RCCOLA

Fundi i iluzionit të vijës së kuqe

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Nga Adriatik Kelmendi – Pse politikanët kosovarë përfundimisht tash e mbas duhet ta mbyllin gojën dhe të mos na flasin për vijat e kuqe ndërmjet vete, por për përkushtimin që të na bëjnë jetën më të mirë. Ose të hapin rrugë për krijimin e forcave të reja politike, që do të sillnin edhe cilësi të re në politikëbërje.

“JU ANALISTAT asnjëherë nuk keni besuar se neve do ta na zgjasë bashkë as një muaj. Por ja ku jemi, tash e tre muaj, më të bashkuar se kurrë. Dhe nuk do të prishemi kurrë. Bile edhe nëse shkojmë në zgjedhje, krejt bashkë në një listë do të jemi”.

Me një hidhërim që s’mund ta maskonte, po më fliste në një muzg të ngrohtë fundvere një mik imi, anëtar i rëndësishëm i njërës prej partive që përbente bllokun LVAN. Acarimi i tij kishte të bënte me një intervistë që kisha dhënë, ku argumentoja se blloku opozitar duhet të jetë i gatshëm për kompromis lidhur me postet që ia ka caktuar vetes, në qoftë se do që vërtet t’ia shuajë gjasat PDK-së që të mbetet në pushtet.

Meqë nuk bindej, i propozova të vëmë bast, se në qoftë se nuk bëjnë kompromis, rrezikojnë të na dërgojnë ose në zgjedhje të tjera, ose që ta prishin bllokun. Dëshmitarë ishin edhe nja 6-7 persona të tjerë, pjesëtarë ose të shoqërisë civile, ose të subjekteve të tjera politike.

Këto ditë fola me të në telefon, por – më duhet ta pranoj – nuk pata zemër t’ia përmendja bastin që e kisha fituar. As ai nuk e përmendi.

KAM PARË DISA persona publikë që pas zgjedhjeve kanë hezituar të dalin dhe të flasin publikisht ose të shkruajnë për atë që e kanë menduar. Aq ishte polarizuar skena publike, saqë shtysa nga të dy blloqet ishte e tillë, saqë një mendim i pavarur brenda natës mund të të çonte sa një njërën anë, sa në tjetrën. Ndonëse PDK-së tashmë i ishte trashur lëkura nga kritikat dhe sulmet e përditshme nga të gjitha anët, ishin përfaqësuesit e subjekteve politike të LVAN-it që donin të krijonin atmosferën: ose je me ne, ose kundër nesh.

Së këndejmi, një pjesë e mirë e opinionistëve dhe e analistëve, të cilët shpesh gjenin mjaft arsye për të kritikuar LVAN-in, ose shprehnin dyshimet në sinqeritetin e tyre drejt qëllimit të proklamuar, i dorëzoheshin një autocensure të rrallë. Abstenonin!
Tash, a ishte koha që PDK-ja ta provonte opozitën pas dy mandateve kundërthënëse dhe me shumë probleme në Ekzekutiv? Absolutisht se po.

E, a mund të themi se LVAN-i ishte për mashallah? Absolutisht se jo. Por, e kishin gjasën që të bënin rotacionin aq të nevojshëm për një demokraci të re e të brishtë si kjo e Kosovës.
Dështuan.

Eco Higjiena

Se, siç u pa, nuk e deshën as vetë demokracinë. E deshën – pushtetin.

MEGJITHATË, BESOJ SE edhe një herë e pame yin-yang’un në funksion. Edhe kjo e keqe e ka të mirën e saj.
Tashmë edhe ata që kanë pasur dyshimin më të vogël, besoj se janë bindur përfundimisht se nuk ka vija të kuqe ndërmjet subjekteve politike në Kosovë.

Deri më tash kemi parë se të gjitha, pa përjashtim, kanë ndërruar ose modifikuar parimet e tyre, në përputhje me situatat e krijuara dhe përfitimin e kalkuluar.

Mirëpo, ja që vetëm naivët edhe do të mund të besonin se s’do të bëheshin salto çfarë i kemi parë të ndodhin për këta vjet të pasluftës në Kosovë. Në fund të fundit, kjo është politika. Nuk po ndodh te ne për herë të parë dhe nuk do të ndalet te ne e me kaq.

Sidoqoftë, tash është shansi që t’u kërkojmë përfaqësuesve të subjekteve politike që në të ardhmen ta mbyllin gojën dhe asnjëherë të mos na flasin për subjektet e tjera. Kemi parë se armiqtë e përbetuar u bashkuan brenda natës për ta mposhtur një armik tjetër që i kishte mposhtur në zgjedhje, dhe sërish ata u vunë në garë për t’u bashkuar me të njëjtin armik, duke i bërë përnjëherë armiq edhe miqtë e rishtëm.
Dhe kjo mund të vazhdojë.
Tash, krejt çka na duhet të dimë nga ata që na e kërkojnë votën është të na tregojnë se çka do të bëjnë për ne në këmbim të asaj vote besimi.

Cili është programi për qeverisje, cilët kuadro i kanë dhe çfarë rezultatesh mund të presim nga qeverisja e tyre me atë program.
Se me kë do ta realizojnë, s’ka përse të na bëhet vonë. Vetëm të shohim se po na përmirësohet jeta, se po rritet mirëqenia, se po kemi shërbime më të mira, edukim cilësor, vende pune e dinjitet qytetar.

Ose të hapin rrugë për krijimin e forcave të reja politike, që do të sillnin edhe cilësi të re në politikëbërje.
Se autobusët me qytetarët që kërkojnë të ikin nga ky vend s’po kanë të ndalur.

[email protected]
Twitter: @adriatikk