RCCOLA

Femra në politikë dhe institucione ende shihet si dekor

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Sipas OJQ-së Anamorava participimi i femrave në organet vendimmarrëse të partive politike është pothuajse e papërfillshme. Edhe në institucionet komunale nuk zbatohet parimi i barazisë gjinore. Por Drita Klaiqi zyrtare për barazi gjinore thotë se Gjilani në krahasim me komunat tjera në Kosovë ka një respektim të madh të barazisë gjinore, me një punësim prej 40 % të femrave.

Në kuadër të realizimit të projektit “Qeverisja Lokale”,OJQ “ Anamorava” ka bërë disa rekomandime dhe analiza ku flet edhe për barazinë gjinore në institucione dhe në jetën politike.

Sipas këtij raporti në kuadër të Komunës së Gjilanit parimi i barazisë gjinore zbatohet vetëm në përbërjen e anëtarëve të Kuvendit të Komunës, ku prej gjithsej 41 anëtarëve të asamblesë komunale 14 janë femra. “Në përbërjen e ekzekutivit komunal vetëm një femër e ushtron detyrën e drejtoreshës të Drejtorisë Komunale për urbanizëm dhe planifikim hapësinor. Një femër është udhëheqëse e shërbimit të prokurimit komunal. Në kuadër të Kuvendit të Komunës, aktivitetin e tyre e zhvillojnë pesë grupe kuvendore, në krye të asnjërit nuk është ndonjë femër. Nga gjithsej nëntë Komitete dhe trupa tjerë punës të cilët funksionojnë në kuadër të Kuvendit të Komunës, vetëm një femër e udhëheqë Komitetin për urbanizëm dhe planifikim hapësinor” ka thënë Isa Shefkiu hartues i raportit.

Sipas Shefkiut në përbërjen e Komitetit për Politikë dhe Financa si dhe Komitetin për Komunitete, nuk ka asnjë femër, në tërësi është e gjinisë mashkullore. “Në përbërjen e Komitetit për Shëndetësi dhe mirëqenie sociale gjinia femërore përfaqësohet vetëm me një doktoreshë. Në Komitetin për Shërbime Publike si dhe në Komitetin për kulturë, rini, sport dhe çështje gjinore, gjinia femërore është e përfaqësuar me nga tri femra. Në përbërjen e Komitetit për arsim katër anëtare janë femra. I vetmi përjashtim tek ky Komitet ku femrat janë të përfaqësuara më shumë se sa meshkujt. Në Komitetin Komunal për planifikim zhvillimor dhe urban prej gjithsej prej nëntë anëtarëve vetëm me dy anëtarë përfaqësohet gjinia femërore”.

Raporti ndërkaq ka qenë kritik në fushën e arsimit. “Përbërja gjinore në institucionet arsimore nuk është e kënaqshme, sepse gjinia femërore është e diskriminuar. Kështu prej gjithsej 24 shkolla fillore në 23 shkolla drejtorët janë meshkuj vetëm në një shkollë drejtoreshë është një femër. Prej gjithsej gjashtë zëvendës drejtoreve të shkollave fillore katër janë femra dhe dy meshkuj. Në tri institucione parashkollore të gjitha drejtoreshat janë femra. Prej gjithsej trembëdhjetë sekretarëve në shkollat fillore vetëm dy janë femra . Në shtatë shkolla të mesme të gjithë drejtorët janë meshkuj. Prej gjithsej katër zëvendësdrejtor të shkollave të mesme të gjithë janë meshkuj. Prej gjithsej pesë sekretar të shkollave të mesme të gjithë janë meshkuj. Në kuadër të inspeksionit arsimor prej tetë inspektorëve dy janë femra” thuhet në raport.

Eco Higjiena

“Të dhënat e parashtruara më sipër me kokëfortësi tregojnë se që nga fillimi i zbatimit të Ligjit për barazi gjinore, rezultatet në implementimin e tij janë të pakta. Nuk mund të ketë një vendimmarrje të suksesshme pa femra, jo vetëm në institucionet politike dhe
shtetërore, por edhe në fushat tjera të jetës shoqërore. Megjithatë problemi kyç qëndron te partitë politike në funksionimin e të cilave që nga themelimi i tyre mungon demokracia e brendshme” tërheq vërejtjen Isa Shefkiu.

Sipas tij participimi i femrave në organet vendimmarrëse të partive politike është, pothuajse e papërfillshme. “Nuk janë të rralla rastet, ku femrat inkuadrohen në politikë vetëm për të përmbushur formën, jo pse e kanë obligim ta respektojnë parimin e barazisë gjinore në përbërjen e organeve partiake, përfaqësuese dhe ekzekutive, prandaj duhet të bëhen reformat brenda subjekteve politike me të cilat krijohet hapësirë e tillë që femrat mund të shprehin mendimin e vet të lirë si në parti si dhe në angazhimet e saj që ka
jashtë partisë. Por, edhe femrat duhet të jenë më këmbëngulëse në realizimin e të drejtave të tyre, ato duhet të bëjnë përpjeke më të fuqishme në punimet e Parlamentit, Kuvendit Komunal dhe në Institucionet e tjera Komunale për një pjesëmarrje më të madhe në procesin e vendimmarrjes institucionale në vetëqeverisjen lokale”.

Shefkiu tha se mos përfshirja më e madhe e femrës në proceset e vendimmarrjes është tregues se në organet partiake dhe ato qeverisëse, ende në opinion është mbizotëruese një mendësia arkaike, e cila femrën në politikë ende e trajton vetëm si dekor dhe formalitet.

Por gjendjen ndryshe e sheh Drita Klaiqi zyrtare për barazi gjinore në Komunën e Gjilanit.

Klaiqi tha për rajonipress se vetëm në dy komitete nuk kanë femra, por ajo fajin për këtë ua hedh partive politike. “Partitë politike nuk delegojnë femra nëpër këto komitete dhe për këtë nuk mund të fajësohen institucionet. Bile në krahasim me komunat tjera Gjilani ka një gjendje dukshëm më të mirë meqë i kemi të punësuar rreth 40 % femra” tha Klaiqi./rajonipress/