Libër me përsiatje dhe vlerësime korrekte
Nga Bilall Maliqi, shkrimtar – Zekerija Idrizi është një vështrues i vëmendshëm, ai di të analizojë poezitë, prozat dhe shkrimet tjera, sepse ai ka kohë të gjatë që merret me shkrime, vlerësime dhe studime, prandaj nuk e ka të vështirë që secilin libër që e lexon, e vështron dhe ia jep mendimin e tij tejet korrekt.
1.
Shkrimtari, studiuesi dhe teologu i njohur, Zekerija Idrizi, përveç që merret me punime e botime të librave të karakterit fetar, libra studimor e analitik, pastaj botimi enciklopedik “Portrete shkrimtarësh “ në pesë vëlllimet e tij, ai merret edhe me vlerësime dhe studime letrare dhe shkencore.
Studiuesi, Idrizi, para nesh na del me një libër me vlerësime me titull “Përsiatje studimore e letrare”, në të cilën merr në trajtesë libra dhe autorë të ndryshëm, librat e të cilëve në një formë a tjetër u kanë rënë në duar autoirt të librit, por jo vetëm kaq ai ka gjurmuar shkrime e poezi edhe nga rrjetin social i facebookut dhe është frymëzuar që të shkruaj mendimet e tij analitike lidhur me librat dhe vlerat e tyre të arritura, duke i lexuar vëmendshëm, po ashtu edhe duke i analizuar e qëmtuar kujdesshëm, për t’i dhënë mandej edhe mendimet e tij korrekte për këta libra dhe autorë të trajtuar.
2.
Libri në fjalë, brenda kopertinave të tij, ngjeshet me vlerësime origjinale nga autori, duke i pajisur mendimet e tij me shprehje të zgjedhura kritike, por edhe objektive, kuptohet nga këndi i tij i përceptimit, vlerësimit dhe pse jo edhe të studimit, por çka është me rëndësi te ky libër, por edhe tek autori, sepse ky studiues assesi këto vlerësime nuk i ka bërë në baza miqësore apo në baza materiale, për t’i lavdëruar, apo për t’i fryer mendimet pozitive të tij të arritura pas leximit të librave të lartëcekura, por ka bërë vëzhgime të thukëta, origjinale, korrekte dhe tejet objektive. Kjo shihet së lexuari të vlerësimeve të tij, të cilat kanë shije artistike dhe estetike, duke u bërë lexues i vëmendshëm, që nga prologu i librave deri tek epilogu, duke i rumbullaksuar ato shkrime njëjtë ashtu siç e jep dhe kërkon “ligji” i studimeve dhe vlerësimeve kritike.
Zekerija Idrizi është një vështrues i vëmendshëm, ai di të analizojë poezitë, prozat dhe shkrimet tjera, sepse ai ka kohë të gjatë që merret me shkrime, vlerësime dhe studime, prandaj nuk e ka të vështirë që secilin libër që e lexon, e vështron dhe ia jep mendimin e tij tejet korrekt, duke u nisur nga parimet bazë të studimit dhe të kritikës, që ajo çfarë është e mirë, e dobishme për letërsinë tonë ta lavdërojë dhe atë pa ndonjë fryerje të tepërt, por ama edhe ajo që është e dobët, apo nën nivelin artistik të asaj vepre autoriale të dikujt, pse jo edhe ta jep mendimin e tij negativ, në mënyrë që të ndahet vlera nga psudo- vlera dhe kjo është ajo kritika objektive, reale dhe korrekte.
3.
Zekerija Idrizi, librin e nis me emra të mëdhenj shkrimtarësh botëror, duke i vlerësuar dhe studiuar me efikasitet dhe me mjeshtri të rrallë, sepse, ai atyre librave, që i kanë edhe kryevepra të tyre, u ka dhënë një vlerësim të gjerësishëm dhe shumë real si psh. Tolstoit për librin “Ç’është arti”, Viktor Hygos, me romanin “Të mjerët”, Anna Gavaldës, për romanin e saj, “Bashkë njeriu ndjehet më pak i vetmuar” dhe Jasmine Buchner, tek të cilët ka bërë një studim bukur të mirë dhe ato studime e vlerësime kanë dalur bukur artistikisht.
Më tej autori ka vazhduar me vlerësimet e librave të autorëve shqiptar, diku 26 autorëve të ndryshëm, tek disa ka vlerësuar librat me poezi tek disa me prozë e me vështrim kritik.
Brenda kopertinave të librit gjejmë këta autorë të vlerësuar, bashkë me librat e tyre:
Bilall Maliqi, me librin me poezi “Grushtim kohësh”, Bardhyl Mahmuti, me librin e tij “Mashtrimi i madh”, Zeqirja Rexhepi me librin “Integrimi Evropian” , Adelina Dardha –Haskaj, me poezi, Donika Babishevci, poezi, Edmond Trupja, poezi, Hana Xhihani, poezi, Zejnepe Alili-Rexhepi, poezi, Diamanta Zalta, poezi, Kristaq Shabani, Koci Qori, poezi, Violeta Kadriu, poezi, Blerina Pëllumbi, poezi, Laureta Malaj, poezi, Nazmije Hasani, poezi, Rexhep Mehmedi, poezi, Dibran Demaku, poezi, Mejreme Kajolli –Tusha, poezi, Xheladin Çitaku, poezi, Bekim Blaku, poezi, Lumni Nimani, poezi, Rabije Bytyqi, poezi, Vera Cato, poezi, Elhame Gjyrevci, roman, Abdulla Blakçori, poezi, Rudina Nano, poezi, Tyran Prizren Spahiu, poezi dhe për librin me vështrime të Emine Boriçit.
4.
Për të gjithë këta autorë librash, studiuesi, Zekerija Idrizi ka shkruar, si për poezi, prozë, por edhe për libër me vështrime kritike , duke na dhënë të dhëna prej vështruesi të vëmendshëm për vlerat ideo-artistike dhe ideo-estetike të librave të shtjelluar, të disa shkrimtarëve me vlera të qëndrueshme artistike dhe të disa që me shkrimet e tyre ngadalë hyjnë në portën e inividualitetit të tyre krijues.
Ky libër ia vlen të jetë në bibliotekat kombëtare, rajonale e lokale, por edhe nëpër bibliotekat private e personale të lexuesve, në mënyrë që këta krijues të lexohen kudo, qoftë edhe nëpër shtëpi private, dhe për këtë libër është mirë të merren edhe studiues të tjerë të historisë së letërsisë./rajonipress/