Flasin Diella dhe Atdheu, fëmijët e dëshmorëve Hanumshahe e Tefik Zymberi
Gjilan – Diella e Atdhe Zymberi erdhën këto ditë nga Zvicra për ta ndarë dhembjen me të afërmit e tyre në Gjilan. Erdhën dhe ardhja e tyre në 17-vjetorin e rënies së prindërve, është e rëndë. Pse jo? Ata, ndonëse tash janë në moshë, prindërit e tyre, Hanumshahe Abdullahu e Tefik Zymberin nuk i harrojnë. Nuk i harrojnë, se janë pjesa e tyre e jetës. Ata u rritën pa prindër në familjen e axhës së tyre, Bajram Zymberit. Ky prind i afroi dy ferishtat dhe i rriti si fëmijët e vet. I rriti xha Bajrami me gruan e tij Igballen.
Me të lexuar librin e autorit të këtyre radhëve “Pragjet e përgjakura”, që flet për Hanumshahe Abdullahun, dëshmore e kombit, e cila është flijuar më 15 prill të vitit 1999, në Betejën e Zhegocit, kërkuan librin në fjalë. Andaj, ditë më parë, e takuam Diellen te Qendra për Trashëgimi Kulturore në Gjilan. Ishte një takim i prekshëm dhe me dhembje. Diella i përngjante fort nënës së saj, Hanumshahes. Ajo fliste pak, por në sytë e saj shihej dhembja, por krenaria për prindërit dëshmorë të kombit.
Aty afër u gjend edhe zonja Igballe, grua e axhës së Diellës. Ajo së bashku me Bajramin i kanë marrë fëmijët e Hanumshahes Diellen dhe Atdheun dhe i kanë i rritur në Zvicër. Ajo, për sa kohë qëndruam në zyrën e Gjylshene Berishës, lotin nuk e ndali. Ata lotë ishin përjetues dhe me dhembje. I përkujtonte ato ditë të para se si ishte betuar t’i rris këta dy fëmijë si të ishin të saj. I rriti këta dy fëmijë të Hanumshahes e Tefikut, të cilët, Igballen e konsiderojnë si nënë të dytë të tyre. “Po, shtoi Igballe Zymberi, – këta fëmijë i kam rritur si fëmijët e mi. Ble, më tepër jam kujdesur se për fëmijët e mi, sepse e ndjejsha në vete dhembjen se ju mungojnë dy prindërit e tyre. Por, ja luftë ishte. Lufta nuk zgjedh njerëz as moshë.
E, Dielle Zymberi – Shkodra,vajza e Hanumshahe e Tefik Zymberit, rrëfen: “Erdha për manifestimin që do të mbahet, më 15 prilli në Zhegoc, që është përvjetor i rënies së prindërve t’mi. Tash e 17 vjet më parë. Plot mall, dhembje, por edhe krenari, i përkujtojmë prindët tanë: Hanumshahe dhe Tefik Zymberi, dëshmorë. Unë si vajzë e tyre e ndjeki idealin e tyre të shkollimit dhe jam studente në semestrin e gjashtë të Fakultetit në Gjermani – drejtimi i mjekësisë.
Vëllau im, Atdheu 18- vjeçar, tani i ndjek provimet të maturës dhe, pastaj mendon të regjistrohet në fakultetin në drejtimin – inxhinier në ndërtimtari. Edhe pse kam mjaft angazhime në Gjermani, erdhëm në këtë përvjetor së bashku me vëllaun që të jemi të pranishëm në manifestimin përkujtimor në Zhegoc”. Ajo (Diella), dryn në vete dhembjen, por përnjëherë ndjehet krenare që pati dy prindër atdhetarë. Ajo shton:
“Ndihem e lumtur kur shoh të pranishmit që erdhën t’i kujtojnë ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre, jetën, për ta çliruar Kosovën. Po ashtu, hapja e parkut në lagjen Dardania të Gjilanit, në sheshin që mban emrin e prindërve të mi, është një ngjarje që ka shumë vlerë për mua. Parku është ndërtuar me projektim modern dhe evropian për një ambient të bukur për gjithë fëmijët. Më gëzohet zemra kur shoh këtë park të bukur që mban emrin e prindërve të mi dhe dua të falënderoj të parin e Komunës së Gjilanit për punën dhe angazhimet e tyre të vazhduara.
Mendoj që është shumë me rëndësi të kujtohet dhe vlerësohet puna dhe sakrifica e gjithë dëshmorëve të kombit, sepse ata janë të shenjtit e atdheut”. Kur flet për dhembjen, ajo shton:
“Unë dhe vëllau im Atdheu patëm fat që pasi i humbëm prindërit tanë të dashur, axha Bajram, vëllau i babit tonë, dhe grua e tij, Igballja, na bërën prindër të dytë që u kujdesën për ne. Jo vetëm se na rritën me plot dashuri, ne poashtu fituam tre vëllezër të mëdha: Kastriotin, Arianitin dhe Albanin. Unë fillova klasën e parë në Gjermani dhe Atdheu fillonte ta vizitoj kopshtin për fëmijë. Edhe pse ne u rritëm në gurbet, prindërit tonë të dytë vazhdimisht na mësonin gjuhën e nënës dhe traditat shqiptare. Kur e arritëm moshën e duhur, ata na tregonin për prindërit e tanë dëshmorë dhe për sakrificat e tyre. Për këto veprat e tyre falënderoj prindërit Bajramin dhe Igballen që na rritën si fëmijët e tyre dhe u kujdesen shumë për ne. Ne jemi shumë mirënjohës”.
Dielle flet edhe për jetën e saj. “Unë tani kam gjetur personin që dua ta ndaj gjithë jetën së bashku, bashkëshortin tim Korabin dhe ne jemi të lumtur së bashku. I uroj çdo familjari të dëshmorëve të kenë shëndet, lumturi dhe dashuri në jetë, sepse ashtu kishin dëshiruar prindërit tanë”, kështu rrëfen me lot në sy, Dielle Shkodra 22-vjeçare, vajzë e dëshmores së kombit, Hanumshahe Zymberi. /tefik selimi/rajonipress/

