Pacolli kërkon hetim urgjent nga SPAK: “Koha për të zbardhur të vërtetën në Aeroportin e Vlorës është tani”
Vlorë – Presidenti i MABCO-s, Behgjet Pacolli, ka reaguar publikisht lidhur me zhvillimet e fundit në Aeroportin e Vlorës, duke kërkuar nisjen e menjëhershme të hetimeve nga SPAK për atë që ai e cilëson si një nga skandalet më të rënda që kanë shoqëruar këtë projekt strategjik kombëtar.
Në një adresim publik drejtuar qytetarëve dhe veçanërisht banorëve të Vlorës, Pacolli ka deklaruar se opinioni publik ende nuk është informuar mbi gjendjen reale në aeroport dhe ka bërë thirrje që institucionet e drejtësisë të ndërhyjnë pa vonesë.
“Të dashur qytetarë, të dashur vlonjatë, ju, qytetarë të nderuar, keni të drejtën të informoheni mbi të vërtetën. Fatkeqësisht, ende nuk jeni njohur me gjendjen reale në Aeroportin e Vlorës. Për këtë arsye, i bëj thirrje urgjente SPAK-ut të nisë menjëherë hetime të plota mbi këtë skandal të rëndë, të krijuar dhe ushqyer nga individë që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë në kundërshtim me ligjin, duke cenuar rëndë shtetin e së drejtës dhe sistemin juridik të Republikës së Shqipërisë. Koha për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë përgjegjësit para drejtësisë është tani”, ka deklaruar Pacolli.
Ai ka bërë të ditur se pas muajsh të tërë bllokade, MABCO dhe kompanitë nënkontraktuese kanë arritur të rikthehen në kantierin e Aeroportit të Vlorës dhe aktualisht po kryejnë verifikimin e dëmeve të shkaktuara gjatë periudhës së bllokimit.
“Pas muajsh të tërë bllokade të paligjshme dhe uzurpimi të Terminalit të Vlorës nga grupe kriminale, sot MABCO dhe nënkontraktorët tanë kanë mundur të rikthehen në vendet e tyre të punës. Në këto momente po kryhet verifikimi dhe evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga vandalizmi, vjedhjet dhe shkatërrimet e ndodhura gjatë kësaj periudhe”, është shprehur ai.
Sipas Pacollit, dëmet e konstatuara përfshijnë inventarin e specializuar të aeroportit, të projektuar dhe instaluar posaçërisht për funksionimin e tij, si dhe pajisjet, makineritë dhe mjetet e punës në pronësi të kompanive nënkontraktuese.
“Dëmet e konstatuara përfshijnë si inventarin e çmuar, të projektuar, porositur, prodhuar dhe instaluar posaçërisht për funksionimin e aeroportit, ashtu edhe instrumentet, pajisjet dhe mjetet e punës që përbëjnë pronë private të kompanive nënkontraktuese”, ka theksuar ai.
Në reagimin e tij, Pacolli ka ngritur akuza të rënda për mënyrën se si, sipas tij, është penguar zhvillimi i punimeve për më shumë se dhjetë muaj.
“Për më shumë se dhjetë muaj, këto grupe kriminale kanë vepruar në kundërshtim flagrant me ligjin, me metoda të papranueshme dhe çnjerëzore, duke cenuar jo vetëm pronën private, por edhe rendin juridik dhe sigurinë e investimeve. Më shqetësues është fakti se veprimtaria e tyre dyshohet se është mbështetur ose toleruar nga individë që fshihen pas petkut institucional, ndërsa në raste të caktuara kanë tentuar të ndikojnë edhe procese gjyqësore, duke sfiduar hapur sistemin e drejtësisë në Shqipëri”, ka deklaruar ai.
Pacolli ka kërkuar që hetimet të jenë të plota, të pavarura dhe pa asnjë ndikim politik apo institucional.
“Sot, në emër të ligjit, të drejtësisë dhe të besimit që qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të kenë tek institucionet e shtetit, i bëj thirrje publike SPAK që të nisë menjëherë një hetim të plotë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës për të gjitha ngjarjet kriminale të ndodhura gjatë kësaj periudhe, pa asnjë dallim dhe pa asnjë mbrojtje për askënd, pavarësisht pozitës, ndikimit apo lidhjeve që mund të ketë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, është e domosdoshme që të identifikohet dhe të mbahet përgjegjës i gjithë zinxhiri i personave të përfshirë në veprimet që kanë dëmtuar interesin publik, sigurinë juridike dhe besueshmërinë e Shqipërisë si vend që garanton sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e investimeve.
Pacolli ka kërkuar gjithashtu që institucionet kompetente të marrin masa për të garantuar sigurinë e punonjësve, kompanive kontraktuese dhe të gjithë atyre që besojnë te ligji dhe funksionimi normal i shtetit.
“Po aq e rëndësishme është që institucionet kompetente të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm të situatës dhe për të garantuar sigurinë e punonjësve, të kompanive kontraktuese dhe të çdo qytetari që beson tek puna, ligji dhe vlerat e një shoqërie të qytetëruar”, ka deklaruar ai.
Në fund të reagimit, presidenti i MABCO-s ka ritheksuar se kompania do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e saj ligjore dhe investimin e realizuar në këtë projekt madhor.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë me vendosmëri të drejtat tona ligjore, pronën tonë dhe dinjitetin e njerëzve të punës, duke besuar se e vërteta dhe drejtësia do të mbizotërojnë”, ka përfunduar Pacolli./rajonipress/


