Festa e Flamurit, me aktivitete të ndryshme shënohet edhe në shkollën “Nazim Hikmet” në Dobërçan
Gjilan – Dita e Flamurit u shënua edhe në shkollën “Nazim Hikmet” në Dobërçan me aktivitete të ndryshme të përgatitura nga mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle, ku përveç kuizeve të diturisë, ekspozitës me motive për Ditën e Flamurit Kombëtar, ishte përgatitur edhe një program festiv, ku nxënësit kënduan, recituan, vallëzuan dhe kremtuan së bashku.
Për rëndësinë historike të datës 28 Nëntor, foli arsimtari i historisë në këtë shkollë, Rexhep Arifi, ku ndër të tjerash tha:”Historia e popullit tonë është e mbushur me shumë ngjarje historike. Mirëpo, data 28 nëntor, gërsheton ngjarje të shumta historike dhe si e tillë është e bekuar dhe e shënuar për të gjithë ne. Ka qenë dhe gjithmonë do të mbetet simbol i bashkimit, unitetit, lidhjes, krenarisë, qëndresës, sakrificës dhe vendosmërisë së popullit shqiptar për liri e pavarësi”.
Ky organizim u bë nën përkujdesjen e drejtorit të shkollës “Nazim Hikmet” z. Fadil Shabani dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle të cilët me shumë kujdes e përkushtim kishin përgatitur nxënësit për programin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.
“Atdhedashuria është fara që mbjellim në zemrat e fëmijëve tanë, për të lulëzuar nesër në një brez që do të mbrojë me krenari rrënjët dhe vlerat e kombit.”
Gëzuar festat e Nëntorit!