UBT

Fjolla Hyseni volejbollistja që premton shumë

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Klubi më i suksesshëm i qytetit të Gjilanit, KV Drita e cila në këtë vit fitoi gjithçka që ishte e mundshme duke ngadhënjyer titullin e kampionit të Kosovës në volejboll, Kupën e Kosovës dhe Superkupën e Kosovës, kjo dëshmon se në këtë mes sportiv punohet në mënyrë profesionale, ndërsa në mesin e këtij klubi ka talente të mëdha në mes rrjetave të volejbollit. Njëra ndër volejbollistet e cila dha kontribut të jashtëzakonshëm në KV “Drita” është edhe 19-të vjeçarja Fjolla Hyseni e cila ndeshje pas ndeshje po tregon kualitete të larta.

Fjolla e cila nga mosha 14-të vjeçare filloi të dashurohet në topin e volejbollit duke mos ju ndarë në asnjë çast, ndërsa aspiratat e kësaj volejbolliste tani janë që një ditë ti mbroj ngjyrat e skuadrave të mëdha Evropiane.

“Si çdo e re ju bashkova KV Drita, gjithmonë kam ëndërruar me skuadrën e Dritës ti fitoj të gjitha trofetë e mundshme dhe së bashku me bashkëlojtaret e mia këtë qëllim e kemi arritur dhe për këtë jam shumë krenare, për një sukses të tillë jemi falënderues trajnerit Lorik Ilazit dhe presidentit të klubit Valon Murseli”.

Fjolla karrierën e filloi si korrektore e lojës e cila dha kontribut të jashtëzakonshëm por tani është në rolin e ‘Liberos’ i cili rol në lojën e volejbollit dëshiron koncentrim dhe angazhim tejet të madh.

19-të vjeçarja Fjolla Hyseni e cila përpos lojës së volejbollit ajo ka primare edhe shkollimin e cila studion në drejtimin Juridik duke dëshiruar që të jetë një juriste e suksesshme duke ndarë drejtësinë aty ku kërkohet nevoja.

Për KV Drita ky vit është vit historik pasi ky klub në këtë vit përfaqëson shtetin e Kosovës në CEV Ligën e Kampionëve duke u ballafaquar me skuadrën nga Bulgaria Maritza Plovdiv me 18 Tetor në Palestrën “Bashkim Selishta” – Petrit në Gjilan.

FIDANISHTJA

“Tani e një muaj jemi duke ushtruar në mënyrë intensive për këtë ballafaqim historik, do të jetë një ditë madhështore jo vetëm për klubin e Dritës por për tërë qytetin e Gjilanit, ajo ditë për sportin e Gjilanit do të shënohet me shkronja të arta”, shprehet Fjolla Hyseni.

Fjolla thekson se ballafaqimi me skuadrën nga Bullgaria do të jetë edhe një test i madh edhe për volejbollin e Kosovës.
“Fatmirësisht tani jemi të pranuar edhe ndërkombëtarisht është një përvojë e re për volejbollin e Kosovës dhe për klubin tonë, do të japim gjithçka nga vetja jonë do të shkrijmë atomin e fundit të energjisë për rezultat pozitiv”, thekson libero e KV Drita Fjolla Hyseni.

Për nga natyra Fjolla është e qetë por gjatë lojës kjo volejbolliste është e pa kompromis ndaj kundërshtareve, ajo ka edhe një apel për tifozët e klubit Drita “Intelektualët”.

“Shfrytëzoj rastin t`i falënderoj nga zemra të gjithë tifozët që gjatë tërë këtyre kohërave kanë qenë afër me sukseset e Dritës duke na përkrahur në momentet vendimtare, ju premtoj se ndeshja me skuadrën nga Bulgaria Maritza Plovdiv do të jetë një spektakël do të bëjmë gjithçka të mundur t’ju shpërblejmë me fitore, ndërsa i ftoj të gjithë “Intelektualët” dhe qytetarët e Gjilanit që këtë ndeshje ta përjetojmë si ndeshje historike duke dëshmuar se në Gjilan e Kosovë ka sportistë të cilët dinë dhe munden ta nderojnë jo vetëm klubin, qytetin por edhe shtetin e Kosovës”, shprehet me emocione Fjolla Hyseni.

Të kesh në skuadër sportiste siç është Fjolla dhe shoqet e saja është një kënaqësi e vërtetë pasi aty frymon sporti dhe kultura./rajonipress/