qeveritar. Një shembull ishte vizita e ministrit të Jashtëm, së bashku me Thaçin, në një ndër fabrikat vendore, përderisa ai do të duhej të merrej më cështje të politikës së jashtme (e jo të anulojë vizitat jashtë vendit siç po e bën) në vend se të bëhej pjesë e fushatës së parakohshme të Thaçit.

FIDANISHTJA

Në zgjedhjet e fundit lokale, Kryeministri Thaçi dha shumë premtime milionëshe anekënd Kosovës. Por u ndëshkua në gati të gjitha ato komuna ku premtoheshin milionat. Pavarësisht sa të mëdha e tërheqëse që tingëllonin premtimet e tij, votuesit më nuk i besojnë. Dhe natyrisht kanë me miliona arsye që mos t’i besojnë premtimeve të tij, sepse po të njëjtat i pat dhënë edhe në zgjedhjet e kaluara, por asnjëherë nuk i përmbushi. Fatmirësisht, ekziston vetëdijesim i mjaftueshëm për të kuptuar që pavarësisht fushatës së tij shumë intensive të këtyre ditëve, Thaçi dhe PDK nuk e meritojnë edhe një shans për të keqqeverisur me Kosovën dhe për të shkelur dinjitetin e qytetarëve. Prandaj edhe keqpërdorimi i resurseve publike që Thaçi dhe kabineti i tij qeveritar po e bëjnë këto ditë për të dhënë premtime të cilave askush nuk u beson, do të jenë mundësia e tij e fundit për të gënjyer qytetarët.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)