Fundamenti

Fqinjët idhnakë

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Ibrahim Rexhepi – Qeveria e Kosovës nuk duhet që secilin ta pres nën ethe sjelljen e Maqedonisë ndaj produkteve kosovare, por duhet të kërkojë rinegociimin e marrëveshjes për tregti të lirë dhe caktimin e kuotave për prodhime të caktuara.

Nuk është hera e parë që Maqedonia bllokon importin e miellit dhe të grurit nga Kosova dhe vendet e tjera eksportuese. Kjo ndodhë për çdo vit, pikërisht në sezonin e korrje-shirjeve, kur Qeveria e Maqedonisë nuk lejon që prodhimi vendor të “mbytet” prej atij nga importi. Sado që masat e këtilla kundërshtohen ashpër nga vendet eksportuese, me arsyetimin se ato janë në kundërshtim me përcaktimet e CEFTA-s, ajo për këtë nuk e ka shumë dert. Është këmbëngulëse në këtë qëndrim.

Kosova nuk është vend që ka fuqi eksportuese , madje me asnjë prodhim. Këtu përfshihet edhe mielli e gruri. Statistikat tregojnë se edhe viteve të mëhershme eksporti i këtyre produkteve ka qenë minimal- në vitin 2011- 1,5 milionë euro, kurse në vitin 2012 – 449 mijë euro. Do të thotë se me këtë sasi të eksportuar nuk ka mundur të çrregulloj tregun maqedonas.

Mirëpo, eksportuesit kosovar, të nxitur nga çmimet e mira në Maqedoni, kanë insistuar me çdo kusht në eksport, sado që tregu vendor ka pasur mungesë të këtyre produkteve. Logjikisht, Qeveria e Kosovës, duke pasur parasysh deficitin e lartë tregtare që ka Kosova nuk është dashur të lejoj eksportin e grurit dhe të miellit, meqenëse kjo rritë importin e këtyre prodhimeve nga Serbia e vendet e tjera. Por, në pamundësi që të ofroj garanci për prodhuesit vendorë, ajo po mbron konceptin e tregut të lirë, i cili shpesh është i dëmshëm pikërisht për kosovarët.

Është krejtësisht i arsyeshëm vendimi i sivjetmë i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që Maqedonisë t’i përgjigjet me masa të reciprocitetit. Pra, në tregun Kosovës nuk lejohet që nga ky vend ë hyjnë të gjitha prodhimet bujqësore, si drithërat, pemët, perimet, lëngjet, qumështi dhe prodhimet e tij, verërat dhe alkooli. Sado që ky vendim ndoshta nuk do të dëmtoj aq rëndë eksportin e shtetit fqinjë, por mjafton që atij t’i tregohet se “kjo shtëpi ka zot”. Nëse sërish iu referohemi statistikave, atëherë pjesëmarrja e këtyre artikujve nuk është aq madhe në importin e përgjithshëm nga Maqedonia, ku nga totali prej 287 milionë euro, gjysma janë naftë dhe derivate të saja. Ndërkaq, produktet e ndaluara nuk përbëjnë as dhjetë përqindëshin, apo pak më shumë se 25 milionë euro.

Hidromorava

Kur vërejmë strukturën e importit dhe të eksportit, atëherë vendimet që kanë marrë qeveritë e të dyja vendeve nuk do të duhej të rrezikojnë tregun e asnjërës. Për Kosovën kjo është e qartë, meqenëse masat vijnë në kohën e prodhimeve të sezonit. Madje, vendimi i MTI-së në këtë moment ka arritur dy qëllime: Maqedonisë i janë treguar dhëmbët dhe në të njëjtën kohë, është krijuar më shumë hapësirë për prodhimet vendore, posaçërisht për perimet. Po ashtu, Maqedonia ka goditur në pikën që nuk dëmton tregun vet dhe fermerëve iu siguron shitje. Ndërkaq, nuk ka prekur sektorin e metaleve, ku nga 26,4 milionë euro sa ishte vjet eksporti në këtë vend, ato përbënin gati një të katërtën. Mirëpo, nuk duhet harruar se metalet mbeturinë vetëm sa mundësojnë shfrytëzimin e kapaciteteve përpunuese në Maqedoni.

Në tërësi ky shtet po ndjek një politikë, e cila duket sikurse po lëndon CEFTA-n, si edhe marrëdhëniet ekonomike me Kosovën. Por, nëse kemi parasysh përplasjet e shpeshta që ndodhin ndërmjet shteteve nënshkruese të kësaj marrëveshje, pastaj qëndrimin që të mbrohet prodhimi vendor nga konkurrenca që vjen prej importit, atëherë as sjellja e Maqedonisë nuk është diçka e re. Madje, nuk do të jetë diçka e jashtëzakonshme sikurse edhe Qeveria e Kosovës të jetë më e kujdesshme kur është në pyetje prodhimi vendorë. Nuk mund të tolerohet liria aq e madhe tregtare, e cila tejkalon të gjitha interesat strategjike të nj qeveria, Ndërkaq, ky interes nuk përfshinë asgjë më shumë se sa zhvillim ekonomik, rritje të punësimit dhe ulje të varfërisë. E, këto nuk mund të arrihen përderisa importi është krejtësisht jashtë kontrollit.

Duke pasur parasysh se Kosova nuk plotëson nevojat e veta pothuaj se me asnjë produkt, pos në afate të shkurtra kohore, atëherë Qeveria e Kosovës këtë situatë duhet ta ketë parasysh gjatë ndërtimit të politikave për marrëdhënie tregtare me vendet prej nga bëhet importi më i madh, përkatësisht me ato që ka MTL. Ajo duhet ët insistoj korrigjimin disa detajeve në këto marrëveshje, duke futur kuotat për disa artikuj. Do të thotë në termine të caktuar kohore të kufizohet sasia e importit. Me këtë do të krijonte një situatë më relaksuese, meqenëse nuk do të ishte nën ethet e asaj se çfarë masash do të merr Maqedonia, apo Serbia,e në të njëjtën kohë prodhuese të pemëve dhe perimeve të sezonit, si edhe të produkteve të tjera ushqimore, do t’u krijonte mundësi për shitje më të mëdha në tregun brendshëm. Por, në të njëjtën kohë duhet të jetë e kujdesshme që të mos paraqiten mungesa në treg, të cilat do të përcilleshin me ngritjen e çmimeve dhe krijimin monopoleve.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)