Fitojmë në Sarajevë!

Uliks Fehmiu fitoi çmimin Aktori më i Mirë ndërsa filmi Kthimi i Blerta Zeqirit u zgjodh Filmi më i Mirë i Shkurtër në Festivalin e Filmit në Sarajevë dhe nominohet për EFA award.
Një komedi e zezë rumune mbi zhgënjimin e një babai të shkurorëzuar dhe dashurinë për vajzën e tij pesëvjeçare fitoi çmimin Zemra e Sarajevës të shtunën në fund të Festivalit të Filmit në Sarajevë.
Toata Lumea Din Familia Noastra (“Secili në familjen tonë”) me regji të Radu Jude, fitoi çmimin më të mirë në Festivalin e 18-të të Filmit në Sarajevë, një nga më të mëdhenjtë në Europë.
Ndërsa Uliks Fehmiu, djali i aktorit të madh Bekim Fehmiu fitoi çmimin aktori më i mirë për punën e tij në filmin “Ustanicka Ulica” (“Rruga e shpenguar”).
Krenarisë shqiptare i shtohet edhe fitorja e filmit “Kthimi” të Blerta Zeqirit i cili mori çmimin Filmi më i Mirë i Shkurtër në këtë festival. Kthimi është nominuar gjithashtu për çmimin Filmi më i Mirë i Shkurtër për Akademinë Europiane të Filmit.
Me të marrë çmimin, Blerta Zeqiri tha ‘Po e marr Zemrën e Sarajevës, por edhe po ia jap zemrën Sarajevës’.
Festivali i filmit në Sarajevë mbajti edicionin e 18-të të tij. Ky festival kishte lindur si akt i rezistencës gjatë viteve 1992-1995, kur Sarajeva ishte nën rrethim.
Pikërisht me këtë temë, aktorja e njohur Angelina Jolie debutoi me filmin e saj për luftën e Bosnës.
Regjisorja e “In the Land Of Blood and Honey” ishte mysafire speciale e Festivalit të Sarajevës.
Gjatë qëndrimit të saj në kryeqytetin e Bosnjës ajo u bë qytetare nderi e Sarajevës për përpjekjet e saj në “tregimin e së vërtetës rreth ngjarjeve të luftës në Sarajevë dhe Bosnje-Hercegovinë”.