ARKATANA

Festojnë bashkë

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Asnjëherë më shumë fëmijë dhe të rinj të veshur me kostume kombëtare shqiptare nuk kemi parë nëpër manifestime të shumta që organizohen nëpër Zvicër sesa të dielën në Horgen të Cyrihut.

Më shumë se 350 valltarë, këngëtarë dhe aktorë dolën në skenë para bashkatdhetarëve të shumtë që kishin ardhur në manifestimin qendror që kishte organizuar Ministria e Diasporës e Kosovës me rastin e 6-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Ishte hera e parë që bëheshin bashkë 16 shoqata e ansamble kulturore për të prezantuar një program që këtë herë po e organizonin institucionet e Kosovës. Salla e Komunës së Horgenit ishte mbushur plot me bashkatdhetarë që i ishin gëzuar këtij festimi, ngase po mblidheshin bashkë.

Këshilli organizativ në program u kishte lënë pak hapësirë fjalimeve duke menduar më shumë për minutazhin e shkurtër që kishin të siguruar shoqatat kulturore.

Megjithatë, organizatorit që i bëri bashkë iu dha fjala.

Është ministri kosovar i Diasporës që ngjitet i pari në skenë.

„Kur jemi bashkë, jemi më shumë dhe kur jemi më shumë, jemi më të fortë“, tha në fillim të manifestimit ministri kosovar i Diasporës, Ibrahim Makolli, duke përçuar mesazhin e bashkimit nëpër manifestimet që po mbahen në diasporë.

Ministri tha se po shënojnë 3 ngjarje më të mëdha në historinë tonë më të re.

Mandej ai ka folur për sakrificat e popullit shqiptar për pavarësinë e Kosovës. po edhe për tërë shqiptarët në Ballkan.

„Prej kohës së Lidhjes së Prizrenit deri në luftën e fundit të UÇK-së historia jonë ishte e mbushur me përpjekje, sakrifica, kryengritje e luftëra të mëdha për çlirimin dhe mëvetësinë për të qenë zot të vetvetes në tokën tonë. Shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 i paraprijnë ngjarje sa tragjike, aq dhe krenare. Në veçanti në dy dekadat e fundit“, tha Makolli.

Ai ka folur edhe për situatën aktuale politike në Kosovë.

„Shteti i Kosovë po përballet me shumë sfida, por dita-ditës po shënon progres, duke ndërtuar institucione demokratike të afta për t’i përballuar të gjitha vështirësitë. Shqiptarët janë sot më të fortë se kurrë. Shqipëria anëtare e NATO-s dhe në prag të hyrjes në BE. Kosova e lirë dhe e pavarur dhe me aspirata për t’u integruar në familjen evropiane“, tha ministri.

Sipas tij, kanë mbetur edhe shumë punë për t’u bërë në integrimet kombëtare dhe ndërkombëtare për të realizuar, siç tha Makolli, jo vetëm ëndrrën, por edhe amanetin dhe idealin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj, nga ana tjetër tha se në udhëtimin për liri dhe pavarësi mërgata ka luajtur një rol të rëndësishëm në të gjitha periudhat kohore.

“Në themelet e kësaj pavarësie, përveç gjakut të bijave dhe bijve, që është edhe sakrifica më sublime, është për ta shkruar me shkronja të arta edhe kontributin nga mërgata jonë“, tha diplomati kosovar.

Uji Dea

Por tash mërgata ka detyra të tjera.

“Funksioni juaj tash në Zvicër është t’i forconi lidhjet me popujt e tjerë, ngase pavarësisht institucioneve tona, ambasadave, ju jeni ambasadorët më të mirë. Ju jeni ata që për çdo ditë përfaqësoni shtetin e Kosovës. Një mision tjetër është ndërtimi dhe zhvillimi i shtetit të Kosovës, vendi juaj ende ka nevojë për investimet tuaja. Por, një detyrë e shenjtë është ta përcillni kulturën dhe gjuhën e popullit shqiptar te fëmijët tuaj dhe tanë që ta flasin gjuhën e bukur shqipe“, tha ambasadori Malaj.

Nga ana tjetër, sipas njërës prej organizatorëve të këto manifestimi, Shukrije Ramadani, tashmë ushtruese e detyrës së kryetares së Qendrës Kulturore në Cyrih, ishte shumë lehtë të bëhen bashkë kosovarët, ngase interesimi ishte i madh që të festohet bashkërisht për të treguar se dinë edhe bashkë të organizohen.

