Mobi Casa

Funksionim i shtetit, e jo paralizim i tij

/ 7 minuta lexim

Nga Blerim Shala – Kushtetuta e Kosovës mundëson funksionimin e pushtetit dhe të shtetit të Kosovës. Ky është mësimi kryesor për politikën e vendit dhe për të gjithë ne.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendimin për kontestin e fundit legal dhe politik në vend, në seancën shqyrtuese të mbajtur të enjten e kaluar, me 28 maj.

Interesimi i madh i skenës politike në vend, i mediave, i qytetarëve të Kosovës, ishte i tëri i përqendruar në atë pyetjen tonë të rëndomtë në këto raste: Kush ka të drejtë?

Nuk kemi ne nerva dhe koncentrim për detale dhe për hollësi.

Kësaj radhe, e drejta kishte të bënte me një zhvillim imediat politik në vend.

Në variantin e parë, sikur Kryeministri në detyrë dhe Lideri i ‘Vetëvendosjes’ Albin Kurti të kishte të drejtë në faktet dhe argumentet legale të prezentuara, Kosova në një të ardhme të afërm do të duhej të mbante zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare, të cilat do të ishin të dytat në Kosovë, në një hark kohor më pak se një vit të plotë.

Në variantin e dytë, nëse Presidenti Thaçi kishte vepruar drejt me Dekretin e tij të 30 prillit, me të cilin Avdullah Hoti merrte nominimin për ta bërë Qeverinë e re, do të mund të procedohej tutje me përpjekjen e krijimit të Qeverisë së re.

Kishim të bënim pra me dy zhvillime (eventuale), shumë të rëndësishme për politikën kosovare.

Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë këtij zhvillimi të dytë, apo Dekretit të Presidentit.

Duket që me kaq mori fund trajtimi i këtij Vendimi të Gjykatës Kushtetuese në politikën kosovare, teksa në vet Njoftimin preliminar të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të bërë publik në orët e mbrëmjes së 28 majit, gjen vend, pos tjerash, një shpjegim shumë i duhur legal që qartëson, në mënyrën më të saktë dhe më të mirë të mundshme, raportin e Kushtetutës së Kosovës, si dokument themelor ligjor i shtetit të Kosovës, me politikën e Kosovës.

Natyrisht, si kudo në Botë, ashtu edhe në Kosovë, politika, që përherë është në kërkim të legjitimitetit të votës (prandaj nuk duhet habitur që thuaja gjatë gjithë mandatit të një Parlamenti të ri, opozita kërkon zgjedhje të reja në vend), i subordinohet plotësisht Kushtetutës, e cila definon dhe kodifikon legalitetin në vend.

Gjykata Kushtetuese në tekstin e Njoftimit për Aktgjykimin e saj në lëndën që mobilizoi si asnjëherë më parë skenën politike në vend dhe opinionin publik, pos tjerash, në synimin për ta shpjeguar edhe një herë marrëdhënien në mes të Kushtetutës dhe politikës kosovare, konstatoi si vijon: ‘Struktura e normave kushtetuese që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e popullit, duhet të interpretohen në atë mënyrë që të jetësojnë dhe jo të bllokojnë themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve përkatëse. Çdo paqartësi e normave duhet të interpretohet në frymën e Kushtetutës dhe vlerave të saj. Asnjë normë kushtetuese nuk mund të interpretohet në atë mënyrë që të bllokojë themelimin dhe funksionimin efektiv të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, dhe as mënyrën se si të njëjtat e balancojnë njëra tjetrën në aspekt të ndarjes së pushteteve’.

Ky interpretim aq i duhur i Gjykatës Kushtetuese, i këtij raporti në mes të Kushtetutës dhe skenës politike në vend, në të vërtetë do të duhej të ishte i ditur për secilin politikan dhe për çdo parti në Kosovë.

