FITORJA

Festa e librit shpërfaq problemet e botimeve shqiptare

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Tiranë – Në hollin kryesor shtandet janë të stërmbushura me libra. Ato janë të rregulluara mirë dhe të stolisura me posterë të titujve të rinj.

Trendi për të angazhuar vajza të bukura si shitëse ka dalë të jetë i suksesshëm në afrimin e klientëve. Ata qysh në mëngjesin e së mërkurës kanë vizituar edicionin e 15-të të Panairit të Librit, që është hapur në orët e paradites në Pallatin e Kongreseve. Mbi 100 botues nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia janë pjesë e Panairit, i cili si çdo aktivitet tjetër gjatë këtij muaji, po e shënon 100-vjetorin e shpalljes së Shqipërisë shtet.

Tri katet e pallatit janë të mbushura me shtande, çmimi për të cilat për shumë botues ka qenë i shtrenjtë. Si edhe çdo vit tjetër, shumica e botuesve janë ankuar për mungesë shitjeje, ani pse ishte dita e parë e Panairit. Në katin e dytë, në një qoshe në anën e majtë, është një shtand krejt i veçantë. Aty është stacionuar Ambasada e Francës, që po prezanton letërsinë frankofone për lexuesit shqiptarë. Shtandi francez ka një pamje të një kafeje librarie të stilit parisien me ulëse e libra gjithandej të gatshëm jo vetëm për t’u blerë, por edhe për t’u lexuar aty për aty. Disa metra më tej, një korridor pa drita të çon në një sallë konferencash, e cila ka pamjen e atyre sallave ku partia mbante mbledhjet në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës.

Gazetarët nga mediet shqiptare nuk i kanë dhënë shumë rëndësi kohore mbulimit të Panairit, pasi agjenda e ngjarjeve që po ndodhin këto ditë në Tiranë është e ngjeshur. Larg pamjes “evropiane” të hapësirës së ekspozimit të botimeve në Panair, organizatorët, botues dhe kritikë të ndryshëm kanë folur për Panairin e Librit në Tiranë si për një festival të librit, por në të njëjtën kohë komentet e tyre rreth gjendjes së librit shqip flasin për një “ambient jo fort të lumtur ndër botues”. Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, Petrit Imeri, që edhe organizon Panairin, ka folur me terma si “ngritje standardi” dhe “cilësi evropiane” kur ka folur për atë se çfarë prodhojnë botimet shqiptare sot. Por nuk ka mundur t’u ikte edhe ankesave, të cilat janë më praktike. “Kemi një ligj për të drejtat e autorit, por ka nevojë për plotësime. Botimet nuk janë në gjendje të mirë, por ato me një vullnet individual bëjnë të pamundurën të sjellin tituj cilësorë”, ka thënë Ymeri. Ai ka përmendur shoqatën që e drejton, e cila këtë vit shënon 20-vjetorin e themelimit – kur ka folur për “arritjet të cilat i ka bërë Shoqata në ngritjen e cilësisë së botimeve në shqip”.

Uji Dea

Mungesën e një platforme të zhvillimit të fushës së botimeve e ka theksuar edhe Gëzim Tafo, nënkryetar i kësaj shoqate dhe botues. Sipas tij, libri tek shqiptarët nuk po mund të zërë një pozicion stabil. Por, sipas tij, duhet të bëhet më shumë në fushën e rregullimit të infrastrukturës profesionale të botuesve.

E këtë u ka premtuar kryetari i Tiranës, Lulzim Basha. Në fjalën e tij hapëse, Basha ka thënë se sfidat e botuesve shqiptarë janë të mëdha, por që me rregullimin e infrastrukturës ligjore dhe asaj fizike do të ketë më shumë hapësirë për zhvillimin më të madh të botimeve shqiptare. “Sikurse që botuesit përballen me sfida, edhe shkalla e ndërgjegjësimit të brezave të rinj që të kenë kontakt me librin lënë shumë për të dëshiruar”, ka thënë Basha, teksa ka shtuar se bashkia që e drejton po mendon që ta mbështesë edhe ndonjë nismë që do ta organizonte një panair ndërkombëtar të librit në Tiranë. “Ky panair do të mbahej gjatë verës, kur edhe ka më shumë turistë në Shqipëri”, ka thënë Basha.

E teksa Basha ka folur për panair ndërkombëtar, drejtuesi i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Abdullah Zeneli, ka thënë në fjalën e tij se “kultura dhe arti kanë qenë dy faktorët të cilët i kanë bërë bashkë shqiptarët”. Sipas tij, botuesit nga Kosova prezantohen dinjitetshëm në panairin e këtij viti në Tiranë. “Kemi një prezantim të titujve të rinj nga shumë botues kosovarë”, ka thënë Zeneli. E shtandi i botimeve kosovare në këtë panair ka zënë hapësirën e vitit të kaluar. Aty janë paraqitur tituj të mbi 20 shtëpive botuese nga Kosova.

Ndër to janë edhe titujt e Botimeve KOHA. “Lakorja e Ik’sit” e Eqrem Bashës, “Autobiografia” e Vanessa Redgrave, “Arbën Xhaferi rrëfen – Në Tetovë, në kërkim të kuptimit” i Enver Robellit, “Pararendësi” i Idriz Ajetit, “Libri i fluturave” i Veton Surroit, “Ithtarët e librit” i Zakarija Karabellit, trilogjia e Blerim Shalës “Libri i fitores”, janë disa nga titujt që po prezantohen atje. Edhe “Lum lumi” i Ali Podrimjes, të cilin KOHA e ka ribotuar së fundmi në ditëlindjen e autorit të ndjerë, është në listën e Botimeve KOHA. Në Panair janë edhe botimet e tjera, si ato të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Një shtand i vogël, por në të cilin – siç thotë Lidie Kelmendi, që përfaqëson shtandin e AShAK-ut- do të prezantohen 140 tituj. “Disa prej tyre janë botime të reja dhe presim që të ketë një shitje të kënaqshme”, ka thënë Kelmendi. Edhe pse ora ishte 12:00, librat e AShAK-ut rrinin ende në paketa. “Jemi vonuar pak”, ka thënë Kelmendi. Por shtandi i AShAK-ut nuk ka qenë i vetmi që ka mbetur prapa. Edhe shumë shtange të tjera mesdita i ka zënë duke renditur libra. (koha)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.