„Ne kemi gjetur bashkëpunëtorë shoqatash që programin e tyre të bujshëm që zgjat me orë ta shkurtojnë në 10 minuta. Shumica e shoqatave kanë festuar një herë në vendet e tyre, por kanë shprehur gatishmërinë të jenë pjesë e festimit të përbashkët, duke treguar se dimë të organizohemi. Ne si komunitet shqiptar duhet të tregojmë dhe para zviceranëve se dimë të organizohemi“, tha zonja Ramadani.

Ministria e Diasporës synon që në ardhmen t‘i bëjë tradicionale takimet e shqiptarëve si në Zvicër, edhe në vendet e tjera. Këtë vit është paraparë dhe një festival i muzikës folklorike në Cyrih.

„350 valltarë, këngëtarë e aktorë kanë dalë në skenën e Cyrihut. Të gjithë këta kanë komunikuar me njëri-tjetrin. Janë një numër i madh i të rinjve. Kësaj here nuk kemi arritur të tregojmë ndonjë përmbajtje, ngase kemi pasur kohë shumë të shkurtër të organizimit të manifestimit. Por herën tjetër do të tregojmë më shumë, ngase kemi shoqata mjaft cilësore artistike në Zvicër“, tha zonja Ramadani.

Për koreografin e ansamblit „Gëzuar” nga Gjeneva, profesor Xhemali Berisha, kjo tregon se me manifestime të këtilla të rinjtë e mbledhur këtu kanë bërë një integrim jo vetëm kulturor, por edhe tradicional.

„Me manifestime të këtilla të rinjtë dhe të rejat janë shumë më afër njëri-tjetrit dhe ka shumë domethënie jo vetëm në formën e vallëzimit, por edhe të njoftimit me njëri-tjetrin, apo edhe të rasteve të tjera që mund të dashurohen dhe të martohen për të vazhduar jetën tutje“, thotë koreografi Berisha, të cilit iu dha mundësia të niste manifestimin.

„Strukturat shtetërore duhet të tregojnë praninë dhe interesin e tyre. Për herë të parë shohim një dimension të ri në skenë me një përmbajtje cilësore. Ky tubim është historik, sepse për herë të parë është Ministria e Diasporës këtu dhe për herë të parë janë 16 shoqata që bëhen bashkë. Manifestimi i sotëm të jetë model edhe për organizime të tjera në të ardhmen“, tha Berisha.

Edhe për kryetarin e ansamblit “Vatra”, Nexhmedin Isufi, ishte arritur qëllimi që shoqatat edhe nga pjesa frankofone, po edhe nga ajo gjermane të prezantojnë bashkë në një manifestim për pavarësinë e Kosovës.

Ansambli “Vatra” ka marrë pjesë me koreodramën „Komandanti“, nën udhëheqjen e koreografit Arsim Berisha.

„Është një sinjal bashkimi që ne mund të organizohemi edhe në të ardhmen, se ne mund ta bashkojmë edhe repertorin e bujshëm që e kemi. Komuniteti është lodhur nga manifestimet e shumta që për çdo vikend organizojnë shoqatat kulturore“, thotë Isufi.

Koreografi Agron Bajrami nga Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota” bëri të ditur për albinfo.ch se një pjesë e shoqatave janë tërhequr për shkak të minutazhit të shkurtër të prezantimit. Por, ai është i mendimit se grupet kulturore në Zvicër së paku një herë në vit duhet të mblidhen bashkë.

Edhe përfaqësuesi i LAPSH-it është ndarë i kënaqur në manifestimin e së dielës „Kjo i paraprin fillimit të punës së Qendrës Kulturore në Cyrih. Mund të ketë shoqata që nuk janë të kënaqura me minutazhin. Por, megjithatë mendoj se programi që kalon mbi 2 orë është i mërzitshëm, por nga ana tjetër, ne jemi një komunitet i madh në Zvicër dhe është problem të reduktohemi në një program të këtillë. Do të ishte mirë që në të ardhmen të grumbullohemi në 2 apo 3 manifestime qendrore në tërë Zvicrën, ngase është mirë të na përcjellë edhe publiku i Gjenevës“, thotë kryetari i LAPSH-it, Naim Maloku.

Krejt në fund, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka shpërblyer me nga një mirënjohje shoqatat kulturore që prezantuan në manifestimin e përbashkët me rastin e 6-vjetorit të pavarësisë së Kosovës./Sevdail Tahiri/albinfo/