Uji Dea

Ftesë për dialog për politikën e jashtme të Kosovës

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nga Blerim Reka – Binomi akademiko-diplomatik nuk është i panjohur, por jo edhe aq i shpeshtë. Ministra të Punëve të Jashtme kanë shkruar edhe më herët libra – kryesisht në formë memoaresh.

Pak prej tyre ndërkaq kanë hedhur në letër observimet aktuale për politikën e jashtme. Aq më pak duke ushtruar postin e të parit të diplomacisë. Kisinxheri dhe Davutogllu janë ndër të rrallët që me shumë sukses kanë provuar që të dyja: edhe ushtrimin e diplomacisë, edhe shkrimin për të, duke u dëshmuar edhe si teoricienë edhe zbatues të saj.

Me librin e tij “Ngritja e një shteti – Politika e Jashtme e Kosovës” Enver Hoxhaj i bashkohet kësaj lagjeje të rrallë akademiko-diplomatike. Duke qenë profesor universitar dhe tash e dy mandate edhe ministër i Punëve të Jashtme, në librin e tij ai sublimon jo vetëm dijen e tij teorike për marrëdhëniet ndërkombëtare të fituar në Vjenë, por edhe përvojën e pasur diplomatike në Nju Jork, Washington e Bruksel gjatë dekadës së parë të shtetkrijimit të Kosovës.

Me këtë libër Hoxhaj e bën publike zejen jopublike të diplomacisë. Ia ofron lexuesit atë që nuk ka mundur ta lexojë nga viti 2011 nga depeshat e mbyllura diplomatike e as nga konferencat e tij të kujdesshme si shef i diplomacisë kosovare. Libri na e bën më të afërt erën e korridoreve të OKB-së e të BE-së, atmosferën e samiteve rajonale dhe negociatat jo të lehta të takimeve multilaterale dhe bilaterale.

Mirëpo nga modestia, vetë autori librin e cilëson si “ftesë për një mendim strategjik mbi ecjen e Kosovës në politikën e saj të jashtme”(fq. 9), pra më tepër që këto reflektime të tij të nxisin në debat në shoqëri se ku është dhe ku po shkon Kosova në raport me shtetet tjera dhe organizatat ndërkombëtare.

Në libër Hoxhaj demistifikon në një mënyrë diplomacinë – tradicionalisht të mbyllur për opinionin – e cila kryesisht komunikon përmes kumtesave të përgjithësuara. Si mbështetës i diplomacisë publike ai edhe me këtë libër i ndan me opinionin publik ngjarjet vendimtare të viteve të para të depërtimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës; të panjohura e të pathëna nga Këshilli i Sigurimit apo Asambleja e Përgjithshme duke i rrëfyer në një gjuhë të kapshme për lexuesin e rëndomtë.

Duke i përshkruar në libër takimet me eminencën e diplomacisë botërore, ai heq velon e misterit diplomatik dhe i ofron historiografisë shqiptare një brumë të begatë faktografik për analizimin e periudhës më kritike të Kosovës – në prag dhe pas shpalljes së pavarësisë së saj. Sidomos për ata që do ta shkruajnë historinë e krijimit të shtetit më të ri të Evropës dhe për ata që do të merren me politikën e saj të jashtme.

Siç e thotë vetë autori në parathënie, “libri lindi nga rrethanat reale dhe dramatike të një shteti të ri në ngritje; mes analizës shkencore dhe qëndrimeve politike”. (fq. 9)

Këtë elaborim kompleks, Hoxhaj e bën bindshëm, qartë dhe në një stil të rrjedhshëm, por preciz, duke argumentuar secilin mendim me 634 referenca burimore autoriale që ballafaqojnë teoritë e klasikëve (si Morgenthau, Kisinxher e Kenan), me ato të mendimtarëve aktualë të kësaj fushe, (Nay, Kehone, Frdiman etj). Si i tillë, libri veçohet jo vetëm me begatinë e literaturës së pasur të konsultuar dhe me dokumentacionin arkivor, por edhe me impaktin personal të autorit, nga përvoja e tij e pasur shumëvjeçare si ministër i Punëve të Jashtme.

Libri për shtetkrijimin e Kosovës i Hoxhajt, nën prizmën e politikës së saj të jashtme, përmbledh për të parën herë brenda kopertinave të tij një tematikë pak të përpunuar në letrat shqipe. Hiç ca autorë të huaj, që këtyre viteve të fundit botuan aspekte të ndryshme të krijimit të shtetit të Kosovës, monografitë vendore për këtë çështje ishin të rralla. Pati studime e analiza për politikën e jashtme të Kosovës, por jo monografi e kompletuar në 435 faqe.

