“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” vjen edhe në Gjilan

Gjilan – Me datën 30 mars, 2013, në Teatrin e Qytetit në Gjilan, Qendra Multimedia nga Prishtina prezanton komedinë patriotike “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, të autorit Jeton Neziraj. Luajnë aktorët e mirënjohur: Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Anisa Ismaili, Adrian Aziri dhe Ernest Malazogu. Regjia: Blerta Neziraj, muzikantë: Susanna Tognella (violinë) dhe Gabriele Marangoni (harmonikë), dramaturg dhe bashkëpunëtor artistik: Ilir Gjocaj, koreografia: Arthur Kuggeleyn, kompozitor: Gabriele Marangoni, skenografia dhe kostumet: Susanne Maier-Staufen.
Kjo komedi vjen në Gjilan mbas premierës në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe prezantimeve në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, Qendrës për Dekontaminim Kulturorë dhe CTC në Shkup.
Shfaqja është pritur shkëlqyeshëm kudo që është prezantuar dhe për të kanë shkruar edhe mediet ndërkombëtare, përfshi “La Republica” (Itali), “Theater Heute” (Gjermani) e Stradda (Francë).
Rreth komedisë
Gati dhjetë vite pas përfundimit të luftës, Kosova, që deri atëherë po administrohej nga misioni i Kombeve të Bashkuara, bëhet gati të shpallë pavarësinë. Shteti më i ri në botë pritet të lindë pas pak.
Sekretari i Ministrisë së Sportit kërkon nga trupa e Teatrit të Kosovës që të përgatisin një shfaqje teatrore solemne e cila do të jepet ditën historike të shpalljes së pavarësisë. Për festën e pavarësisë janë ndarë 2 milion euro. Trupa e teatrit ndjehen të privilegjuar dhe krenarë. Por ky ngazëllim ka edhe sfidat e veta. Pas ca kërkesave “estetike”, politikisht korrekte, trupa përballet edhe me dy “problemthe” të paparashikueshme. I pari, dita kur duhet të shpallet pavarësia mbahet sekret dhe i dyti, në shfaqje duhet të përfshihet edhe fjalimi ende i pashkruar i Kryeministrit, të cilin ai do ta mbajë në parlament në ditën historike.
Dhe derisa ekipi i teatrit fillon provat intensive, Xhejmsi, tekniku i skenës ka një projekt paralel. Ai fillon të konstruktojë një aeroplan me të cilin dëshiron të fluturojë rreth globit me qëllim që, në këtë mënyrë origjinale, të lobojë në shumë shtete të botës për njohje të shtetit të ri.
Lajmi për datën e shpalljes së pavarësisë vjen papritur. Në mbrëmje, kabineti qeveritar, mysafirë nga NATO, UN, EU dhe diplomatë të tjerë, vijnë në Teatrin e Kosovës për të parë shfaqjen – epopenë kombëtare të Kosovës. […]
“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” është një komedi politike mbi njërën nga ngjarjet më të rëndësishme globale të këtij shekulli – lindjen e shtetit të Kosovës.
Kjo është një komedi për Kosovën e re që, e lodhur dhe e rrënuar nga lufta, varfëria, korrupsioni dhe tutelat e pafundme të misioneve ndërkombëtare, përpiqet ta gjejë rrugën e vet drejt të ardhmes…
Producent: Qendra Multimedia
Producent ekzekutiv: Jeton Neziraj
Menaxhere e skenës: Sunita Kurti
Realizimi i skenografisë: Kërste S. Xhidrov
Asistente e kostumografisë: Leonora Mehmeti
Ndriçimi: Skënder Latifi, Ibrahim Xhemaili
Për kompaninë
Qendra Multimedia nga Prishtina është organizatë kulturore. Fokusi i sajë është në teatrin dhe dramaturgjinë bashkëkohore. E themeluar në vitin 2002, ajo prodhon dhe bashkëprodhon aktivitete kulturore për të gjitha moshat, në Kosovë dhe jashtë sajë.
Qendra është themeluar dhe drejtohet nga një grup i artistëve të rinj të cilët synojnë që të krijojnë një format alternativ të prodhimtarisë artistike, të influencojnë politikat kulturore dhe të përdorin artin për të adresuar çështje të ndjeshme politike e sociale.
Disa nga prodhimet teatrore kryesore të Qendrës janë: “Darka e fundit”, “Lufta në kohën e dashurisë”, “Udhëtimi në UNMIKISTAN”, “Enea 06”, “Yue Madeleine Yue”, “Hipermarketi patriotik”, “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” etj.
Disa nga teatrot dhe kompanitë me të cilët qendra ka bashkëpunuar janë: Volkstheater, Vjenë; Markus Zohner Theater Compagnie, Lugano; nomad theater, Londër; L’Espace d’un instant, Paris; Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë; Teatri Bitef, Beograd; CZKD, Beograd; Teatri Oda, Prishtinë; Teatri Kombëtar i Komedisë, Tiranë etj.
Shfaqjet teatrore të Qendrës janë prezantuar në festivale të ndryshme në Evropë dhe Afrikë, ndër to edhe në: euro-scene Leipzig, Gjermani; Die Besten aus dem osten, Austri; Via Modena, Itali; FIT Lugano, Zvicër; Zoom Fetsival, Kroaci etj.
Nga viti 2002, Qendra ka organizuar dhe bashkëorganizuar mbi 100 projekte artistike në Kosovë por edhe në vende të tjera të Evropës si në Maqedoni, Serbi, Zvicër, Kroaci, Francë, Gjermani, Angli, Austri etj. /rajonipress/