Faton Bislimi mbështetet nga Bukoviku dhe lagjja e Vishnjeve

/ 2 minuta lexim

Gjilan – Mikpritje shumë e ngrohtë iu ofrua sot zoti Faton Bislimi, kandidat për kryetar të komunës së Gjilanit nga Koalicioni për Gjilanin, në fshatin e prejardhjes së tij në Bukovik, ku të pranishëm kishte edhe përfaqësues të fshatit Capar.

Para të pranishmëve, në një ambient diskutimi të hapur e të sinqertë, Bislimi shpalosi programin e tij qeverisës për katër vitet e ardhshme, duke u fokusuar në nevojën e menjëhershme për krijimin të mundësive për zhvillim të mëtutjeshëm ekonomik të komunës sonë. “Deri sot jemi lënë shumë pas dore. Tash e tutje është koha t’i kthehemi vetvetes dhe të mos jemi argatë të huaj,” tha Bislimi.

Nga banorët e pranishëm, Bislimit iu dha përkrahje e pa rezervë, pasi që edhe ata u ndien krenarë që kanë një njeri të vetin nga i cili presin qeverisje më të mire, dhe përkrahje më të madhe.

Uji Dea

Gjithashtu edhe në “Lagjën e Vishnjeve”, Faton Bislimi, kandidat për kryetar komune nga radhët e Koalicionit për Gjilanin, bashkëbisedoi me të pranishmit, ku edhe shpalosi programin e tij qeverisës për katër vitet në vijim.

“Është e papranueshme që katërmbëdhjetë vite pas luftës, qeverisjet e njëpasnjëshme lokale që kemi patur ende nuk kanë zgjidhur edhe problemet bazike me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë, si kanalizimi, uji, rrugët, trotuaret, e ndriçimi publik, sikur edhe shkollat në tri ndërrime, etj,” tha Bislimi. “Sot, ne më shumë se për gjithçka tjetër, kemi nevojë për punësim dhe zhvillim ekonomik. Në katër vitet e qeverisjes sonë, nevojat bazike infrastrukturore do të jenë punë të kryera e të harruara njëherë e mire,” shtoi Bislimi.

Banorët e pranishëm në takim shfaqën zhgënjimin e tyre me qeverisjen e deritanishme dhe përkushtimin për ndryshim thelbësor, dhe për t’i dhënë shansë ardhmërisë dhe jo riciklimit politik./rajonipress/