ARKATANA

Si i tillë, libri pritet të jetë burim jo vetëm për studentët dhe studiuesit e politikës së jashtme, por edhe një kontribut i çmuar për ata që do ta shkruajnë historinë e re shtetërore të Kosovës dhe për udhëheqjen e diplomacisë në vitet në vijim. Sidomos siç e thekson me të drejtë autori “në periudhën më sfiduese për diplomacinë kosovare-anëtarësimin në OKB”.

Hoxhaj në librin e tij të strukturuar në 3 pjesë trajton veç e veç tri çështje kruciale për Kosovën në arenën ndërkombëtare: pozitën ndërkombëtare të Kosovës (pjesa e parë); politikën specifike të jashtme të Kosovës – të sfiduar midis partnerëve dhe kundërshtarëve, (pjesa e dytë); dhe orientimin strategjik të Kosovës drejt integrimit euroatlantik dhe anëtarësimin në OKB (pjesa e tretë). Njohjet ndërkombëtare dhe anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Kombet e Bashkuara janë pjesa mbase më e rëndësishme e librit sepse paraqet strategjinë për ndërkombëtarizimin e statusit të saj shtetëror.

Autori këtu argumenton pse vitet e para të shtetkrijimit ishin vitet e njohjeve bilaterale (111 ). Tash e tutje, siç shkruan Hoxhaj, “Kosova hyn në betejën për njohje universale”, (f. 120) sidomos për të shpërthyer mbylljen hermetike nga vetoja ruse.

Autori përkrah shkollën deklarative të pozitës ndërkombëtare të një shteti, ku “shteti mbetet shtet edhe pa anëtarësim në OKB” (f.364), ndonëse do të vërejë me të drejtë se megjithatë Kosova është e detyruar të ndjekë rrugën e anëtarësimit në Organizatën Botërore – fillimisht me anëtarësimin në Asamblenë e Përgjithshme.

Jo se Republika e Kosovës nuk i plotësoi deri më tani katër kriteret klasike për njohje ndërkombëtare, por sepse fuqia bllokuese e Rusisë në Këshillin e Sigurimit e pengoi këtë, sa për shkak të aleancës tradicionale ruso-serbe, po aq edhe për shkak të rivalitetit të rikthyer të kohës së luftës së ftohtë SHBA – Rusi.

Prandaj meqë edhe ky libër është cytje për një debat për politikën e jashtme të Kosovës, mbase do të jem i pari që me këtë recension do ta hap këtë dialog, duke shtruar problemin e limitit kohor të bllokadës ruse. Pra, deri kur Rusia do të mundë ta pengonte anëtarësimin e Kosovës në OKB? Çka nëse Serbia e njeh Republikën e Kosovës? A do të kishte argument bindës pastaj Moska të veto-izojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara?

Këto dilema u shfaqën rishtazi disa ditë pasi që ky libër doli nga shtypi dhe u ngritën pas qëndrimit të diplomacisë gjermane se:“pa anëtarësimin e Kosovës në OKB, Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE”. Berlini e kushtëzoi integrimin e Beogradit në Bashkimin Evropian, për aq kohë sa aleati i saj Moska do ta bllokojë anëtarësimin e Prishtinës në OKB. Republikën e Kosovës e pret një periudhë sfiduese për njohjen e saj ndërkombëtare multilaterale, në OKB, Këshillin e Evropës dhe OSBE.

Prandaj, jorastësisht Hoxhaj në libër në mënyrë përmbledhëse parashikon se “e ardhmja e Kosovës do të jetë më e sigurt se e kaluara e saj”, (fq. 12)

Libri i tij nga analiza e përvojës së viteve të para të shtetit të ri udhëzon se çfarë rrugë duhet të ndjekë në vitet që vijnë diplomacia kosovare për të qenë anëtar i barabartë i bashkësisë ndërkombëtare.

Dhe një nga përfundimet e tij është se si shtet i vogël, Kosova, duhet të maksimalizojë fuqinë e butë. Apo siç shkruan në fund të librit: “Kosova është e vogël dhe ka problemet e saj, porse nuk guxon asnjëherë të humbë perspektivën e gjerë…as të dorëzohet që ta përmbushë qëllimin kryesor – anëtarësimin në OKB”, (f. 391)