Uji Dea

Fshati Gare dhe ecejaket historike nëpër kohë…

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Bilall Maliqi – Ejup Kamberi “Garja në rrjedhat e historisë – monografi”, shb “Lena” Prishtinë, 2020, fq. 112.

Shumica e fshatrave që gravitojnë në komunën e Preshevës tanimë kanë edhe Monografitë e tyre të përgatitur nga autorë autoktonë të atyre fshatrave, të cilët kanë dhënë një pasqyrim monografik për fshatrat e tyre, me vlera të ndryshme, ku shumica i plotësojnë kriteret e librave të botueshme, e disa sosh më vlerë edhe më të lartë artistike.
Në vazhdën e përgatitjeve për shtyp të monografive është edhe ajo për fshatin Gare të komunës së Preshevës, shkruar nga avokati i njohur Ejup Kamberi.

Autori ka mbledhur shifra dhe fakte, të cilat i ka futur brenda librit monografik, duke u shërbyer me literaturë, gjegjëse dhe me intervista e takime që ka bërë me njerëz nga shumë pjesë shqiptare, të cilët ishin shpërngulur nga ky fshat, për të qitur në pah realitetin historik të banorëve të këtij fshati.

Autori iu ka përmbajtur mirë rendit të rregullimit konform ligjeve të një libri të karakterit monografik, duke i radhitur ashtu si duhet kapitujt, me të cilat përthekohet ky libër modest dhe shumë simpatik për lexim dhe shtjellim.

Tjetra është se përpiluesi i këtij libri ka hedhur në dritë shumë fakte dhe ndodhi, të cilat nuk kanë qenë të njohura më parë as nga banorët e fshatit Gare dhe as nga studiuesit dhe historianët dhe se e ka punuar këtë libër me aq sa ka pasur material dhe të dhëna, por, rëndësia e gjithë kësaj është se brumin monografik ka ditur ta shpërndaj mirë nëpër kapituj të ndryshëm, dhe ata kapituj i ka renditur ashtu si duhet dhe si e kërkon një libër i këtij karakteri.

RCCOLA

Kamberi, natyrisht librin e nis me parathënien e tij, duke bërë të ditur interesimin e të kahmotshëm si një intelektual i parë nga ky fshat për ta qitur në dritë një “ monument “ të shkruar për fshatin e tij, për të kaluar kështu edhe në kapitujt si:/ Pozita gjeografike e fshatit Gare/, duke shpjeguar pozitën gjeografike, relievin, klimën, hidrografinë dhe gjithçka që bie në këtë kapitull, për të vazhduar me prejardhjen e fshatit, duke saktësuar edhe prejardhjen e fshatit të tij, ku siç pohon autori fshati Gare ka prejardhjen nga Shala e Bajgores në Mitrovicë. Pastaj kapitulli tjetër /Përkatësia fetare e banorëve të fshatit Gare/,/ Kush janë Muhaxhirët e fshatit Gare/, /Kur u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe/, /Si i përjetuan banorët e fshatit Gare luftërat/, /Lufta e Dytë Botërore/, /Toponimia e fshatit Gare/,/ Shpërngulja e banorëve të Garës nga lashtësia deri më sot/, të cilat i ka pajisur me nëntituj të ndryshëm e që tregojnë aspekte me rëndësi për këtë fshat të vogël, por të bukur e të shkrirë në bukuri natyrore në të katër stinët e vitit.

Kur themi se autori përveç që ka konsultuar literaturë, aq sa ka pasur në dispozicion, ai, ka rrugëtuar nëpër shumë qytete shqiptare, aty ku ka dëgjuar se mund të ketë familje të shpërngulura nga fshati Gare dhe atë edhe në Turqi.
Këtu shihet puna ngulmore e autorit që të gjurmojë sa më tepër vende aty ku ka dëgjuar apo dhe ka lexuar, për ta bërë sa më komplete këtë vepër që është si një letërnjoftim për fshatin Gare dhe për banorët e tij, edhe pse tani e boshatisur, por të gjithë ata që do ta kenë në dorë këtë libër do të lidhen ëndërrimthi me vendlindjen e tyre.

Po ashtu themi se autori i librit ka bërë një sistematizim të mirë të lëndës së monografisë, e cila po ashtu shoqërohet edhe me ilustrime fotografish dhe me toponime të vendeve, arave e maleve, të gjitha këto në gjuhë shqipe, pa ndonjë përkthim apo përshtatje nga sllavishtja.

Ky libër e ka vlerën e vet, dhe në 100 faqet e saj është një pasqyrim i mirë i një vlere, i një libri që lexohet me një frymë, duke përmbushur kështu një boshllëk për këtë fshat, edhe pse i vogël, por me histori të bujshme nëpër kapërcime kohore./rajonipress/