Flamuri në rrezik, kreu i KKSH-së kërcënohet nga gjykatat serbe

Bujanoc – Një Gjykatë serbe nga Vranja ka ngritur një procedurë kundër kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) Galip Beqiri lidhur me flamurin Kombëtar në ballkonin e godinës së këtij institucioni me rastin e shënimit të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
“Heqja e flamurit tonë kombëtar dhe kjo ftesë në gjykatë për këtë çështje është një akt më shumë politik, diskriminues, madje edhe frikë dhe presion psikologjikë ndaj institucioneve tona kombëtare, por edhe ndaj të gjithë shqiptarëve në Bujanoc dhe Luginë. Vendosja e flamurit tonë kombëtar për ne është legjitime, sepse vet institucioni ynë që përfaqëson shqiptarët e Luginës dhe siç e dinë edhe ata në Beograd dhe ndërkombëtarët quhet Këshill Kombëtar Shqiptar. Dhe sikur ky këshill të quhej ta zëmë këshill serb apo këshill azarbejxhanas, ne do ta venim flamurin serb ose atë të azerbejxhanit. Por, meqë ky është këshill i shqiptarëve të Luginës dhe krejt normale se e kemi vënë flamurin kombëtar” ka deklaruar kryetari i KKSH-së Galip Beqiri për presheva jonë.
Në fakt sipas Beqiri, para dy ditëve KKSH ka pranuar një ftesë ku duhet të paraqitet në Gjykatën serbe të Vranjës më 8 prill të këtij viti që ka të bëjë me shpalosjen e flamurit Kombëtar në godinën e KKSH-së.
Beqiri thotë se ne jemi këtu, në tokat tona dhe nuk kemi ndërmend të lëvizim që t’i përballojmë edhe këtyre presioneve që është duke i marrë kohëve të fundit pushteti serb në Bujanoc bashkë me atë qendror në Beograd.
Galip Beqiri lidhur me këtë kërcenim të vet kryetarit të KKSH-së dhe flamurit kombëtar, ka njoftuar edhe faktorin ndërkombëtar në Beograd dhe Bruksel.