Hidromorava

Kushtetuta e Kosovës është dokument i cili mundëson funksionimin e pushtetit dhe të shtetit në Kosovë, në bazë të normave të veta, duke marrë parasysh edhe frymën e saj.

Nuk është e kundërta. Pra, nuk është Kushtetuta, me të gjithë përmbajtjen e saj, ajo që mund të shfrytëzohet, prej asnjërit politikan dhe asnjërës parti, për ta imponuar paralizën politike në vend.

Nuk ka situatë më të keqe në vend se sa kur Kushtetuta e Kosovës, synohet të shfrytëzohet për ta paralizuar funksionimin e pushtetit dhe të shtetit të Kosovës.

Në anën tjetër, vullneti politik, cilido qoftë ai, edhe me një legjitimitet të jashtëzakonshëm që merret nga vota e qytetarëve, nuk mund ta ndryshojë interpretimin e Kushtetutës, apo, nuk mund të ia imponojë asaj atë interpretim i cili nuk gjendet dot në nenet dhe përmbajtjen e Kushtetutës.

Edhe nëse në teori një parti e vetme do t’i fitonte mbi 51% të mandateve të drejtpërdrejta të Kuvendit të Kosovës (duke iu shtuar këtyre edhe ato njëzet mandatet e garantuara për komunitete), edhe në atë rast, pushteti bëhet me fuqinë e Kushtetutës së Kosovës, dhe assesi ndryshe.

Natyrisht, gjithmonë ekziston mundësia e amandamentimit të Kushtetutës nga politika kosovare, nëse për diçka të tillë ka vullnet dhe gatishmëri, me procedurat e ditura për të gjithë ne, duke siguruar përkrahjen e së paku dy të tretave të Kuvendit të Kosovës (apo të 80 deputetëve), ku po ashtu, edhe dy të tretat e deputetëve të komuniteteve do të ishin në favor të këtij ndryshimi të Kushtetutës.

Derisa të mos ndodhë diçka e tillë, pra, sa ta kemi këtë Kushtetutë të Kosovës, nuk ka fuqi të legjitimuar politike në zgjedhjet parlamentare të Kosovës (pa marrë parasysh numrat e deputetëve të fituar në zgjedhje), e cila mund t’ia imponojë vullnetin e saj Kushtetutës së Kosovës, apo mund ta interpretojë atë sipas kutit të vet.

Një tjetër element i rëndësishëm i këtij Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, ka të bëjë me konstatimin, të cilin do të duhej ta kishim të qartë të gjithë ne edhe para se të trajtohej kjo çështje nga kjo Gjykatë, sipas të cilit del që Kuvendi i Kosovës është institucioni i vetëm në Republikën e Kosovës që zgjedhjet drejtpërdrejt nga populli me një mandat katër vjeçar.

Këtu nisë dhe këtu përfundon raporti i votuesit me institucionet qendrore të Kosovës.

Çfarë ndodhë më pas, kur të Certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, nëse natyrisht kemi pasur zgjedhje të lira dhe demokratike të cilat i kanë pranuar të gjitha subjektet që kanë marrë pjesë në to, kjo është çështje e deputetëve dhe e partive politike, në përputhje me forcën e legjitimitetit politik të fituar prej vet qytetarëve.

Sidoqoftë, Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, me të gjitha këto sqarimet e bëra, do të duhej t’i jepnin fund (tok edhe me ato Aktgjykimet e kësaj Gjykate në vitet 2011, kushtuar procedurës së zgjedhjes së Presidentit dhe në vitin 2014, në lidhje me mënyrën e krijimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit), tensioneve politike në vend, duke shfrytëzuar interpretimet e politikanëve dhe të subjekteve të tyre, të përmbajtjes së Kushtetutës së Kosovës.

Tash e tutje, së paku në këto çështjet themelore që kanë të bëjnë me funksionimin e pushtetit në Kosovë, nuk do të duhej më të kishin konteste të tilla legale në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.