Fillon aplikimi i brucoshave në Universitetet Publike

Është hapur konkursi për pranimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”, për nivelin bazë të studimeve, i cili këtë vit do të pranojë 11 932 studentë, këtu përfshihen edhe pranimi i studentëve për tri universitetet e reja, atë të Gjilanit, Gjakovës dhe Mitrovicës.
1.400 prej të pranuarve nga 1 tetori do të jenë pjesë e Universitetit të Gjilanit, 350 nga numri i përgjithshëm që do t’i takojnë Universitetit të Gjakovës, dhe 630 po ashtu prej numrit të përgjithshëm do t’i takojnë Universitetit të Mitrovicës.
Fakultetet që edhe këtë afat do të pranojë numër të madh të studentëve, përkundër ankesave të vazhdueshme për mungesë të hapësirës janë Fakulteti i Ekonomisë, i cili këtë afat do t’i pranoj 2750 studentë, 1950 prej tyre për qendrën në Prishtinë.
Fakulteti Juridik, i cili këtë afat do të pranojë 1400 studentë, 400 prej tyre do të jenë pjesë e Universitetit të Gjilanit.
Fakulteti Filozofik do të pranojë 1140 studentë këtë afat, dhe për nga numri i studentëve të pranuar renditet i dyti, të cilit i paraprin Fakulteti Ekonomik me 1950 studentë të rregullt dhe me korrespodencë, për nivelin bazë të studimeve.
Fletëparaqitja për aplikim së bashku me pagesën prej 5 eurove dhe dokumentet tjera të kërkuara për aplikantët, sipas konkursit, dorëzohen në fakultetet përkatëse. Po ashtu aty janë të specifikuara edhe dokumentet e nevojshme për regjistrim.
Konkursi do të jetë i hapur deri me 23 korrik, kurse mw 26 dhe 27 korrik do të mbahet provimi pranues në të gjitha njësitë akademike të UP-së. Me 30 korrik do të bëhet publikimi i rezultateve, me 31 korrik dhe 1 gusht pranimi i ankesave, të cilat do t’i shqyrtojë një komision i kryesuar nga rektori.
Me 5 gusht publikimi i listave sipas ankesave, me 2 deri me 6 shtator do të bëhet regjistrimi i studentëve për afatin e parë, me orar të caktuar për fakultetet përkatëse, të cilën mund ta gjeni në konkursin e shpallur në uebsajtin e UP.
Universiteti i Prishtinës, këtë vit do të pranojë edhe 323 studentë nga Presheva, Bujanoci, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia për qendrën në Gjilan 7 dhe për qendrën në Gjakovë 1 aplikues.
Universiteti i Prishtinës, për mësim në gjuhën shqipe, do të pranojë edhe 294 studentë nga pjesëtarët e komuniteteve: boshnjakë, turq, romë, ashkali dhe egjiptianë./Kosovapress/