United Hospital

Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Para disa javësh kam shkruar për Kushtetutën dhe kushtëzimet që po bëjnë pakicat duke shfrytëzuar dispozitat e votimit të dyfishtë, si privilegj që atyre u është dhënë me Kushtetutë dhe me legjislacionin në fuqi.

Ky privilegj, edhe pse jo shpesh, është keqpërdorur nga pakicat që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës për të bllokuar vendime të rëndësishme në Kuvend. Ato raste nuk kishin marrë shumë publicitet, në krahasim me kushtëzimin që tani po e bëjnë pakicat me Forcat e Armatosura, duke kërkuar vazhdimin e vendeve të rezervuara në shkëmbim të votës për këto forca.

Në një situatë të tillë, kur dihet qartë që transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura është vendim i Kuvendit dhe jo i kryeministrit, ky i fundit fatkeqësisht vazhdon të bëjë fushatë duke dezinformuar qytetarët se kinse LDK na qenka kundër formimit të Forcave të Armatosura. Jo që ka diçka për t’u brengosur nga një dezinformim i tillë, sepse qytetarët tashmë janë ngopur me gënjeshtrat e keqpërdorimet e PDK-së, por është për keqardhje të shohësh se sa larg mund të shkojë kjo parti duke keqpërdorë edhe çështje të interesit nacional për të fituar vota. Besimi i qytetarëve në këtë kryeministër dhe partinë e tij tashmë është në minimum, prandaj ata nuk zgjedhin mjete për të fituar vota.

Pakicat e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës janë partner i koalicionit qeverisës që udhëhiqet nga Thaçi. Ky i fundit u kujdes që t’u japë pakicave mjaft privilegje edhe në Qeverinë e tij, duke përfshirë edhe një pozitë të zv/kryeministrit, shumë ministri e pozita zv/ministrash e këshilltarësh. Të gjitha këto, si duket nuk mjaftuan që këta përfaqësues të pakicave të sillen në mënyrë racionale tani kur merren vendime të rëndësishme për Kosovën, siç është transformimi i FSK-së. Në fakt, nuk është as etike nga ana e tyre që të kushtëzojnë në këtë mënyrë, kur dihet që ata janë të mbipërfaqësuar në gati të gjitha institucionet, në krahasim me numrin e tyre në popullsi. Mirëpo në këtë situatë kushtëzimi, Thaçi e ka gabuar adresën në tërësi. Ai nuk ka nevojë ta bindë LDK-në që të votojë për Forcat e Armatosura, por duhet ta bindë partnerin e vet të koalicionit, pra pakicat, që mos ta bllokojnë këtë vendim. Dështimi që të votohet ky vendim, prandaj, është dështim i Qeverisë Thaçi, dhe i askujt tjetër.

UBT

Një nga argumentet që politikanët nga komuniteti serb dhe nga komunitetet e tjera e përdorin në favor të vazhdimit të vendeve të rezervuara është se ata kanë kontribuar në marrjen e vendimeve në shtetndërtimin e Kosovës. Të hënën e ardhshme në Kuvendin e Kosovës ata do ta kenë mundësinë të tregojnë nëse vërtet dëshirojnë të jenë kontribuues të ndërtimit të shtetit të Kosovës, apo thjeshtë disa përfaqësues që nuk u interesojnë as interesat e komunitetit që përfaqësojnë, por thjeshtë të fitojnë pa mund ulëset e tyre në Kuvend. Nga Forcat e Armatosura do të përfitojnë edhe vetë komunitetet pakicë, sepse do të rritej numri i tyre edhe në komponentin e rregullt edhe në atë rezervë. Por, nëse ata e zgjedhin rrugën e kushtëzimit, atëherë argumenti se kinse ata janë kontribuues në ndërtimin e shtetit të Kosovës, nuk vlen. E tëra që ata janë është shfrytëzues privilegjesh pa meritë. Mos të harrojmë që këto ulëse të rezervuara i kishte shfrytëzuar edhe Oliver Ivanoviq. Ai sot është në bankën e të akuzuarit për krime lufte ndaj shqiptarëve.

Pavarësisht se cilën rrugë e zgjedhin pakicat, atë të kontribuuesit apo atë të bllokuesit, LDK tashmë është pozicionuar qartë: pro Forcave të Armatosura por kundër vendeve të rezervuara.

(Autorja është deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.